Tiranë, prezantohet autobusi i parë elektrik

Bashkia e Tiranës ka prezantuar dhe testuar sot autobusin e parë elektrik në kryeqytetin e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA). Në aktivitetin e organizuar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues nga kompanitë e transportit publik të Tiranës.

Gjatë fjalës së tij në aktivitet, Veliaj theksoi se brenda këtij muaji do të përfundojnë testimet dhe pastaj do të vendoset për kalendarin e transformimit të flotës dhe për financimin.

“Ajo që po bëjmë në Tiranë është në fakt ajo që po ndodhte edhe dje në Paris, ku zyrtarët e bashkisë gjithashtu po testonin dy autobusë se si performonin në linjat e Parisit. Ne do të krijojmë një kompani publike të transportit, nëse nuk do të na përgjigjen operatorët privatë në këtë shkallë modernizimi. Detajet ne do t’i bëjmë specifike më vonë, por ajo që ne do të kërkojmë është që, në mënyrë graduale nga 10 për qind, apo 20 për qind, do të kërkojmë atë që quhet ‘turn-over’, pra rikthimin e flotës, e një pjese të flotës, në autobusë elektrikë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj shtoi se pas testimeve, brenda këtij viti do të hartohet dhe një plan që do iu vendoset në dispozicion të gjithë operatorëve për të bërë dhe transformimin e flotave të tyre, duke shtuar se, “Besoj që brenda vitit tjetër ne do të shikojmë në Tiranë një pjesë të madhe të operatorëve të transportit publikë tashmë me një flotë të re me autobusë elektrik”.

Pas prezantimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësues të kompanive shqiptare të transportit që operojnë në Tiranë, bënë një udhëtim me autobusin elektrik duke parë nga afër mënyrën se si ai funksionon në trafikun dhe rrugët e Tiranës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button