Kosovë, dy të vdekur nga komplikimet e shkaktuara nga fruthi

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar se është shënuar viktima e dytë nga epidemia e fruthit. Sipas, këtij instituti rastet kanë përfunduar me fatalitet për shkak të infeksionit nga fruthi dhe komplikimet nga sëmundjet tjera, raporton Anadolu Agency (AA). 

Drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, Naser Ramadani ka konfirmuar për AA se fëmija i cili ka humbur jetën nga fruthi ka vuajtur nga tre sëmundje të tjera, pra nga sëmundjet kronike të zemrës dhe mushkërive, ndërsa personi tjetër 37-vjeçar i cili ka humbur jetën ka qenë i diagnostifikuar me turbekolozë.

Ramadani shpjegon se gjendja aktuale flet për 60 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë nga fruthi në klinikën infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Sipas tij, shumica e këtyre pacientëve janë në gjendje të mirë, përveç dy personave që janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Situata me fruthin është nën kontroll të plotë nga ekipet e Institutit Kombëtar dhe ekipet e qendrave kryesore të institutit të cilat po vaksinojnë të gjitha ato grupe që nuk kanë qenë të vaksinuar më parë”, tha Ramadani.

Ai vuri në dukje se më shumë se 90 për qind e këtyre pacientëve janë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) dhe tha se kanë ndërrmarrë aktivitete të veçanta bashkë me organizatat joqeveritare të komunitetit RAE sidomos me “Voice of roma, ashkali and egyptian” që t’i vaksinojnë të gjithë me qëllim që të gjithë fëmijët të jenë të vaksinuar.

“Problemi kryesor qëndron në mosvaksinim sepse shumica e tyre janë me vendbanime jo të përhershme pra nuk janë në një vend të caktuar dhe ekipet në terren kanë patur vështirësi të gjejnë fëmijët e pavaksinuar”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se epidemia e fruthit është më e përhapur në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës Perëndimore se sa në Kosovë.

“Kosova akoma mbetet vendi me numrin më të madh të të vaksinuarve jo vetëm në rajon por edhe në shtetet e Evropës dhe duke kujtuar se vaksinimi në asnjë vend të botës nuk është 100 për qind një pjesë e cila ka mbetur pa vaksinuar fatkeqësisht janë fëmijët e komunitetit RAE dhe një pjesë e fëmijëve të riatdhesuar të cilët kanë ardhur nga shtetet e Evropës Perëndimore”, u shpreh Ramadani.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button