Të mos ketë zgjedhje të reja dhe të zbatohet regjistrimi, kërkojnë kompanitë

Katër muajt e fundit në krahasim me numrat dhe treguesit ekonomikë nuk ka zhvendosje, por është evident relaksimi i ndërmarrjeve. Ato veçmë mendojnë për investime, por vetëm nëse nuk ka zgjedhje të reja parlamentare, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP).

“Më në fund, pas kaq kohësh, ka disponim pozitiv te kompanitë lidhur me investimet. Vendosja e Qeverisë së re ka kontribuar për efekt pozitiv, para së gjithash në planin psikologjik. Mendohet për investime, partneritete të reja dhe teknologji. Shpresojmë se pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, nuk do të kalkulohet me ndonjë variant të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi ato do të kishin efekt të madh negativ mbi biznesin”, thotë drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Kjo, shtoi Iseni, është ajo që nuk e presim dhe nuk do të dëshironim të ndodhë. Biznesit i nevojitet siguri juridike dhe politike. Për çdo rast, lëvizja e firmave jep shpresë se punët po shkojnë në drejtim të mirë.

Në bisedë për MIA-n, Iseni dhe drejtori operativ Milaim Ameti analizojnë nëse subvencionet për rrogën minimale janë zgjidhja më e mirë, me çfarë rritje ekonomike do ta përfundojmë vitin, pse duhet të zbatohet regjistrimi i popullatës,…

Ata porosisin që Maqedonia ta heqë mitin për fuqi të lirë punëtore dhe të orientohet së pari ndaj zvogëlimit të importit para se ta shtyjë eksportin.

“Regjistrimi i popullatës edhe më tej është një nga çështjet më të hidhura. Nebuloze janë arsyet pse nuk është zbatuar. Por, ta lëmë atë anash. Jozyrtarisht, shumë nga kuadrot e reja ikin, e nuk dimë saktë sa, as nuk dimë sa realisht banorë dhe amvisëri kemi. Regjistrimi do të japë një pasqyrë të qartë për atë se çfarë drejtimi ekonomik do të kapim si shtet, ku më së shumti do të përqëndrohemi, në cilat sfera, kush do të jetë targeti kryesor për ne”, tha drejtori ekzekutiv i OEMVP-së.

Për nevojën e regjistrimit, ndërlidhet Ameti, flasin edhe negociatat e fundit të OEMVP-së me kompaninë kineze që dëshirjnë të investojë në Maqedoni, por ka frikë nëse do të ketë kuadro të mjaftueshme që të punësojë.

“Për arsye se nuk ka regjistrim, nuk e dimë se sa  fuqi punëtore kemi në dispozicion. Flasim për kuadro të rinj. Mund të themi përafërsisht por na duhen të dhëna konkrete, numra që do të pasqyrojnë gjendjen faktike”, nënvizoi Ameti.

Të rëndësishme për biznesin edhe më tej janë aksesi më i lehtë tek financat, zhvillimi i barabartë rajonal, mbizotërimi i drejtësisë dhe zbatimi i ligjeve në mënyrë joselektive.

Sipas OEMVP-së shteti në vend që t’i japë kompanive subvencione për pagë minimale, të mendojë për përkrahjen dhe vendosjen e teknologjive të reja nou-hau që do t’i bëjë  financiarisht më të fuqishme dhe më konkurrente, ndërsa trajtimi i barabartë i investuesve të huaj dhe të vendit të mos jetë vetëm lidhur me lehtësimin e tatimeve dhe subvencioneve, por edhe në pjesën e infrastrukturës.

Oda kërkon që të minimizojë faktorin njerëzor gjatë ndarjes së subvencioneve dhe të  thjeshtëzojë  rregullat për ndihmën shtetërore që jepet përmes Komisionit për mbrojtje të konkurrencës. Procedurat në këtë segment, përmend drejtori ekzekutiv janë shumë të ndërlikuara, ndërsa përfshihen edhe shumë institucione dhe prandaj nuk mund të gjendet se kujt i përket përgjegjësia.

