PASURIMI NËPËRMJET HUAZIMIT

Tamirisi, Orfeu, Museu, përmenden si tre këngëtarë të lavdishëm të Greqisë antike.

Nuk dimë asgjë për biografinë e tyre, përveç se përmenden nëpër mite apo nga autorë të antikitetit.

Prej tyre nuk është ruajtur asnjë vepër, asnjë këngë, asnjë varg origjinal.

Për Orfeun thuhej se i zbuste kafshët e egra me zërin e tij.

Për Tamirisin thuhet se muzat sedërlënduara ja morën zërin, dëgjimin dhe shikimin, ngase ishte mburrur se i kishte mundur ato në një garë artistike.

Aristoteli e citon një thënie të Museut: “Për vdekatarët gjëja më e këndshme është të këndojnë”.

Vargjet e tyre, mbase, janë shkrirë në vepra të tjera antikiteti.

Këtë nuk e dimë dhe nuk kemi për ta mësuar asnjëherë.

Dimë se tre këngëtarët nuk ishin grekë, por trakë dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Origjina e tyre nuk i pengoi grekët e lashtë t’i çmonin pafundësisht poetët trakë.

Grekët e lashtë kishin një virtyt: huazonin vlera prej të tjerëve dhe e pasuronin kulturën e tyre.

Romakët vepruan ngjashëm: ata e pasuruan kulturën e tyre duke huazuar prej grekëve, madje, mburreshin se kultura romake ishte imitim i asaj greke.

Kulturat janë pasuruar nëpërmjet huazimit dhe jo nëpërmjet mbylljes së tyre.

Një kulturë pasurohet kur ka aftësi huazimi të vlerave kulmore, pavarësisht në cilin sistem kulturor janë krijuar ato.

Aftësia e huazimit është po aq e vlefshme sa aftësia e krijimit të vlerave burimore, në mos më e vlefshme.

Ata që thirren në gjakpastërti, pa bërë asgjë për kombin e tyre, nuk mund të jenë më të vlefshëm se sa ata që nuk janë “gjakpastër”, por i kanë dhënë kulturës sonë shumëçka.

Kombi nuk është biologji, por kulturë, thoshte Mitrush Kuteli.

Ata që nuk kanë origjinë shqiptare as nuk kanë pasur detyrim moral ta kontribuonin për kulturën tonë. Këtë e kanë bërë nga dashuria ndaj vlerave që shpesh ne i kemi përçmuar. Prandaj ata meritojnë respektin më të madh.

E tillë ishte Edit Durhami, e dashuruara pas kulturës shqiptare.

I tillë ishte edhe albanologu mendjendritur Robert Elsie, i cili iku së gjalli, duke lënë pas vetes një monument.

Ashtu si shumë të tjerë që i kanë punuar për pasurimin dhe afirmimin e kulturës shqiptare, për dallim nga ata shqiptarë me profesion që vetëm thirren në komb dhe vetëm e kanë rrjepur atë.

Nëse do të kishte ndonjë dekoratë heroizmi për të arritura në sferën e kulturës këta personalitete janë më meritorët për t’u nderuar me një të tillë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button