Shkrimet e para për Tetovën më 1878 në gazetat britanike

Tetova, në periudhën osmane, sidomos pas Lidhjes së Prizrenit (1878), në punimet e së cilës kishte edhe përfaqësues të shquar tetovarë, si Hasan pashë Deralla, Sheh Mustafa Tetova e ndonjë tjetër, deri në shembjen e Perandorisë osmane, në vitin 1912, ka qenë në shënjestër të disa gazetave britanike, amerikane dhe australiane në gjuhën angleze.

Shkruan: Ismail Arsllani
Shkruan: Ismail Arsllani

Për 26 faksimile të nxjerra nga këto gazeta, të botuara nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, që flasin për Tetovën dhe ngjarjet historike në një periudhë të caktuar të pushtetit osman, që kapin vitet 1878 – 1912, të cilat i ka publikuar në portalin e tij “Fshehtësitë e Tetovës”, publicisti maqedonas nga Tetova, Darko Gavrovski, mund të jepet një vlerësim gjysmak dhe një pasqyrë e shtrembëruar për rrethanat historike, politike e shoqërore të asaj kohe në Tetovë e rrethinë, për shkak të prapavijave politike të autorëve të shkrimeve të asaj kohe apo të tendencave qëllimkëqija të qendrave të huaja dhe burimeve të caktuara të informimit vendor, në përzgjedhjen e informatave që kishin për qëllim njollosjen e shqiptarëve myslimanë dhe paraqitjen e tyre si popull dhunues, sidomos me sjelljen ndaj të krishterëve vendas.

Për herë të parë, Tetova (Kallkandelen) përmendet në një gazetë britanike, që në vitin 1878. Pikërisht më 25 mars të vitit 1878, në vigjilje të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, për herë të parë botohet një artikull gazetaresk që ka të bëjë me Tetovën, por me emërtimin osman, Kallkandelen. Artikulli është botuar në gazetën britanike The Guardian, në të cilin publikohet Marrëveshja e re e Shën Stefanit, ku vihet në pah se kufijtë e Bullgarisë duhet të shkojnë deri në Tetovë.

Një shkrim i gazetës Manchester Guardian ku përmendet Tetova

Dy vjet më vonë, më 25 shtator të vitit 1880, për herë të parë në një gazetë britanike përmendet Tetova me emërtimin e tashëm, në një artikull gazetaresk, ku flitet se 400 shqiptarë nga Tetova i janë bashkëngjitur kryengritjes kundër-osmane në Shkodër. Në vitin 1892, botohen edhe dy artikuj që flasin për një ngjarje, në të cilën një turk ka rrëmbyer në rrethinën e Tetovës disa femra të krishterë dhe i ka dërguar në Stamboll. Tre vjet para përfundimit të shekullit XIX, pikërisht në vitin 1897, disa gazeta në gjuhën angleze informojnë se ka ndodhur një ngjarje e shëmtuar, në të cilën është ushtruar dhunë ndaj të krishterëve nga ana e turqve dhe shqiptarëve.

Disa muaj para Kryengritjes së Ilindenit, të njohur me “Republikën e Krushevës”, ku kanë marrë pjesë edhe kryengritës shqiptarë kundër ushtrisë osmane, disa gazeta në gjuhën angleze, më 24 shkurt të vitit 1903, njoftojnë se kajmekami i Tetovës, Rasim Efendiu, është shkarkuar nga detyra e tij. Më 22 qershor të po këtij viti, gazetat britanike shkruajnë për vrasjen e një prifti në Tetovë nga ana e “komitëve”, për tradhti. Disa ditë më vonë, më 26 qershor 1903, gazetat në gjuhën angleze njoftojnë nga korrespondentët e vet në Stamboll se në Tetovë kanë shkuar për vizitë konsujt e Austrisë dhe Rusisë, prej nga raportohet se gjendja në këtë qytet është në kaos të vërtetë, në mungesë të një pushteti qendror.

Lajmi për vizitën e konsujve të Austrisë dhe Rusisë në Tetovë më 1903

Më 31 gusht të vitit 1903, pas shuarjes së Kryengritjes së Ilindenit nga ana e pushtetit osman, gazetat britanike informojnë se në këtë territor ka shumë lëvizje, ndërsa njëfarë udhëheqësi i pushtetit osman, Abdul Mexhit, është kërcënuar që banorët të jenë të përgatitur për eliminimin e “bullgarëve” nga qyteti i Tetovës, nëse vërehet vetëm një shenjë e ekzistimit të ndonjë bande revolucionare.

Më 1 shtator të vitit 1903, një muaj pas Kryengritjes së Ilindenit, për herë të parë botohet edhe një artikull për Tetovën, në gazetën The Sydney Morning Herald të Australisë, në të cilën thuhet se “fanatikë nga Tetova dhe Gostivari i ftojnë myslimanët në një luftë të shenjtë kundër të krishterëve”. Më 18 nëntor të vitit 1907, në një artikull pak më të gjatë thuhet se shqiptarët po i plaçkitin të krishterët, duke theksuar se një dukuri e tillë wshtw e pranishme sidomos në vitet e fundit në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit.

Në vitin 1910 botohen edhe artikuj të tjerë për Tetovën, si në The Times (Britani e Madhe) etj., në të cilat theksohet se në këtë qytet është qetësuar situata pas pakënaqësive të shqiptarëve ndaj pushtetit osman, që është një nga artikujt e fundit në gjuhën angleze për Tetovën e kohës së pushtetit osman, që përfundon në vitin 1912.

LEXO: Për Kasaphanën dhe lisin e Tafës në Tetovën e vjetër

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button