Kosovë, Dënohet ish-rektori Enver Hasani

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur publikisht Aktgjykimin kundër të akuzuarve E.H, (Enver Hasani), H.V. (Hakif Veliu) dhe A.R. (Albert Rakipi) të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Mashtrimi në detyrë, transmeton REL.

Në një komunikatë për media të lëshuara nga Gjykata Themelore thuhet se i akuzuari E.H. (Enver Hasani) është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej dy viteve.

I akuzuari H.V., është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muaj. Po ashtu, edhe i akuzuari A.R., është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë muaj.

“Të akuzuarve H.V dhe A.R, dënimi me burgim i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 10.000 euro, të cilin dënim të akuzuarit janë të obliguar që ta paguajnë në afatin prej 60 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se të pandehurit nuk e paguajnë dënimin në afatin e caktuar nga gjykata do të mbetet në fuqi dënimi me burgim”, thuhet në komunikatë.

Tre të akuzuarit obligohen që palës së dëmtuar, përkatësisht Universitetit të Prishtinës, t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumën prej 70.131 euro, në afatin prej 90 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, thuhet në fund të komunikatës.

Enver Hasani, ka qenë edhe Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button