ANALIZË: Si është mbledhur dhe si është harxhuar buxheti i komunës së Çairit?

Paqartësi deri në momentin e fundit dhe luftë për çdo votues në komunën e Çairit – komunë strategjike për shqiptarët etnikë, mirëpo në të njëjtën kohë edhe komunë e cila disponon me buxhet prej mbi 20 milionë eurosh, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Në Çair të Shkupit, për kryetar të komunës në rrethin e dytë zgjedhor forcat do t’i matin Visar Ganiu nga BDI-ja, me gjithsej 11.860 vota të fituara, që i jep atij përparësi prej 1.658 votash në krahasim me Zekirja Ibrahimin e Besës, i cili e fitoi besimin e 33,5 për qind të votuesve ose në konton e tij përfunduan 10.202 vota.

Komuna e Çairit, sipas të dhënave zyrtare vetëm në këtë vit zgjedhor ka planifikuar të ketë në dispozicion buxhet prej 22,2 milionë eurosh, me ç’rast një pjesë të parave e siguron nga transferet nga pushteti qendror. Kjo komunë bën pjesë në grupin e komunave që disponojnë me buxhet të madh – që e tejkalon vlerën prej 20 milionë eurosh, e të tilla nuk ka shumë në Maqedoni.

Shpenzimet nga buxheti – më së shumti para janë harxhuar për rroga…

Në gjysmëvjetorin e parë ekonomik, komuna e Çairit ka harxhuar 6 milionë e 966 mijë euro, para këto që janë derdhur në arkën komunale nga të gjitha burimet. Kështu, deri në fund të qershorit, nga Raporti për ekzekutimin e buxhetit të njësive të vetëqeverisjes lokale, shihet se komuna e Çairit në nivel vjetor, duke i përfshirë edhe donacionet, aktivitetet vetëfinancuese, dotacionet dhe kreditë, ka planifikuar buxhet të përgjithshëm prej 22 milionë e 277 mijë eurosh. Realizimi në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik ka qenë 31,2%.

Njëri nga zërat (linjat) buxhetorë ku ka realizim më të madh, gjegjësisht shpenzime më të mëdha se sa që janë planifikuar, janë shpenzimet për rrogat themelore. Në nivel vjetor është planifikuar të harxhohen 4 milionë euro, ndërsa në gjysmëvjetorin e parë janë harxhuar 2 milionë euro. Një nga zërat më të mëdhenj për nga vlera janë edhe shpenzimet e planifikuara për “punë të tjera ndërtimore” në vlerë prej 8,1 milionë eurosh. Deri në fund të qershorit janë harxhuar 2,5 milionë euro nga ky zë buxhetor, njofton Portalb.mk. Vetëm për riparime dhe mirëmbajtje, komuna e Çairit planifikon që këtë vit të shpenzojë 3,5 milionë euro, ndërsa deri në fund të qershorit janë harxhuar 217.388 еuro që paraqet rezultat minimal prej 6,9%.

Shpenzime më të rëndësishme në vlerë prej pothuajse 400.000 еurosh janë planifikuar për “blerjen e pajisjeve dhe të makinave”. Deri në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit 2017, për këtë qëllim janë shpenzuar rreth 24.000 euro që paraqet realizim prej vetëm 6%.

Për shpenzime të rrugës dhe për mëditje, komuna e Çairit ka në plan të harxhojë 51.089 еuro. Për gjashtë muaj, për këtë qëllim janë harxhuar pothuajse 9.000 еuro, që paraqet realizim prej 17,6% në krahasim me planin. Zëri i cili në krahasim me zërat e mëparshëm ka realizim më të madh është ai për “shërbime kontraktuese”, kështu komuna e Çairit për këtë qëllim planifikon të harxhojë 1,3 milionë euro, ndërsa deri në fund të qershorit janë harxhuar rreth 370.000 еuro.

Shpenzime që kanë nivel më të lartë të realizimit në krahasim me atë që është planifikuar janë edhe ato për “punësimet e përkohshme”. Kështu, kjo komunë e Shkupit për këtë qëllim, në nivel vjetor ka planifikuar të harxhojë 56.900 euro, ndërsa vetëm për gjashtë muaj janë harxhuar 37.451 еuro, që paraqet realizim prej madje 65,8%, shkruan Portalb.mk. Për pagesën e komunaljeve, ngrohjes dhe për transport, komuna ka planifikuar të harxhojë 1,2 milionë euro, ndërsa për gjashtë muaj janë harxhuar 40,5% e kësaj shume, apo pak më shumë se gjysmë milionë euro.

Të hyrat buxhetore – janë mbledhur 34,2% nga ajo që është planifikuar…

Në aspekt të të hyrave, në nivel vjetor, nga plani për të hyrat e përgjithshme, nga të gjitha burimet e mundshme, komuna e Çairit planifikon të mbledhë 22,2 milionë euro, ndërsa deri në fund të qershorit, realizimi ka qenë 7,6 milionë euro ose 34,2%, me çka komuna për gjashtë muaj, sipas këtyre të dhënave, nuk e ka mbledhur gjysmën e të hyrave të planifikuara. Pjesën më të madhe të mjeteve buxhetore, komuna planifikon t’i sigurojë nëpërmjet zërit “transfere nga nivelet e tjera të pushtetit”, prej ku këtë vit duhet të derdhen 10,4 milionë euro. Në fund të gjysmëvjetorit të parë, të ardhurat nga ky zë kanë qenë 6,2 milionë euro apo realizimi ka qenë 60%.

Nga shitja e tokës dhe investimet jomateriale, komuna e Çairit, planifikon të ardhura prej 5,2 milionë, ndërsa realizimi gjatë gjysmëvjetorit të parë ka qenë 475.845 еuro ose nëntë për qind. Nga tatimi në të ardhura, tatimi në fitim dhe fitimet kapitale, komuna në nivel vjetor ka projektuar të hyra në nivel prej pothuajse 600.000 еuro, ndërsa në gjysmëvjetorin e parë realizimi ka qenë 109.000 еuro ose rreth 18 për qind.

Përndryshe, pikërisht komuna e Çairit bën pjesë në grupin e komunave që kanë buxhete të mëdha, mbi 20 milionë euro, kështu që kjo komunë e Shkupit është në shoqëri me Kumanovën, e cila ka buxhet prej pothuajse 30 milionë eurosh, Manastirin me buxhet që sillet në rreth 25 milionë euro, ndërsa përafërsisht aq është edhe buxheti i komunës Qendër. Atë që e potencojnë ekonomistët sa i përket shpenzimeve në nivel lokal është përqindja e lartë e parave që përfundojnë për rroga dhe kompensime, njofton Portalb.mk.

Se sa atraktive është karrigia komunale në Çair flet edhe informata e Qendrës për komunikime qytetare, e cila e futi këtë komunë në grupin e komunave që harxhojnë shuma milionëshe nëpërmjet furnizimeve publike, dhe për këtë qëllim komuna e Çairit në vitin 2014 ka harxhuar 13 milionë euro. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button