Masa e re e BE-së, vizë apo kontroll ndaj udhëtarëve të Maqedonisë?

Parlamenti Evropian miratoi propozimin e Komisionit Evropian, sipas të cilit shtetasit e vendeve të treta të cilat janë të liruara nga vizat për zonën Shengen, në mesin e të cilëve bien edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, prej vitit 2020 do të duhet të aplikojnë për liri për udhëtim përpara se të arrijnë në Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

Sipas ekspertëve, kjo dukuri vjen si rezultat i ndodhive të fundit në mbarë botën, dhe sipas tyre, kjo nënkupton kontroll mbi ata që hyjnë në territorin e BE-së.

Parashtrohet pyetja se nëse kjo nuk është vizë, atëherë çfarë është?

Ardita Abazi nga OJQ Instituti për Politikë Evropiane thotë për Portalb.mk se kjo nuk është vizë por është sistem i ri i informimit dhe autorizimit që është krijuar nga rreziku i jashtëm me të cilin po ballafaqohet BE-ja.

“Kemi të bëjmë me sistemin e ri të informimit dhe të autorizimit të BE-së (ETIAS). Qëllimi për krijimin dhe operacionalizimin e këtij sistemi del nga rreziqet e jashtme me të cilat ballafaqohet BE-ja siç janë terrorizmi, radikalizmi dhe vrulli i migrantëve. Kjo do të thotë kontroll më i madh me qëllim të mbrohen qytetarët e BE-së nga rreziqe të këtilla. Ky sistem i plotëson mangësitë e sistemit ekzistues të sistemit të informimit të menaxhimit të kufijve të BE-së (BMIS) i cili kontrollon shtetasit nga vendet që nuk janë pjesë e EU-së por nuk i kontrollon shtetasit nga vendet kandidate të cilët përfitojnë nga liberalizimi i vizave”, tha për Portalb, Abazi.

Ajo shtoi se ekziston një qasje e ngjashme me sistemin Amerikan, Kanada dhe Australi.

“Është një qasje e ngjashme me sistemin Amerikan, Kanada dhe Australi. Shuma që do të paguhet është simbolike, 10 euro, ndërsa vërtetimi do të vlejë për 3 vite ose deri në fund të përfundimit të afatit të pasaportës. Pasi që ky dokument ende është duke kaluar në fazat e miratimit të legjislacionit në nivel të BE-së, pritet që pas fuqizimit sistemi ETIAS të themelohet dhe të filloje me funksionimin në vitin 2020”, shtoi Abazi.

Gjithashtu Andrea Stojkovski nga Qendra maqedonase për arsim evropian thotë për Portalb.mk mohon se kjo është vizë, por sipas tij është rezultat i kontrollit që BE do të bëjë për ata qytetarë që shkelin në kufijtë e tyre.

“Do të realizohet një procedurë administrative që do të kërkohet nga udhëtarët të regjistrohen në mënyrë elektronike, të paguajnë një lloj takse dhe të fitojnë miratimin për udhëtim. Duhet pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur që nga liberalizimi i vizave deri më tani, të gjitha ndodhitë në rajon, në Evropë dhe më gjerë kanë pasur ndikim për vendosjen e kësaj mase: kriza e emigrantëve, mundësia e integrimit të refugjatëve dhe integrimi i qytetarëve të rajonit në IS apo në organizata tjera terroriste. E gjithë kjo ndikon në këtë vendim. Thjesht kjo është vetëm një mënyrë apo mundësi që të verifikohen udhëtuesit para se të shkelin në territorin e BE-së”, tha për Portalb, Stojkovski.

“Sistemi i ri evropian për informacion dhe autorizim e ETIAS nuk është vizë”, tha eurokomesari për punë të brendshme Dimitris Avramopulos për DW. Komisioni Evropian është në dijeni për interesimin, por edhe për perceptimin e gabuar të qytetarëve lidhur me këtë dokument, i cili pas disa viteve do të mund të jetë i domosdoshëm gjatë hyrjes në zonën Shengen.

Nga Brukseli përsërisin dhe liria e lëvizjes dhe liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit perëndimor janë ‘ hapa historik ‘ që nuk vihen në pyetje, gjithsesi nuk pakësohen kontrollet shtesë të paralajmëruara.

“Ballkani perëndimor është rajon kyç dhe partner i afërt i BE-së. Çdo qëllim i jonë është në drejtimit të ruajtjes së afërsisë së partneritetit si dhe arritjes së qëllimit për lëvizje të lirë të qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit perëndimor”, tha Avramopulos për DW.

Sistemi i ri ETIAS është propozuar para një viti si pasojë e rritjes së fluksit të udhëtarëve që hyjnë në BE pa viza, shton më tej Avramopulos, sipas tij qëllimi është që të përforcohet sistemi me menaxhimin e kufijve dhe migrantëve në favor të BE-së dhe vendeve që nuk kanë nevojë për viza.

Ndërkaq sot shefi i diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov paralajmëroi se do të bisedojë me të gjithë kolegët e tij të rajonit, vendet e të cilëve janë prekur nga masa e re e Bashkimit Evropian për vendosjen e takës për hyrjen e qytetarëve të vendeve ballkanike të cilët kanë regjim pa viza, me qëllim të gjendet qasje e përbashkët ndaj kësaj çështje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button