Haraçinasit thonë mbeti që të na qajë Zaevi, pasi nuk na qau Ali Ahmeti

Pse gjithë ky dëshpërim i haraçinasve nga subjektet shqiptare?! Pse pikërisht Haraçina e rezistencës kombëtare, e cila nuk hezitoi ti bashkëngjitët as luftës së vitit 2001, tani nuk bëri fare rezistencë për tu dorëzuar në duart e LSDM-së! Këtë pyetje ua kam parashtruar edhe banorëve të Haraçinës. E përgjigja ishte e dhimbshme, e madje trishtuese. Çfarë duhet tu japim më shumë partive shqiptare, mu përgjigjën shumica me të cilët bisedoja? Që nga vitet e 90-ta ua dhamë votën, e në vitin 2001 edhe fëmijët dhe pasurinë dhe çka? Ata nga njerëz që nuk kishin as bukë për të ngopur barkun, tani u shndërruan në njerëz me pasuri milionëshe.

Ndërsa ne, një komunë me mbi 15 mijë banor, në pikën e zhegut nuk kemi as ujë për të pirë. Te kanali i Haraçinës nuk mbeti lider, e ministër shqiptar pa u fotografuar, por përsëri ai mbeti i hapur. Ata fotografohen e ikin, ndërsa ne na mbetet ta thithim erën e keqe. Mos të flasim për mungesën e kushteve në shkollat fillore, apo premtimet e rrejshme për shkollë të mesme, e ambulance 24 orëshe. Ai ishte ky ideali i dëshmorëve të UÇK-së?- vazhdova unë me pyetje.

Por edhe ata mu përgjigjën me pyetje. A ishte ideali i dëshmorëve, që në pushtet të vijnë analfabetët dhe të bëhen milioner? A ishte ideali i dëshmorëve, që Haraçina dhe Likova të mbeten si në mesjetë? A ishte ideali i dëshmorëve që të vazhdojnë rastet e montuara ndaj shqiptarëve, si “Monstra” e “Kumanova” e politikanët shqiptar të vazhdojnë të ruajnë kolltukun?

E më interesantja mu duk përgjigjja e njërit nga banorët: “dikur të moshuarit në Karadak thoshin, mos mbetsh me të qajtë Stambolli, e tani fatkeqësisht Haraçina mbeti që ta qajë Strumica. Mbetet që të na qajë  Zoran Zaev, pasi nuk na qau Ali Ahmeti, e as liderët tjerë shqiptar” thonë haraçinasit. Sidoqoftë, për pak ditë fillon epoka e LSDM-së në Haraçinë. Por, a do ti mbajë premtimet kryeministri Zaev dhënë haraçinasve? A do të arrijnë në Haraçinë shumat milionëshe, të cilat u premtuan në fushatë, apo sërish haraçinasit do të mbeten të dëshpëruar? Kjo do të konfirmohet së shpejti, që në propozim-buxhetin  e qeverisë për vitin 2018, kur do të shihet se sa para do të ndahen për projekte në Haraçinë. Ndërsa rasti Haraçina dhe rezultatet tjera në zgjedhjet lokale, partive shqiptare duhet tu shërbejnë si shkas për reformim të brendshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button