“Inxhinjeringu” i quajtur popull

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Gruevski vazhdon te paraqitet ne emisione të montuara debative, me letrat para vehtes plot me përgjigje të shkruara për pyetjet e gatshme të cilat paraprakisht ia ka dhënë “gazetarit”-memec për t’ia parashtruar duke mos ndërhyrë për asnjë moment qoftë edhe me një nënpyetje të vetme kontradiktore. Megjithatë, është shumë interesante të shikohet se ku e vendos theksin Gruevski për të sqaruar debaklin që i ndodhi me 15 Tetor, kur brenda natës humbi pushtetin gati në të gjitha komunat, bile edhe në ato që për vite me rradhë njiheshin si bastione të partisë së tij.

Arsyen e parë Gruevski e quan “Inxhinjering zgjedhor” dhe pretendon me shumë bindje që ajo që ndodhi para dhjetë ditësh nuk është një debakël i tij personal si lider i partisë humbëse në këto zgjedhje, por në fakt paska qene një mashtrim i madh, një manipulim zgjedhor me votat e qytetarëve, një vjedhje e pamëshirshme e votave të dedikuara atij e që padrejtësisht paskan përfunduar në konton e LSDMsë e cila doli fituese. Ky farë “inxhinjeringu” sipas Gruevskit paska kaluar heshtazi para vëzhguesve ndërkombëtarë në sytë e të cilëve dukeshka hapur që ata paskan vendosur ta tolerojnë këtë krim.

Të thuash që vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR-it kanë toleruar një “mashtrim” të përmasave të tilla dhe të mundohesh në këtë mënyrë ta arsyetosh mossuskesin tënd vërtetë që kërkon hipokrizi të madhe dhe të paturpshme. Është interesant që i njëjti ai Gruevski që thoshte tërë kohën që populli do të vendosë me 15 Tetor dhe populli do të caktojë udhëheqësin, tani nuk po e përmend popullin fare, tani meret me “inxhinjeringje”, sepse populli që e ka votuar pikërisht atë për të plot 11 vite, nuk ka asnjë fare mundsie ta ketë ndëruar mendjen dhe të jetë lodhur përfundimisht prej tij një herë e mirë. Këtë gjë assesi nuk mund ta pranojë Gruevski, assesi nuk mund të bindet që ka humbur përkrahjen e qytetarëve të cilëve u ka ardhur në majë të hundës prej tij. Disave prej tyre u ka ardhur në majë të hundës në fakt, sepse ai megjithatë ka mbi 300.000 vota në këto zgjedhje. Poashtu ka edhe shumë të tjerë (ndër ta edhe shumë shqiptarë) që nuk ia zënë shumë për të madhe atë që na solli të gjithëve në buzë të greminës nga e cila shpërtua me shumë halle dhe me pasoja të rënda.

Arsyeja e dytë që ai përmend për këtë që i ndodhi në këto zgjedhje është tentativa për të rregulluar raportet me shqiptarët. “U munduam t’i pëlqejmë dikujt duke u larguar nga ajo që jemi në të vërtetë” u shpreh ai para gazetarit memec. Me fjalë tjera, ai deshi të thotë që në këtë kampanjë, ai dhe partia e tij nuk nxitën urrejtje sa duhet, ashtu siç bënin më herët, dhe kjo u kushtoi 150.000 vota të cilat i humbën për shkak se tentuan të afrohen me shqiptarët, duke gjetur të tillë që nuk e kishin problem të bëhen pjesë e listave parazgjedhore të një subjetkti politik të pareformuar e të akuzuar për robërim të shtetit.

Pra, megjithatë, një pjesë të madhe të “fajit” për rënien e tij e kanë përsëri shqiptarët, edhe atë “faj” të dyfishtë, sepse jo vetëm që nuk kanë besuar në përallat e tij të ndryshimit të retoritkës parazgjedhore dhe nuk kanë votuar për të, por njëherit, si pasojë e tentativës së pasuksesshme për afrim me shqiptarët, ai i shkreti paska humbur edhe vota maqedonase, nga ato burimoret, të cilat besojnë fuqishpm në vlerat univerzale të urrejtjes ndëretnike.

Ajo që më vjen çudi nuk janë fjalët e Gruevskit, sepse sigurisht, personi që ka humbur kontakt me realitetin, ashtu si që dëgjuam nga fjalët e vetë ish-arkëtarit të tij, nuk mund të kuptojë që i ka ardhur fundi i karrierës politike dhe që duhet të lejojë përfundimisht një reformë të vërtetë në subjektin politik që ai drejton. Mua më vjen çudi si ndodh që disa shqiptarë, qofshin ata politikanë ose opinionistë, janë në gjendje ti falin të gjitha këto dhe edhe më tej t’i ruajnë interesat e tij. Ka një fjalë që thotë: “Në politikë kurrë mos e ndiq pas kufomën sepse ajo të mer me vehte”. Dhe habitem si ka ende shqiptarë që flasin për “satanizim” të VMRO-së dhe shprehin indinjatë pse u pamundësohet disa subjekteve politike shqiptare që haptazi të koalicionojnë me një parti të tillë të pareformuar duke u detyruar të bëjnë koalicione të fshehura. Thjeshtë e kam të vështirë të kuptoj se si mund të arsyetohet ajo që VMRO-DPMNE në krye me Gruevskin bëri në këtë shtet gjatë gjithë viteve të kaluara dhe se si me çdo kusht kërkohet që e njëjta të vazhdojë të jetë faktor i rendësishëm politik në këto kohëra ndryshimi.

Rundi i dytë i këtyre zgjedhjeve lokale pritet që të tregojë përfundimisht ku e ka vendin kjo parti derisa e njëjta të mos vendosë të reformohet. Ky rund poashtu do të tregojë një herë e mirë se cili është vendi i kësaj partie në vendbanimet shqiptare. A thua shqiptarët do vendosin ta ndjekin pas kufomën, a do të lejojnë që ajo ti ndjekë pas ata, apo do të çlirohen njëherë e mirë nga e njejta?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP