Universiteti i Tetovës ndau rreth 100 bursa për studentët e shkëlqyer

Universiteti i Tetovës, përmes një ceremonie solemne, sot ndau rreth 100 bursa për studentët shkëlqyer, të ciklit të parë të studimeve, në vitin akademik 2017/2018. Vendimi i Universitetit të Tetovës për lirim nga participimi i studentëve të shkëlqyer ka dhënë rezultate të dëshiruara dhe nga viti në vit numri i studentëve më të mirë shkon në rritje, njofton Portalb.mk.

Vendimet për studentët e mirë i bëri publike rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, i cili tha se Universiteti i Tetovës nga viti në vit po e dëshmon punën e tij të suksesshme, para qytetarëve të vendit tonë dhe më gjerë, vjen më i përgatitur se kurrë më parë, paraqitet fuqishëm para opinionit publik me veprimtarinë e tij akademike, me të arriturat në fushën e arsimit, shkencës dhe veprimtarisë së përgjithshme universitare.

“Në mesin e shumë ngjarjeve të rëndësishme që zhvillohen në Universitetin tonë, ndarja e bursave për më të mirët tanë nga të gjithë fakultetet, tashmë zë vendin e merituar, dhe si e tillë, paraqet një nga sukseset tona të përbashkëta. Me këtë rast, në emrin tim dhe në emër të Universitetit, të dekanëve të fakulteteve, profesorëve, studentëve, punonjësve të administratës, Ju shpreh urimet e mia për këtë aktivitet që sot e organizojmë, si njëra nga ngjarjet më të veçanta në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit të Tetovës”, tha Ameti.

Ai, po ashtu tha se, ne të gjithë së bashku, me përkushtim dhe angazhim serioz kemi arritur t’i realizojmë prioritetet arsimore dhe shkencore të Universitetit, andaj, ndarja e bursave për studentët e dalluar e konfirmon se Universiteti ynë identifikohet si institucioni i cilësisë, i mundësive të mëdha për të rinjtë, i cili është shndërruar në alternativën më të sigurt për arsimimin e brezave ndër vite.

Vendimet për lirim nga participimi studentëve të ciklit të parë ua ndanë nga rektori Vullnet Ameti, prorektori për Arsim, Reshat Qahili dhe prorektori për Financa, Alifeta Selimi. Në këtë ceremoni, përveç drejtuesve të UT-së, të pranishëm ishin edhe familjarë dhe miq të studentëve shkëlqyer.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button