SHKRIMTARI DHE POLITIKA

Historia e njerëzimit thotë se politika ka dashur t’i ketë përherë pranë vetes njerëzit e kulturës dhe të artit, veçmas shkrimtarët e mirë, që konsiderohen ndërgjegja e një shoqërie.

Natyrisht, politika e ka bërë këtë për punë imazhi, sepse ajo i ka shfrytëzuar shkrimtarët, sa here që ka pasur mundësi, si dekor ideologjie, si maskë të mbrapshtive burokratike.

Pushtetet dhe pushtetarët e ligë, despotë e tiranë kanë ditur të jenë dhe shumë mizorë ndaj shkrimtarëve të padëgjueshëm, ndaj prometejëve që nuk kanë zbatuar kërkesat e padronëve. Të tillët shpesh i kanë likuiduar si kriminelë apo si tradhëtarë…

*

Janë të shumtë edhe shkrimtarët shqiptarë që kanë luajtur role të rëndësishme në politikë, që nga koha e Rilindjes. Pashko Vasa, bie fjala, u emërua guvernator i Libanit, Naim Frashëri qe përgjegjës i botimeve në Stamboll…, por kjo nuk i pengoi të punojnë për Shqipërinë. I pari shkruajti memorandume në frëngjisht e italisht për domosdoshmërinë e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesi shekullor. Atëbotë, ai shkroi dhe poemën: “O moj Shqipni e mjera Shqipni”, që u bë një lloj himni shqiptar, mbase aktual edhe në kohën tonë. Naimi, ndërkaq, me poezitë antologjike u shkri si qiri për Atdheun. Ai shkruajti dhe“Historinë e Skënderbeut”, nëpërmjet të cilës u bë ideologu shpirtëror i levizjes kombëtare…

Në periudhën pasosmane, gjer në luftën antifashiste, ka pasur shumë shkrimtarë të kyçur drejtëpoërsëdrejti apo në ndonjëfarë mënyre në politikë, si: Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Gjergj Fishta, Ali Asllani…

Prej tyre po i veçoj këtu dy shkrimtarët më eruditë të fundiot të sh. XIX dhe të gjysmës së parë të sh. XX: Faik Konicën dhe Fan Nolin, që u përpoqën ta ndryshojnë imazhin e Shqipërisë së kohës së tyre dhe lëvruan vetëdijshëm shkëmbin, duke dashur ta ndërgjegjësojnë shqiptarin dhe të vënë themelet e një shoqërie të qytetëruar evropiane.

Faik Konica qe ambasador shqiptar në SHBA, kurse Fan Noli kryeministër i vendit, përgjatë një periudheje të shkurtër. Konica qe ndër të parit shkrimtar që anashkaloi kolonitë rilindase (në Sofje, Bukuresht, Stamboll, Kajro…) dhe u vendos në zemër të Evropës (Paris, Bruksel, Londër…) – aty ku vizatoheshin kufijtë e vendeve të vogla ballkanike. Kudo që u gjend, Ai u përpoq të imponojë një fotografi tjetër për Shqipërinë dhe për shqiptarët, u përpoq të korrektojë të shkuarën, ta kompensojë kohën e humbur nën djerrinën otomane. Këtë e bëri nëpërmjet veprave letrare, ligjëratave dhe intervistave në mediet e botës.

Fan Noli sfidoi edhe me mënyra violente pushtetin zogist që shiste territoret e atdheut dhe vriste bijtë e tij të zgjedhur, liberatorët si Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri. Falë punës së këtij titani u fitua autoqefaliteti i kishës ortodokse shqiptare dhe u dobësua megaliidheja grekomane.

Në përpjekje për të ndihmuar e për të zgjidhur çështjen shqiptare, Konica dhe Noli flijuan edhe krijimin e familjeve dhe karierave profesionale. Kjo, sepse, që të dy kanë pasur oferta të hapura që të braktisin politikën dhe t’i përkushtohen letërsisë.

Se çfarë roli mund të luajë shkrimtari, madje edhe në regjime të këqia, flet më së miri Ernest Koliqi, i cili u gjend në krye të Ministrisë së arsimit të Shqipërisë gjatë kohës së okupimit fashist Italian dhe nga kjo pozitë dërgoi në Kosovë e Maqedoni mësuesit më të mirë shqiptarë për të ndezur dritën e diturisë dhe të përparimit në viset e nëpërkëmbura nga barbaritë slave.

Shembuj të ngjashëm gjejmë edhe në Shqipërinë e kohës së monizmit, ku Dritëro Agolli, që për gati 2 dekada drejtoi Lidhjen e shkrimtarëve, gjeti shtegun dhe shkroi më 1972-ën njërin prej romaneve më antidiktaturë të botës komuniste “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”

*

Në dallim prej Shqipërisë dhe Kosovës, në skenën aktuale politike të Maqedonisë, po flas për shqiptarët, nuk shoh të inkuadruar shkrimtarë, të paktën jo në përqindjen me të cilën i gjejmë gjetiu.

S’e kuptoj përse është kështu dhe nuk besoj se kjo mund të lidhet me mungesën e shkrimtarëve, por një shkas sigurisht ekziston. Siç dihet, shkrimtarët e mirë janë pak të rëndë për të zbatuar urdhëra politike. Në mjedise të vogla, ku secili njeh secilin dhe ku politikbërja është e luhatshme dhe utilitare, ata nuk pranojnë të përballen me përgjegjësi kolektive, sepse kanë të tjera ideale. Idealet e tyre estetike janë në luftë të përhershme me idealet ideologjike.

Mbase ka dhe arsye të tjera përse ata i shmangen politikës, ose përse politika i shmang ata, por e vërteta është se kjo shmangie është e kushtueshme për shoqërinë shqiptare.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Historia perseritet dhe eshte mire qe njerezve, te mos them intelektualeve, u prodhon mendja dicka konkrete te ktirikojne anet e dobeta te pjestareve te kremit te inteligjences kombetare. Por ku ti gjejme keto personalitete sot? Kjo eshte pyetja! Shpeshhere duke shkruar per famen dhe punet e medha qe paten bere ata, harrojme qe shpalosim elemente te shemtuara te natyres tone te mshefte dhe zuzare.
    Sidoqofte, eshte mire, sepse nga ana tjeter, sensi me i thelle i vetedijes tone, ende po funksionon, ndersa brenga e vazhdueshme per te jetuar me ndjenjen e te qenurit i ndershem dhe i paster, thelle ne shpirtin tone, leshon klithmat e te bemave te mshefta e misterioze, qe vetem egoja jone i njeh dhe i mban te mbyllura nen dry.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button