BUKA E GRUJTË

Fytyra e freskët, sytë e mëdhenj e të kaltër me qerpikë të gjatë, goja e vogël, “balli si shtegu i malit kur i bie hana”, flokët e verdhë, kurse pamja e një krijese të qëndrueshme e me përvojë, ndonëse i kishte vetëm pesëmbëdhjetë vjet, prej të cilëve katër kishte qenë rrogtar. Gjithmonë  i heshtur, ndonëse nga brenda i vlonte pakënaqësia si ndonjë llavë, e cila e pret çastin të shpërthejë, nuk i përtonte asnjë pune. Quhej Velë. Babanë s’e kishte, kurse nëna e kishte lutur të mos bëhej rrogtar, por ai, i zgjuar siç ishte, dëshironte t’i ndihmojë nënës, mos ta ndjejë e shkreta barrën e varfërisë pas vdekjes së të shoqit.

“Do të shkoj nënë! Do të fitoj dhe do të hamë bukë të grujtë”, i tha Vela. Dhe, ky ishte një vendim i prerë i tij, si të ishte fjalë e një burri të vendosur. Shkoi e shërbeu katër vjet te një patron, ku i kulloste lopët dhe bënte edhe punë të tjera për zonjën e shtëpisë. Ishte në shërbim natë e ditë. Vendi ku flinte ishte një qosh i rregulluar me kashtë, nën hajat, aty ku flinte edhe qeni, pak më larg. Aty, të paluar e mbante një batani të vjetër. Gjysmën e përdorte si shtrat, me gjysmën tjetër mbulohej. Kuptohet, gjumin e bënte me teshat që i mbante.

Gjatë gjithë këtyre viteve herët i merrte lopët dhe i çonte t’i kullosë, herë për mëngjesi, herë për gjithë ditën. Ditën e verës ose për shëngjergj lakmohej të shkonte të argëtohej me të rinjtë, mirëpo e zonja e shtëpisë vazhdimisht i thoshte se këto ditë nuk janë festa për të qenë. “Bajrami”, thoshte ajo, “vetëm bajrami është festë e vërtetë”. Ajo s’u besonte as vetë fjalëve që i thoshte, por kështu ajo në mënyrë të tërthortë ia bënte qejfin burrit të saj i cili lavdërohej se është fetari më i mirë në fshat, por më shumë e kishte qëllimin mos t’i mbeteshin lopët pa kullotur.

Po koha rrjedh pamëshirshëm.Vinte edhe bajrami, kurse e zoja e shtëpisë përsëri gjente ndonjë arsye që të kërkonte prej Velës t’i nxirrte lopët pak në fushë, “se”, thoshte ajo, “gjynah është, hajvan janë e nuk dinë. Varen prej mëshirës së njeriut”.

Vela pesë bajrama pjesën më të madhe të ditës e kaloi duke u marrë me lopët. Ndërkohë që të tre djemtë e patronit, të veshur me tesha të reja shkonin në xhami bashkë me të jatin.

Një bajrami, ndërkaq, një Bajrami të Madh, fillim qershori, në mëngjes herët, fshatarët, që të gjithë, bashkë me fëmijët e tyre të ndërruar me tesha festive,  shkonin në xhami për dersin festiv, pas të cilit shkonin ta thoshin një lutje në varreza për anëtarët e ndjerë të familjes. Atë ditë nuk e gjetën Velën në këndin e tij me kashtë. Ishte festë e nuk mund ta linin xhaminë për të kërkuar një rrogtar të tretur. “Qafën e theftë”! bërtiti patroni kur e pa strofullën e Velës bosh.