Duhet që të përcaktohen edhe masat për përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që i premtoi Qeveria. Konsideroj se janë shumë të përgjithshme dhe të pasakta.

“Duhet që të dihet  se si dhe kujt t’i jepet përkrahja. Çelësi është shumë i rëndësishëm, nëse në shpërndarjen e ndihmës do të ndikojë faktori njeri, nëse parimi do të jetë “i pari që arriti-shërbehet i pari”, asgjë nuk dihet. Masat janë shumë të përgjithshme. Ne tashmë dërguam rekomandime dhe tani presim që të shohim rezultatin”, theksoi Iseni.

Gjatë mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përparësi konsideron Iseni, duhet të kenë firmat nga mjediset rurale, nga komunat ku zhvillimi nuk është në nivel të mjaftueshëm. Ato duhet të kenë prioritet në ndarjen e subvencioneve, si dhe nismat nga gratë-sipërmarrëse, të cilat janë grup i margjinalizuar, start-ap bizneset e të rinjve, idetë që kanë të bëjnë me inovacionin, ndërsa janë nga rajone më të pazhvilluara, … Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e barabartë rajonal.

“Duhet një përqindje e BPV-së të investohet në zhvillimin e barabartë rajonal. Me këtë rast është shumë me rëndësi se si do të llogariten këto investime. Të mos dalë se ndërlidhja rajonale konsiderohet për investim në rajon të caktuar planor. Duhet të ketë investime konkrete nga ana e Qeverisë. Në këtë segment është shumë me rëndësi edhe roli i kryetarëve të komunave. Ata duhet të jenë të orientuar drejt zbatimit të Ligjit për zhvillim rajonal të barabartë, të kalkulohet në mënyrë politike”, sqaron drejtori ekzekutiv.

Qëndrim i OEMVP është se edhe koncepti i tërheqjes së investimeve të huaja duhet të rihetohet.

“Gjithmonë kemi thënë se gjithë koncepti i tërheqjes së investimeve të huaja duhet të rihetohet sepse nuk jemi të sigurt se efektin që e jep është i mjaftueshëm për zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë. Duhet të kërkohen mënyra për ndërlidhje me firmat vendore dhe të huaja, por edhe kjo nuk mjafton. Për këtë kërkojmë barazim, po jo vetëm në lidhje me tatimet dhe subvencionet, por edhe në lidhje me infrastrukturën. Nëse dëshiron ta trajtosh njëjtë investuesin vendor me atë të huajin, duhet t’i sigurosh kushte. Shteti këtu mund të bëjë gjithçka”; thotë Iseni.

Në zonën e Vizbegut, rregullimi infrastrukturor i së cilës është mes kërkesave kyçe të afaristëve, do të pritet buxheti deri vitin e ardhshëm. Në zonën e Vizbegut ka mbi 400 firma me mbi 2.000 të punësuar, të cilët realizojnë 600 milionë euro qarkullimin vjetor.

“Me buxhetin e ri për vitin 2018, do të shihet se sa mjete janë parashikuar për projekte infrastrukturore në Maqedoni. Nga ky këndvështrim do të fitojmë një pasqyrë të qartë nëse Vizbegu do të trajtohet në mënyrë institucionale dhe reale. Duhet të pritet. Në mbledhjet me kryeministrin na është theksuar se problemi do të trajtohet nga ana e Qeverisë. Firmat me të vërtetë presin që çështjet të zgjidhen. Zyrtarisht, është formuar komision qeveritar, i cili do t’i trajtojë kërkesat tona dhe të ekonomisë në tërësi. Deri në këtë moment, nuk ka asgjë konkrete edhe pse ministri i Transportit dhe Lidhjeve përmendi se nga viti i ardhshëm do të ketë mjete për studim fizibiliti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë”, plotësoi Iseni.

