Të gjithë e duan BDI-në

“Është hera e 11-të radhazi që po fitojmë”, tha Fatmir Besimi në mbrëmjen e 15 tetorit, i entuziazmuar me rezultatin e arritur në po të njëjtën ditë. Ka të drejtë edhe kur thotë se po fitojmë për herë të 11-të radhazi, por ka edhe të drejtë të jetë i entuziazmuar. BDI e tije po fiton e po fiton pa fund. Disave nga ne mund të mos i pëlqejë kjo por askush nuk na ka faj. Pasi që BDI po fiton, atëherë i bie që ne të tjerët ose jemi të paktë në numër ose nuk po arrijmë të takohemi me njëri tjetrin dhe si rrjedhojë këta të tjerët që po i mbështesin politikat dhe vizionin e BDI-së po tregohen më të shkathët në këtë aspekt.
Me siguri iu intereson se kush na qenkan këta të shkathtit që po e mbajnë në këmbë një pushtet të tërë, si duken të njëjtët, me çka merren të njëjtët, prej cilave klasa shoqërore dhe intelektuale po na vijnë, etj. Un do përgjigjesha se këta janë gjithandej, dhe janë aty gjatë gjithë kohës.

DOKTOR PROFESORËT
Këta janë klasa e respektuar e personave që mbështesin BDI-në. Të njëjtët për shkak të angazhimeve partiake “duke i ndihmuar popullit” nuk po gjejnë kohë të merren ndonjë herë me veprimtari shkencore. Këta doktor profesorë punimin e fundit kërkimorë e kanë temën e doktoraturës, të cilën me gjasë ua shkruan “njëri i Shkupit” i cili si këmbim po ua merr një shpërblim simbolik prej 5.000 eurosh.
Duke qenë se të njëjtët ligjërojnë në universitetin e Tetovës (i cili universitet veç të tjerash rangohet si një ndër 10.000 universitetet më prestigjioze në botë) këta u ndihmojnë të tjerëve deri në vetëmohim. Këta heqin të zinjtë e ullirit duke i bindur kolegët profesorë tia japë një 6-she të krimbur nipit të vet. Këta i diplomojnë nipat, dhe më pas i punësojnë nipat, dhe më pas i disiplinojnë politikisht nipat. Me një fjalë aktiviteti i tyre është për tu respektuar, këta nxjerrin kuadro…partiake mendoj.
Mos e merr mbi vete këtë shkrim, profesor i lagjes sime, ti ani pse je në BDI, ti je aty për tu ndihmuar “proceseve reformuese”.

DJEMT E MIRË TË FUNKSIONARËVE
Këta njihen përgjithësisht nga rrethi si djem të mirë. Këta i karakterizon sjellja e mirë, këta të përshëndesin kur të shohin në rrugë. Me një fjalë këta janë shembull për të tjerët se si duhet një i ri të sillet. Këta janë simpatikë, të këndshëm dhe është kënaqsi të kalosh kohë me të njëjtët.
Këta jetojnë në një univers paralel, shkollohen në kolegj, shërohen në Sistina apo të ngjajshme, vijojnë fakultetin në universitet privat, i kalojnë pushimet dimërore në Bansko, si dhe pushimet verore në Ibiza, por sigurisht se edhe këta kanë hallet e veta. Edhe për ta jeta ndonjë herë tregohet e padrejtë. Për shembull, njëri ka më shumë se 2 vite që ecën me të njëjtin golf 6 të bardhë. Çka është e pa drejtë është e pa drejtë dhe duhet të thuhet, ashtu siç ua përmendim lukset duhet të ua përmendim edhe vështirësitë me të cilat përballen. Vetëm këta djem të mirë e dijnë se çfar ndjenje poshtëruese është të vërdallosesh me të njëjtin golf 6 të bardhë për 2 vite resht, apo të mbajnë në dorë të njëjtin Iphone 7 në duar për 6 muaj rresht kur të gjithë e dijmë se tashmë ka dal Iphone 8 dhe Iphone X.
Ti lëmë të qetë këta djem në hallet e tyre dhe ti kthehemi çështjes sonë. Këta e mbrojnë BDI-në për arsyen e thjeshtë: baballarët e tyre kanë të ardhura shumë të mira për shkak se janë pjesë e pushtetit dhe rrjedhimisht djemtë e baballarëve jetojnë mirë, pra është shumë thjeshtë e spjegueshme arsyeja se pse këta e mbrojnë BDI-në.
E veçanta qëndron në faktin se në çfarë forme këta e mbështesin BDI-në. Këta e mbështesin partinë në mënyrë të qytetëruar. Herë-herë e godasin me ndonjë kritikë në formë shakaje, elaborojnë se si disa persona të papërgjegjshëm brenda partisë po bëjnë gjëra që sduhet ti bëjnë dhe se baballarët e tyre janë mbrojtësit e të mirës dhe së drejtës në strukturat partiake. Ali Ahmeti është i mirë thonë këta, ata rreth tije nuk janë si duhet.
Mos u prekni miqt e mi: Ali, Fisnik, Shpëtim, nëse rastësisht e gjeni veten në këtë shkrim d.m.th se është thjeshtë koeçidencë, ju assesi nuk jeni si këta lartë,…..jeni ende më të këqinj se kaq.

