Zaevizmi: tendencë për kolonizim politik të shqiptarëve

Në vitin 2012, BBC publikoi një artikull të profesorit të Harvardit, Calestous Juma, që  analizonte dhunën e viteve 2007-2008 në një shte afrikan, Keni, dhe mes tjerash kumtonte se atij populli i mungonin përpjekjet për të ndërtuar parti politike të vërteta që do të garonin në bazë të ideve, se prijësit kenianë eksploatonin lojalitetin për të arritur përfitime personale, interesa parohiale, privilegje dhe kronizëm (benefite e poste për miqtë dhe bashkëpunëtorët).

Shoqëria jonë, pas rrëzimit të një ideologjie famëkeqe, të një doktrine antishqiptare, të gruevizmit dhe diktaturës etnocentriste me ngjyrime fashizoide, që për më tepër se një dekadë ishte ankth joni, pengesë e avancimit të çështjes sonë, që u bë simbol i denigrimit të kauzës tonë, që me të gjitha metodat dëshironte të tregojë se kush është zotëriu dhe kush është qytetari i kategorisë së dytë në Maqedoni, që aplikonte një “soft apartheid”, në zgjedhjet e vjeshtës 2017 po përballet me ngjizjen e një teze dhe praxisi politik të një natyre tjetër por në esencë thuajse të njëjtë me gruevizmin: me zaevizmin. Kjo ligjëratë dhe “ideologji” e re politike ka zgjedhur një metodologji tjetërfare, atë të zaptimit të hapësirës politike shqiptare duke mbyllur sytë para asaj që ka pohuar para një viti, duke u bërë një mesi joshqiptar brenda nesh, duke bërë invazion në kulturën tonë politike, duke u shndërruar në një shpëtimtar politik që mundohet që elektoratit shqiptar t’ia tregojë të mirën dhe të keqen, të dobishme dhe të dëmshmen, të bukurën dhe të shëmtuarën në politikë, t’ia tregojë rrugën e demokracisë dhe benefiteve të saj.

Kryeministri atkual, që për statusin e  sotëm u ka borxh shqiptarëve sa të jetë gjallë, duke marrë pjesë nëpër ngjarjet e marketingut politik të njërit opsion politik shqiptar – me të cilin është në koalicion -, që vetë Zaev  e kishte cilësuar si të korruptuar (sikurse edhe ish aleatin e tij), duke u shprehur hapur se shpëtimi është te partia politike shqiptare pushtetare, shqiptarëve u shet mend, i tribalizon ata, de facto i orientalizon, i përçmon, i nënvleftëson. Kjo risi në skenën politike të Maqedonisë është shumë e rrezikshme, është një eksperiment social që nëse “del i suksesshëm” shqiptarët në të ardhmen gjithnjë do të jenë monedhë për kusuritje dhe jo bashkësi autentike me arsye origjinale dhe autonome politike, që di se kë dhe pse voton. Dikur komunistët na i servirnin me zor “shqiptarët e ndershëm”, shërbëtorët e shtetit, sot Zaevi dhe kompania e tij, pasi e kaluan detin me dallgët e rrëmujshme të tij, krekosen duke nënçmuar edhe BDI-në dhe votuesit e saj, edhe shqiptarët në përgjithësi. Nëse duhet votuar një kandidat të caktuar shqiptar, do e votojmë sepse ne ashtu vendosim, jo për shkak të trularjes nga ai që realisht është tjetri politik për ne. Tragjedia qëndron në atë se pasi krijuam tjetrin brenda nesh, pra përplasjet në vend të konkurrencës politike, tash po na afrohet dhe na futet në oborrin tonë  tjetri i vërtetë.

“Çairi është fotografi e Maqedonisë sonë multietnike” – tha guruja i ulët nga Murtino. Për njërin nga kandidatët shqiptarë të Çairit para pohoi se është më cilësori, madje shtoi: “Unë jam i bindur që do të fitojmë…” Kjo nuk i përngjan një kryeminsitri. Ai nuk ka të drejtë morale të bëhet tifoz politik. Me këtë ai e humbi kredibilitetin e më tepër se gjysmës së opsionit politik shqiptar.  “Si do të sillet Çairi, ashtu do të sillet edhe Maqedonia.” Në rregull, le të na e rregullojë punën me multietnicitetin në Aerodrom, Prilep, Mexhitli… e në shumë vende të tjera të Maqedonisë e më pastaj, le t’ia kthejë frymën multikulturale Çairit, që po boshastiset nga maqedonasit për shkak vetëfrikësimit nga opinioni maqedonas e jo për shkak të shqiptarëve. Me këtë kirurgji politike Zaevi bëri gabimin fatal, prodhoi një koncept të tendencë të re politike për rikolonizimin e bashkësisë shqiptare në Maqedoni. Si duket Zaev s’është i vetëdijshëm sa duhet se shqiptarët janë një popull që ka racion e vet politike, që ka nevojë për emancipim si gjithë ballkanasit, por ama nuk janë në fazën e fëmijërisë politike, kanë politiknët e vet, shkollarët e vet, kanë opinionin e vet publik dhe popullin që nuk është turmë që merr formës sipas tekave zaeviste. Në fund të fundit, shqiptarët e dinë se kemi qenë dhe jemi dy shoqëri njëra pranë tjetrës, jo një, kuptohet për shkaqe historike dhe kulturologjike.

Strategjia e fundit e Zaevit duke lënë në hije edhe liderin e integristëve, madje në “bastionin e BDI-së” flet për një ekspansionizëm politik, për ndryshim të kursit drejt partive politike me ngjyrime qytetare, që s’dihet se sa shoqëria jonë është e gatshme t’i akceptojë. Në fakt, kemi të bëjmë me një hegjemonizëm dhe imperializëm politik, për një mission politique, ose mission civilisatrice. Është një formë orientalizimit të internalizuar, siç do të shprehej Wendt Bracewell. Shpresat që ndërtuan shqiptarët për një prijës demokrat dhe më të drejtë, si duket po shkojnë huq. Na u shfaq lider që bëri një kthesë të gabuar  (wrong turn), duke mbyllur sytë para të vërtetës dhe duke rënë ndesh me vullnetin kolektiv të shqiptarëve. Në shekullin e XVIII, Marquis de Condorcet francezëve iu atribuoi një mision hyjnor për t’iu ndihmuar popujve (orientalë) që ata të civilizoheshin, të gjenin “vëllezërit” që do t’iu ndhimonin dhe të bëheshin miq dhe dishepuj të tyre. Shqiptarët nuk janë as afrikanë, as indianë, as Senegal, as Gambi, as Hutu e as aborigjenë që dikush t’iu ndihmojë ta bëjnë politikën.

Kujtojmë që ndërgjegja politike e kryesocialdemokratit duhet t’ua vë veshin fjalëve të qytetarëve, sepse linçon edhe veten edhe figurat shqiptare që i ka brenda, sepse dora shqiptare e solli, ajo mundet edhe ta shmangë nga throni politik. Shumë domethënëse është porosia e një qytetari shqiptar drejtuar atij: “I nderuar! Maskat e tua po bien… Mos u përziej në zemrat tona. Populli është varfëruar tejmase. Merru me ekonomi, dhe mirëqenie, e jo me bindje politike dhe propagandë!” Në fund: politika kërkon edhe asete dhe performanca etike jo vetëm interesa. Të shpresojmë që zaevizmi të zhvillohet si një kurs politik që do gjejë vend për të mirë në fjalorët politologjikë, e jo si një zë i shëmtisë politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button