Promovohen 18 tituj të ri shkencorë në USHT

18 tituj të ri shkencorë nga lëmia e mjekësisë janë promovuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Prorektori i USHT-së Ismail Ahmeti, tha se kjo literaturë do të ndikojë në rritjen e cilësisë së studimeve.

Ai theksoi se me pasurimin e bibliotekës universitare me këto libra shkencore, studentët shqiptar do ta kenë më lehtë të kapin ritmin e studimeve bashkëkohore. 

“Kjo veprimtari shkencore është e vlefshme dhe shumë e nevojshme për studentët në përgatitjet për profesionin e tyre akademik dhe shkencorë. Kjo literaturë shkencore do i ndihmojë ata që të ndërtohen si profesionistë të mirë të arsyeshëm dhe të ndërgjegjshëm për detyrimet e tyre profesionale në të ardhmen”, deklaroi Ismail Ahmeti, prorektor I USHT-së.

Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka deklaruar me këtë rast se qeveria e Maqedonisë është e përkushtuar jo vetëm në përkthim të literaturës por edhe për krijimin e kushteve të reja, me qëllim që arsimi në Maqedoni të merr formën e duhur. 

“Rëndësia e procesit arsimor e bën të domosdoshme përkrahjen e këtij procesi e sidomos nga institucionet e sistemit. Në këtë drejtim qeveria e Maqedonisë është përcaktuar që, përveç investimeve në favor të krijimit të kushteve sa më të mira infrastrukturore dhe teknike, gjeneratave të reja apo studentëve t’ju mundësojë ngritjen e diturisë së tyre duke u bazuar në literaturën bashkëkohore ndërkombëtare”, deklaroi Musa Xhaferi.

“Ministria e arsimit dhe shkencës, gjegjësisht qeveria, sot këtu në USHT po promovon përkthimin e 18 librave nga fusha e mjekësisë në gjuhën shqipe. Ky është një projekt qeveritar për përkthimin e 500 gjegjësisht 1000 librave nga fusha të ndryshme”, tha Safet Neziri, zv. ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Promovimi i këtyre titujve është pjesë e projektit “Përkthimi i 1.000 librave profesional, shkencorë dhe teksteve shkollore nga të cilat mësohet në universitetet më të mira dhe me renome në SHBA dhe Angli, ndërsa nga sfera e së drejtës në Francë dhe Gjermani”./portalb/


Lajme të ngjashme

Back to top button