Ivanov – Reinders: BE-ja të ndërmarrë hapa urgjent për ta zhbllokuar procesin integrues

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot pasdite në Bruksel realizoi takim me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Mbretërisë së Belgjikës, Didie Reinders.

Ivanov dhe Reinders në takim këmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes dy vendeve, me ç’rast konstatuan se ato janë miqësore dhe shprehën angazhime të ndërsjella për avancimin e tyre të vazhdueshëm, transmeton MIA.

Presidenti Ivanov shprehi falënderim për mbështetjen parimore që Belgjika e ofron për aspiratat e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe theksoi nevojën e zhbllokimit të tyre sa më të shpejtë.

“Me gjendjen e status-kuo-së, Maqedonisë i është penguar e drejta e prosperitetit. BE-ja duhet të ndërmarrë hapa urgjent dhe ta zhbllokojë procesin integrues të Maqedonisë, i cili është i pakthyeshëm. Si vend, na nevojitet fuqia transformuese e procesit integrues”, e porositi presidenti Ivanov ministrin Reinders.

Në takim, zëvendëskryetari i Qeverisë belge, Reinders shprehi mbështetje për angazhimet e Republikës së Maqedonisë për hapjen e negociatave inkuadruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime për gjendjet aktuale në Evropë, lidhur me krizën e emigrantëve, sfidat e sigurisë, me ç’rast ishte cekur nevoja e një bashkëpunimi më intensiv bilateral dhe një bashkëpunimi më dinamik të sigurisë.

Në takim është shprehur interes i ndërsjellë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe këmbimit tregtar mes Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Belgjikës.

Me këtë takim në MPJ-në belge edhe zyrtarisht përfundoi vizita dyditëshe e presidentit të Maqedonisë në kryeqendrën evropiane. Ivanov sot në Bruksel pati fjalim në forumin Kran Montana, ndërsa në mbrëmje u takua me kryetarin e Këshillit evropian, Donald Tusk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button