“Koalicioni” BDI-PDSH, Ahmeti: Pas veprimeve të Selës dhe Kasamit, pak vend ka për moral në politikë

“Pak vend ka mbetur për të folur për moral dhe kredibilitet. Përderisa BESA shkon bën partneritet dhe koalicion me VMRO-në dhe Ziadin Sela më akuzon mua për organizator të 27 prillit, më duket se i kemi devalvuar tërësisht vlerat njerëzore”, kështu u përgjigj lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në pyetjen e Portalb.mk, se a është e arsyeshme dhe e moralshme që BDI të bashkëpunojë me PDSH-në duke e pasur parasysh se çfarë dëgjuam nga “bombat” që i zbardhi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

Ahmeti tha se është i shqetësuar pasi që siç tha ai “për atë se në çfarë drejtimi po shkon rrjedha politike”.

“E them me keqardhje, jam tejmase i zhgënjyer, por nga mbrëmë edhe i shqetësuar se në çfarë drejtimi shkojnë gjërat, vetëm e vetëm për të përfituar politikisht ose për t’i shpëtuar kokat e veta. Pak vend ka mbetur për moral dhe kredibilitet”, tha Ahmeti në takim me gazetarët.

Një mundësi e bashkëpunimit mes BDI-së dhe PDSH-së është krijuar pasi që partneri qeveritar i BDI-së, Aleanca për Shqiptarët ka bërë koalicion me opozitaren Lëvizjen BESA për rrethin e dytë në zgjedhjet lokale  që do të mbahen më 29 tetor. Për këtë indirekt paralajmëroi edhe vetë kryeministri duke deklaruar se “koalicioni qeveritar do të qëndrojë edhe pas zgjedhjeve lokale, ndërsa shumica parlamentare ka mundësi që të rritet”.

“Të hapura janë dyert për bashkëpunim me të gjithë. Shumica qeveritare duhet të rritet dhe duhet të jetë më stabile sepse para Maqedonisë janë vendime serioze të cilat duhet t’i sjellim. Mbetemi të hapur për bisedë me të gjithë, përfshirë edhe për individë nga opozita e udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Flas në përgjithësi si njerëz me njerëz. Maqedonia është e drejtë para reformave serioze, na duhen bashkëpunime”, tha kryeministri Zaev.

Thirrjen e Zaevit për zgjerim të përbërjes qeveritare Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët e vlerëson si akt me të cilin “po e humb autoritetin e reformatorit duke u dhënë mbështetje kandidaturave kriminale”.

“I dëgjova deklaratat e kryeministrit i cili është i gatshëm që ta zgjerojë qeverinë, të hyjnë Menduh Thaçi dhe Ali Ahmeti, harroi ta ftojë edhe Nikolla Gruevski të bëhet tamam. Çdo ditë ky njeri e humb autoritetin e reformatorit, duke e parë parasysh që u jep mbështetje kandidaturave kriminale. Duke e pasur parasysh se publikisht doli me mbështetje për kandidatin e BDI-së në Gostivar”, thotë mbrëmë Sela.

Do të ndryshohet apo jo përbërja qeveritare, ngelet që të shihet pas 29 tetorit. Sipas deklaratave, Sela s’e ka ndërmend të dalë nga Qeveria, ndërkaq Ahmeti thotë se “nuk do të ketë zgjedhje parlamentare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button