Absurditeti i drejtësisë shqiptare

Paraqitja turpëruese e prokurorisë publike për krimet e rënda para këshillit të mandateve të Kuvendit të Shqipërisë, duke marrë si shkas kërkesën e saj për arrestimin e ish ministrit të punëve të brendshme, deputet aktual, paraqet trilogjinë më skandaloze të drejtësisë së përbotshme. Pik së pari, prokuroria është organ shtetëror i pavarur juridik që mbron shoqërinë nga krimi dhe shkelja e ligjit dhe aktivitetin e vet hetues dhe denoncues, me interes të veçantë shoqëror, e realizon përmes sistemit të drejtësisë, e jo para Kuvendit dhe Deputetëve të imunizuar me pushtet absolut.

Çka është e drejta, e njëjta prokurori denoncimin për arrestimin e deputetit Sajmir Tahiri e bëri pasi Prokuroria italiane ngriti akuzën kundra personave të përfshirë në narkotrafikimin me përmasa ndërkombëtare, në të cilën me faktografi është i implikuar edhe personi në fjalë. Por kuvendarët e Shqipërisë, të pajisur me imunitet perandorak, detyruan prokurorinë shqiptare të gjunjëzohet para krimit të organizuar, duke shpallur të pandehurin si të pafajshëm, me arsyetimin se nuk ka prova për fajësi!!!

Melodrama e drejtësisë shqiptare nuk përfundon me kaq, pushtetarët dhe qeveritarët aktual të shtetit shqiptar, duke u nisur nga logjika djallëzore “në emër të popullit dhe për popullin” organizuan edhe një grup qytetarësh të cilët protestonin në solidarizim me deputetin dhe ish ministrin e inkriminuar. Debati i këtij pështjellimi juridiko-politik shkel brutalisht të gjitha normat dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtarë, dhe i njëjti pa asnjë pik turpi denigron dhe poshtëron edhe dinjitetin, identitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar, duke e detyruar që të heshtë para së keqes, kurse kur është në pyetje cenimi i integritetit të ministrave dhe deputetëve të inkriminuar, edhe të protestoj kundra aktvendimeve që sanksionojnë krimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button