Kompanitë-anëtare të OEMVP nuk kanë kurrfarë problemi me Ligjin e ri për pagën minimale. E përshëndesin vendimin e tillë sepse, mendojnë, do ta rrisë konsumin e qytetarëve dhe do ta lëvizë ekonominë, por, megjithatë, tregojnë se është mirë të mendohet se subvencionet për firmat janë zgjidhja më e mirë ose ndoshta duhet të shkohet me mbështetje për vendosjen e teknologjive të reja, makinerive dhe nou-hau, që do të kontribuonte që kompanitë të bëhen financiarisht më të fuqishme, vetë ta mbajnë barrën dhe të jenë më konkurruese.

“Miti për fuqinë e lirë të punës nuk duhet më të jetë klavikula jonë e fortë.Ne jemi përkrahës të vendosjes së pagës minimale, madje edhe nëse mbështet edhe paga mesatare, të ngrihet standardi. Anëtarët tanë nuk kanë kurrfarë probleme në lidhje me zbatimin e Ligjit për pagën minimale sepse pagat që ata ua japin punëtorëve të tyre janë dukshëm më të larta. A është subvencionimi i firmave për sigurimin e pagës minimale mënyra më e mirë, këtë nuk e dimë”, theksoi Iseni.

Për eksportin dhe forcimin e tij të vazhdueshëm, OEMVP sugjeron qasje më ndryshe. Fillimisht, siç thotë drejtori operativ Ameti, duhet ta zvogëlojmë importin.

“Forcimi i eksporteve nuk është qasja më e mirë. Është më mirë fillimisht të drejtohemi ndaj uljes së importit. Eksport pa prodhime me vlerë të madhe të shtuar nuk do të ketë sukses. Në Maqedoni mbizotërojnë produkte me vlerë të vogël të shtuar, ndërsa realisht, që të jesh konkurrues në tregun ndërkombëtar, të duhen prodhime me vlerë më të madhe të shtuar. Rritja e eksportit është një materie shumë komplekse, i tërë zinxhiri i cili përfshin arsimin, ekonominë, shtetin, kuadro të mira cilësore me ide për zhvillimin e teknologjive, koncepte zhvillimore,…Për këtë, fillimisht të bëjmë vlerësim në atë çfarë mund të shkurtojmë nga importi. Kjo do të ishte qasja më e lehtë”, thekson Ameti.

Lidhur me zbatimin e ligjeve, thotë, ende ka selektim. Ndjehet diskriminim edhe në bazë etnike edhe në atë politike. A ka çfarëdo ndryshimesh në këtë kontekst, ende është herët të thuhet sepse kanë kaluar vetëm katër muaj nga formimi i Qeverisë së re.

Për qasje më të lehtë deri te financat, ndërkaq, Oda propozon uljen e normës themelore të interesit të BPRM, masa joselektive për sigurimin e linjave kreditore me interesa të ulëta, qasje më të lehtë deri te fondet alternative, formim të një fondi garantues nga na e Qeverisë, rikapitalizim të Bankës së Maqedonisë për Mbështetje dhe Zhvillim dhe shfrytëzim më të madh të fondeve të BE-së.

Analizat e OEMVP tregojnë se Maqedonia do ta përfundojë vitin me maksimum 0,7 për qind rritje ekonomike, kundrejt vlerësimeve të fundit të Banjës Botërore për rritje prej 1,5 për qind.

“Do të jemi tejet të kënaqur nëse Maqedonia e përfundon vitin me rritje ekonomike prej 0,5 për qind deri në 0,7 për qind. Konsiderojmë se projeksionet prej 1,5 për qind të Bankës Botërore apo 2,5 për qind të Qeverisë assesi nuk mund të arrihen. Në tremujorin e parë rritja ka qenë zero, në të dytin është vërejtur rënie prej-1,8. Që të arrihet rritje prej 2,5 për qind duhet në të dy tremujoret të keni pesë për qind, që nuk ka logjikë”, janë decidë Iseni dhe Ameti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button