Çavusoglu: Kurz është islamofob dhe ksenofob, gjëra që janë shqetësuese

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se mes retorikës së kreut të Partisë Popullore (OVP) Sebastian Kurz, i cili është fitues i zgjedhjeve parlamentare në Austri dhe djathtistëve radikal nuk ka kurrfarë dallimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të TRT World Forum që mbahet në Stamboll, është mbajtur një panel i veçantë me titull “Të gjithë jemi në të njëjtën anije: Bashkëpunimi rajonal për zgjidhjen e krizës humanitare”.

Çavuşoğlu në fillimin e fjalimit të tij theksoi se mbarë bota sot përballet me vështirësi. Siç tha, me probleme nuk përballet vetëm shoqëria evropiane, por probleme të ngjashme janë të pranishme edhe në rajonet tjera të botës.

Ai u përqendrua edhe në problemin gjithnjë e më të pranishëm të islamofobisë, jotolerancës, apo antisemitizmit në Evropë.

“Kush do të ndryshojë këtë trend? Politikanët? Cilët politikanë? Mos vallë prisni diçka nga partitë radikale? Prisni diçka nga partia e qendrës, nga Sebastian Kurz? Partia e tij gjoja është partia e qendrës së djathtë, por nëse e shikoni se çfarë retorike ka pasur gjatë fushatës, mund të vëreni se mes retorikës së partisë radikale dhe Sebastian Kurz nuk ka kurrfarë dallimi. Islamofob, ksenofob dhe kundër migrantëve. Këto gjëra janë shqetësuese”, porositi Çavuşoğlu.

Shefi i diplomacisë turke akuzoi mediat në Evropë se kanë rol negative në shoqëri dhe në kontekstin e përhapjes së retorikës së radikalizmit, ata u bënë më të rrezikshëm se politikanët dhe partitë.

Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Turqisë në kujdesin e refugjatëve nga Siria, Iraku dhe vendet tjera të luftës, dhe akuzoi komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimin Evropian, se nuk ofroi mbështetje të mjaftueshme dhe nuk mori pjesë në shpërndarjen e barrës së zgjidhjes së krizës së refugjatëve, e cila është një problem global.

“Turqia bën shumë përpjekje në procesin e integrimit të refugjatëve sirianë, por akoma shumë punë është para neve. Politika e integrimit në Bashkimin Evropian është e pasuksesshme. Këtë patjetër ta pranojmë”, tha Çavuşoğlu.

Duke theksuar për domosdoshmërinë e luftës kundër të gjitha organizatave terroriste në botë, Çavuşoğlu tha se është e papranueshme që SHBA-të dhe disa aleatë evropianë mbështesin YPG-në, e cila është degë siriane e organizatës terroriste PKK. Ai rikujtoi se për shkak të krimeve të terroristëve të YPG-së, nga Siria në Turqi janë arratisur 300 mijë kurdë, ndërsa në Evropë 100 mijë.

Duke rikujtuar se zyrtarët e Perëndimit ashpër kritikuan Turqinë pasi para do kohe me Serbinë dakorduan hapjen e zyrës së përbashkët tregtare në Stamboll, Çavuşoğlu tha se fuqitë e Perëndimit e perceptojnë Ballkanin Perëndimor si një poligon të luftës konkurruese me Turqinë.

“Qëllimi ynë në këtë rajon është vendosja e stabilitetit. Ne jemi anëtare të NATO-s dhe pse neve na konsiderojnë si konkurrues”, tha Çavuşoğlu dhe paralajmëroi se Perëndimi gabimin e ngjashëm e bëri në Ukrainë, e cila e konsideron një vend për të konkurruar me Rusinë.

Çavuşoğlu porositi se Turqia gjithmonë ka qenë pjesë e Evropës dhe se ndyshe nuk mund të jetë, pa marrë parasysh nëse këtë e dëshiron ose jo.

“Turqia ka bashkëpunim tregtar dhe ndan shumë vlera me Evropën. Bashkimi Evropian është e vetmja organizatë që nuk jemi anëtare”, tha Çavuşoğlu dhe shtoi se Turqia nuk sheh vetëm në drejtim të Evropës, porse është e drejtuar edhe në botën islame, me të cilën po ashtu duhet unitet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button