DJEMT E KËQIJ
Këta vrapojnë nëpër shkallët e shtabit qëndrorë të partisë në Reçicë të Vogël gjatë gjithë kohës së kampanjës. Besojnë fuqishëm se për të arritur te suksesi, nuk duhet domosdoshmërisht të punosh fortë, nuk duhet domosdoshmërisht të mësosh e studiosh deri sa të të dalin sytë prej vendi, këtë të fundit, “këta” e konsiderojnë budallallëk. Sipas këtyre, ka mënyra shumë më të mençura për të arritur tek suksesi, siç është për shembull lëpirja e këpucëve të funksionarëve. Moralin dhe dinjitetin këta i llogarisin si tabu të cilët duhen thyer, pra morali dhe dinjiteti nuk duhet të ekzistojnë. Individët duhet të garojnë se kush lëpinë më shumë këpucë, kush ia mban më mirë çantën liderit dhe personave rreth tije etj. Këta e kanë një doktrinë të veten, edhe pse nuk janë të vetëdijshëm se kjo qasje e tyre përbën doktrinë… fatkeqësisht doktrinë që të dërgon në diktaturë.
Më rastisi që mbrëmjen e 15 tetorit, fill pas zgjedhjeve, të jem i akredituar si reporter në shtabin e BDI-së në Reçicë të Vogël. I pash ish-kolegët me të cilët ishim bashkë në vitin e parë në fakultetin e drejtësisë. Në fillim të vitit të dytë në fakultet (2013-2014) këta protestonin para rektoratit të UEJL-së për shkak se nuk kishin arritur të kalonin në vitin e dytë. Aso kohe po mundoheshin të organizojnë edhe një konferencë për shtyp për të informuar për atë ngjarje. Kishin dëgjuar se në “Shtul” nuk “ngelet”, dhe këta e kishin kuptuar këtë në formë norme. Protestonin sepse besonin se “Shtuli” nuk ka të drejtë ti ngel, ani pse këta nuk e kishin kaluar pragun minimal të 36 kredive nga gjithsej 60 sosh sa ka viti i parë. Të njëjtët në mbrëmjen e 15 tetorit vraponin rreth Ali Ahmetit dhe gardës së “ministrave”, krenarë që gjenden në një rreth aq elitarë dhe shumë të gatshëm për të marrë përgjegjësi të mëdha nëse e kërkon nevoja. Këta për momentin shërbejnë si një kor i çakorduar dhe bërtasin BDI,BDI ose UÇK,UÇK (nvaret prej nevojës) por për “interes të përgjithshëm”, për të mirën e popullit janë në gjendje të bëjnë edhe më shumë, janë në gjendje edhe të sakrifikohen dhe të shërbejnë si ministra nëse e kërkon nevoja. Më falni që i quajta djem të këqij, në elaborim e sipër, të njëjtët më rezultuan djem shumë të mirë.
Ju e dini kush jeni por autori i këtij shkrimi nuk guxon tua përmend emrat Omerit &Co……për arsye objektive.

GRATË DHE PLAKAT E LAGJES TË CILAT NUK JANË TË VETËDIJSHME SE CILA ËSHTË VLERA E VOTËS

Këta janë kategoria më e pafajshme. Për mendimin tim kjo kategori nuk ka asnjë gram përgjegjësi për pasojat që i prodhon vota që kjo kategori e jep. Këta vjen dhe i merr dikush me veturë dhe i dërgon deri tek vendvotimi, u japin instruksione se kë duhet ta votojnë dhe këta shkojnë dhe votojnë. Fakti që kjo kategori e votuesve është në një numër të madh nuk i bën të njëjtët fajtorë. Për këtë kategori votuesish kam respekt maksimal, dhe nuk do ti marrë “nëpër gojë” as edhe një rresht më shumë.
Duke qenë se më lartë këtë kategori të mbështetësve i shpalla të pafajshëm, po i amnistoi nga edhe nga përmendja e emrave,… fundja këta nuk kanë emra. Në Xhepçisht prej nga vijë un (autori i këtij shkrimi), gruaja kur martohet, përveç mbiemrit të vajzërisë, e hudh edhe emrin e vajzërisë dhe emërohet sipas emrit të të shoqit, duke ia shtuar prapashtesën “IC” në të pashquarën, ndërsa në të shquarën “ICA”.