Rrugës, e cila kalonte pranë shtëpisë së Velës ishte ndalë një grup njerëzish. Kur u afrua patroni e pa se njerëzit e kishin rrethuar Velën që ishte ulur në pragun e kapixhikut dhe shikonte procesionin, si lëvizte me hapa të lehtë drejt xhamisë. Patroni nuk u ndal. As djemtë nuk deshi t’i lërë ta shikonin Velën. Megjithatë kërshëria e fshatarit atë nuk e la të largohej shumë. E shikonte grumbullin e njerëzve e në mesin e tyre edhe Velën. Disa njerëz e thërritën t’i bashkëngjitet procesionit për në xhami, por Vela e lëvizte dorën në ajër në shenjë mospërfilljeje. Dikush madje e qortoi, i tha: “Si mund të sillesh ashtu? Nuk je i vogël”… Vela iu përgjigj: “E dini çka?… Unë sot agjëroj!Ju ecni, shkoni ku jeni nisur!”. Njerëzit i kafshuan gishtat tregues të bërë grremç për të shfaqur habinë me këtë djalë që kaq vrazhdë i shkelte rregullat e fesë dhe u larguan duke komentuar. “Qafën e theftë”, përsëriti patroni dhe u largua me djemtë. Pastaj erdhën njerëz të tjerë që e thërrisnin: “A po vjen në xhami?” e skena përsëritej.

Dikur procesioni mbaroi. Vela  mbeti i rrethuar me një qetësi shurdhuese. As gjethet e gështenjës së madhe, e cila ngrihej rreth murit të oborrit të tij e që gjysmën e kurorës e kishte mbi rrugë, nuk i lëvizte era. Ai u ngrit, doli midis rrugës, i hapi krahët dhe i erdhi të bërtasë. Por diçka thuajse ia ngjiti për fyti. Nuk arriti të këlthasë. Po edhe sikur të bërtiste, punë e madhe. E dinte se për të nuk kishte dert kush, përveç nënës së shkretë, me të cilën jetonte dhe e cila tash mundohej të bëjë diçka për  sillën solemne të bajramit. Sa ishte gëzuar nëna e shkretë kur e kishte parë Velën në mëngjes që kishte ardhur. Vetëm e puthi në ballë. I tha biri i nënës dhe kaq. Nuk arriti ajo të çmallej mirë me të birin.  Menjëherë e shkreta i përveshi krahët ta bënte sillën festive. Mendonte nëna se e kishte lëshuar patroni të birin e saj ta kalonte bajramin me nënën e vetmuar.

Nga rruga Vela u fut qetas në kopsht, u nis për në shtëpi. Tha “po shkoj te nëna ime”.

Tashmë dielli po i ledhatonte kurorat e pemëve dhe pjesën e epërme të murit të shtëpisë. Te shporeja e vogël me lule që kishin në shtëpi e pranë së cilës kalonte vija me ujë, e pa nënën si e shtronte sofrën, të mbuluar me një napë me lule, të cilën që kur e mbante mend Vela ajo e shtronte vetëm në çastet e rralla solemne të shtëpisë. Me lëvizje gracioze, me ata gishta të hollë e të qelibartë, butas dhe me dashuri, thuajse foshnjën që fle e vendos në shtrat, nëna i vinte lugët në sofër, pastaj tepsinë me oriz me mish e pule, një tepsi tjetër të vogël me ëmbëlsirë të bërë me pekmez manash dhe një bokall me ujë i vuri në një sandëk të vjetër, aty pranë. Vela tashmë ishte afër  dhe, mbështetur te shkallët,  po e shikonte nënën aq të përkushtuar. Ajo, e dhënë, pas sofrës festive, e frymëzuar nga gëzimi që i kishte ardhur i birë për festë, nuk e pa Velën i cili tashmë ishte aq afër saj. Para se ta thërriste “O Vela i nënës, ec se nëna e shtroi sofrën”, ajo i ngriti duart kah qielli dhe tha: “O zot i madh, ruajma djalin”!

Ashtu si ecën vija rrymbyeshëm nga mali nëpër shtëpinë e tij të vjetër, djali e ndjeu një rrymë të freskët ndjenjash të këndshme që e zëvendësuan atë ankthin të cilin ia bënte pozita poshtruese që kishte në bashkësinë e njerëzve të fshatit si rrogtar. Me vetëdijen e fituar nga halli se asgjë nuk është e amshueshme, djali e ndjeu se ajo rrymë po i sillte një forcë të paparë ndër dej e muskuj. E kupoi se  me të do t’i përballonte më lehtë vështirësitë fizike, por edhe ato shpirtërore. Pastaj nuk u durua. I bëri katër a pesë hapa  ngadalëz dhe e përqafoi nënën ta befasojë.

“Nëna ime”! i tha dhe e shtrëngoi fortë. Tash e tutje do të jemi bashkë dhe do të hamë bukë të grujtë.

“Shpirti i nënës”, ia ktheu ajo.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button