Femrat në politikë

Që të përparojë një femër në politikë, nuk nevojitet vetëm gatishmëri fizike, guxim dhe përkrahje nga bashkëshorti, familja ose një subjekt i caktuar politik, por realisht nevojitet përgatitje intelektuale, aftësi menaxhuese, njohuri nga sfera politike, përvojë konkrete paraprake në shërbim të shoqërisë dhe ngritje shpirtërore. Në këtë kontekst, më lejoni ta zbërthej thelbin e këtyre kritereve që përmenda më lartë, të cilat nëse përmbushen nga një femër që synon politikën, ajo do të arrijë të jetë një konkurrente e denjë përballë meshkujve, të cilët në të shumtën e rasteve këtë çështje nuk e trajtojnë seriozisht.

Në vazhdim, po të përqendrohemi në kriterin e parë, mund të themi që, një femre, përpara se të ,,aterojë” në një subjekt të caktuar politik, fillimisht duhet të sigurohet që njeh profesionin të cilin e ushtron në jetën e përditshme. Ne të gjithë e dimë se kemi femra që synojnë të na përfaqësojnë në skenën politike, ndërsa në jetën e përditshme nuk janë në gjendje ta ushtrojnë punën e tyre me profesionalizëm të duhur. Niveli i dobët i këtyre femrave i ka çuar deri në katandisje dhe çorientim gjeneratat e reja, të cilëve iu është lënë mangët arsimimi i duhur, ndërsa niveli i komunikimit u është kufizuar brenda botës virtuale, me premisa të dukshme sipërfaqësore dhe banale. Kur këto femra nuk janë në gjendje ta ushtrojnë siç duhet profesionin me të cilin identifikohen, pse mendoni se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe ato do të munden të përkujdesen për një popull të tërë?! Nëse ajo nuk është përpjekur të përvetësojë fisnikërisht profesionin e përzgjedhur, atëherë nuk është e besueshme se po e njëjta do të jetë në gjendje të përkujdeset për nevojat, kërkesat dhe problemet e qytetarëve.

Sidoqoftë, për sa i përket aftësive menaxhuese dhe përvojës paraprake të femrave në shërbim të shoqërisë, do të kisha thënë: ç’janë këto femra në politikë, që në të kaluarën e tyre, nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet të vetëm në shërbim të popullit! Në bazë të çfarë kritereve përzgjidhen këto femra dhe çfarë meritash kanë që të kategorizohen si të denja për të na përfaqësuar? Përpara se një gruaje t’i jepet hapësirë që të pushtoj skenën politike, nuk do të  ishte keq të pyetet se çfarë ke bërë ajo në shërbim të shoqërisë? A ke realizuar ndonjë punë konkrete vullnetare, përmes organizatave joqeveritare, ose a ka përgatitur dhe zbatuar ndonjë projekt në terren, me qëllim të emancipimit dhe avancimin e femrës në arsim, kulturë, politikë dhe ekonomi; vetëdijesimin dhe shërbimin shëndetësor të popullatës; promovimin e vlerave shoqërore dhe kombëtare, qoftë edhe shpërndarjen e ndihmave humanitare? Nëse po, sa gra nga vendet rurale dhe malore i keni integruar direkt në projektet tuaja dhe çfare rezultati keni arritur? A keni bërë vërtet ndryshim në jetën e këtyre femrave të pafat, të cilat kanë lindur dhe jetojnë në rrethana dhe kushte jo të favorshme? Pra, duhet t’ia parashtroni vetes këto pyetje, përpara se të synoni majat në skenën politike, sepse qytetarët nuk mund të mbështeten te një femër pa përvojë dhe aftësi menaxhuese në shërbim të popullit dhe të mendojnë se një e tillë ka gjasa ta përmirësojë cilësinë e jetesës.

Po ta diskutojmë kriterin e tretë, do të vërejmë që femra shqiptare historikisht, duke qenë e ngujuar brenda roleve tradicionale, shumë pak ose sipërfaqësisht e njeh botën e ashpër politike, më konkretisht, proceset politike, teoritë, strategjitë dhe analizat politike si në nivel vendor, ashtu edhe botëror. Një grua me njohuri dhe aftësi të pjesshme nga politika rajonale dhe njohuri jo të thella nga politikat botërore, rrjedhimisht nuk do të merret seriozisht nga bota mashkullore. Ndryshe thënë, në politikën tonë, e cila pjesërisht është e përbërë nga meshkuj me nuanca të thella patriarkale dhe paragjykuese, një politikane e realizuar plotësisht do të ndjehej në siklet, e ku mbeti një politikane e paformuar, e cila pa hezitim do të merret si figurë ose përqindje në skenën politike.

Kriteri i fundit, që ka të bëjë me ngritjen shpirtërore, nënkupton gatishmërinë për t’u përballur me sfidat e oponentëve politikë që operojnë herë hapur dhe herë nën hije. Në politikë, pavarësisht sesa e ndershme ose jo e ndershme je, nëse politikat e tua qytetare shkojnë në kundërshtim me ato të oponentëve, ty do të shndërrojnë në një objekt, dhe më pas, do të tmerrojnë me shpifje, ofendime, tallje, etiketime, nëpërkëmbje dhe nënvlerësime, deri sa të thyhesh përbrenda dhe të dorëzohesh përpara këtij presioni djallëzor. Andaj, nëse kauza jote kombëtare dhe politike është vërtet dhe sinqerisht në shërbim të qytetarëve, atëherë duhet me gjakftohtësi t’u përgjigjesh këtyre sfidave jo-korrekte. Por, nëse misioni yt politik rrotullohet rreth boshtit individual dhe familjar, atëherë sfidat e kësaj natyre nuk besoj që përbëjnë problem dhe presion për ty.

Për në fund, një femër në politikë duhet të ketë një bagazh projektesh pas vetes, aftësi të dëshmuara, merita të verifikuara, ndërgjegje të pastër, përgjegjësi për të treguar transparencë dhe pasion të natyrshëm për t’u shërbyer qytetarëve dhe popullit. Në parim, unë jam për barazinë njerëzore, edhe atë, jo në kontekst fizik, dëshiror dhe gjinor, por në kontekst meritor, sepse në botën mashkullore vetëm përmes meritës dhe punës mund të depërtoni dhe bëni ndryshimin, përndryshe do të llogariteni si një figurë sa për tallje dhe humbje kohe, ashtu siç jeni konsideruar historikisht. Pra, femra për t’u pozicionuar në sferën dhe nivelet politike dhe për ta përballuar luftën në nivel të pushtetit, duhet patjetër t’i përmbush kriteret e lartpërmendura, sepse ndryshe, do të përmbush veç përqindjen e shumëdiskutuar dhe kërkuar, më tepër si formalitet, nga institucionet ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Pikepamje e bukur mbi femrat provinciale ne politike. Ne te vertete, femra duhet pasur shume kualitete per te arritur ne politikberje te suksesshme, nga e cila mund te perfitoje rrethi ku ajo jeton. Femra nuk duhet shikuar si figure dhe si perqindje, por si mendje dhe cilesi intelektuale, atehere dhe vetem atehere ajo mund te arrije ku ka nevoje dhe te kontribuoje per popull. Autorja e shkrimit, bukur artukulon mendimet e saja, por harron te thote se pervec inteligjences, aftesive intelektuale, kontributeve qe duhet pasur femra, ajo duhet qene edhe burneshe, ngase kjo e fudit eshte ajo qe ve ne pah guximin, dhe kombinimi i guximit dhe mencurise, jane vlera qe mbajen nje komb.

Leave a Reply to Dritoni Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button