PASTRUESIT E TUALETEVE NË NDËRMARJET PUBLIKE SI DHE ESHALONI I 500-TË I ADMINISTRATAVE KOMUNALE
Persona pa asnjë kualifikim akademik, pa asnjë talent nga natyra, pa asnjë zanat, por të punësuar si: pastrues, postier etj. Këta ani pse kanë rrogë 8.500 denarë, prap se prap ju duket vetja pronarë të shtetit. Janë të kënaqur që kanë një rrogë të sigurt, kanë një sigurim shëndetësore dhe pensional dhe kaq mjafton që këta ti nxjerrësh në aksion ditën e zgjedhjeve. Këta ja lypin votën gjithkujt që e shohin në rrugë ditën e zgjedhjeve.
Këta gjatë kampanjës varin edhe flamuj, mirëpo këto dy-tre ciklet e fundit zgjedhore në këtë aspekt dukshëm ju ka rënë puna. Bilboardet dhe reklamimet profesionale, të njëjtët i kanë nxjerrë si tepricë teknologjike. Profesionit të tyre si varës të flamujve po i vjen fundi, dhe së bashku me këtë edhe karrierës së tyre “politike”(nëse mund që karrierën e tyre ta quajm karrierë politike).
Ifraim, a të kujtohet kur ia lype votën mikut tim Raifit?,..dialogu ishte ekzaktësisht kështu “Raif, a do dalish të votojsh,… dhe ai ta ktheu: do dal të votoj por juve votën sua jap,… dhe ti ja ktheve: epra keq, shumë keq…”. Ti bën pjesë te kjo kategori e njerëzve, i plotëson të gjitha kushtet për të qenë pjesë e kësaj kategorie.

TË PUNËSUARIT NË SHTËPI (CELULA E FJETUR E ADMINISTRATËS SHTETËRORE)
Në një përshkrim të Veton Suroit për ngjarjet e vitit 2001 në Maqedoni, në librin e tije “Libri i Fluturave”, autori mes të tjerash shkruan “Gjatë kohës kur konflikti në Maqedoni ishte në pikën e vet më të zjarrtë dhe ndërkombëtarët bënin presion mbi Ali Ahmetin, ai(Aliu) herë pas here kërcënohej se kishte nën urdhërat e tije celula të fjetura nëpër gjithë territorin e Maqedonisë dhe ishte në gjendje ti aktivizonte në çdo kohë”. 16 vite pas konfliktit të 2001-shit, Aliu kush e di sa i kërcënon të tjerët se i ka celulat e fjetura të cilët i ka rahatuar në administratë shtetërore dhe i ka në gjendje gatitu për të dalë dhe për ta mbështetur partinë e tije me votë.
Këta celula të fjetura të cilët marrin kush 13.000 denarë e kush 24.000 denarë duke mos e ditur as ku e kanë vendin e punës, po tregojnë se janë në gjendje ta mbajnë në këmbë BDI-në për një kohë të gjatë. Edhe sa do të vazhdojë kjo?,… nuk mund ta dijmë me siguri por mund të themi se nuk do të shkojë shumë gjatë, për të mos thënë se kësaj i ka ardhur fundi.
Profesor doktorët, djemtë e mirë, djemtë e këqinj , plakat dhe gratë e lagjes që dalin e votojnë rregullisht sepse vjen dikush dhe i merr me veturë dhe të punësuarit në shtëpi, në mënyrë perfektë operojnë së bashku dhe e mbajnë në këmbë një parti siç është BDI-ja. Ndërsa nga ana tjetër ne pjesa tjetër që filozofojmë gjithë ditën, deri tash spo arrijmë ta prishim këtë koordinim të tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Bukur, shume bukur! Eshte nje fotogrtafi e detajuar e mizerjse ne te cilen ndodhemi me shume se nje dekade. Por fatkeqesisht, qe nuk gixojme te jemi te lire e te permendim emra dhe kapot e mafias se korruptuar te cileve nuk u mungon gje, dhe nuk fryhen me asgje. Jane ketop kategoria e atyre qe hane fatin e te ndershmeve, posacerisht kjo ka me shume te beje me djemte e mire te pol;iticareve te korruptuar qe grahin golfave the bardhe dhe i phonave 7 8 qe jane vjetruar, dersia keto po behen profesore me te rinje se Ajnshatajni, dhe hypin ne pozicione duke i degraduar profesoret e tyre, prindet e tyre politicare, vazhdojne te vjedhin edhe me tej. Majde edhe shoferet e tyre jane bere villa dhe shtepi luksoze. Asgje nuk mundmei te bejme ne te anes se ndershme, fatkeqesisht, jemi te persekutuar dhe smundemi as mendimin konkret ta shprehim. Por sadopak, me shkrimet e ketilla, relaksohemi dhe bejme pak humor. Komunizmi ishte shume me mire, diheshte kush ishitn dhente e kush dhijte, por tash? si ti definojme keta. Urime edhe nje here. dhe sukeses

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button