Maqedonia blu

Mbrëmjen e 15 tetorit u shokuan të gjithë. Harta e Maqedonisë në faqen e rezultateve zgjedhore të KQZ-së brenda natës ndryshoi ngjyrën e pushtetit lokal nga e kuqja në të kaltër. Këtë nuk e prisnin as edhe vetë fitimtarët e këtyre zgjedhjeve lokale që arritën ta kaltërsojnë pjesën më të madhe të Maqedonisë. Kishin pritur ndryshim, por jo kaq radikal dhe të fuqishëm. Këtë nuk e pritën as të kuqtë që megjithatë mendonin se do të mbesin një lloj faktori në këtë shtet gjersa i njejti të ekzistojë. Këtë mbi të gjitha nuk e priste Führer-i i tyre që mendonte se ishte i përjetshëm. Këtë as feudali Xingo nuk e priste. Këtë nuk e pritën as implementuesit e anketave sepse asnjë nga ato nuk mundi t’i qëllojë përmasat e këtij ndryshimi eklatant. Votuesit në Maqedoni befasuan përsëri. Ashtu si në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016, përsëri gjithçka shkoi shumë më ndryshe nga ajo që mund të parashihej duke numëruar votat në zgjedhjet paraprake.

Është më se e qartë tani më, regjimi i VMRO-DPMNE-së zyrtarisht u rrëzua!

Maqedonia konfirmoi rrugën e saj drejt Evropës. Atë rrugë ku nuk mund të shkonte me VMRO-në e cila ishte qartazi e kthyer drejt lindjes dhe Rusisë. Me këtë votuesit në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje i dhanë vizë qeverisë së re që të vazhdojë reformat dhe rrugën e filluar drejt perëndimit: aty ku takon ky shtet i vogël që fati e ka përcaktuar të jetë në Evropë dhe jo diku tjetër, pavarësisht se disa do kishin dashur të ishte ndryshe.

Këto zgjedhje lokale në rundin e parë treguan edhe diçka tjetër. Treguan që votuesit shqiptarë në qytetet më të mëdha shqiptare vendosën t’u japin epërsi në vota kandidatëve që kontribuan në mënyrë direkte në rënien e VMRO-DPMNE-së. Në janarin e këtij viti, kur Gruevski dukej ende i pamposhtshëm, kur gjithçka që u fitua me shumë mund gjatë dy viteve dukej lehtazi e rënueshme dhe e brishtë si një kala rëre, kur partia më e madhe shqiptare ende kalkulonte ndarjen nga partneri i saj i deriatëhershëm, kishte disa njerëz që në mënyrë direkte kontribuan që Gruevski dhe shoqëria e tij kriminale të vijnë në këtë derexhe ku janë sot.
Votuesi shqiptar nuk ka gabuar kurrë në vendimet që ka marë dhe ka ditur të ndajë shumë mirë gjërat. Ka ditur të dënojë kur është nevojitur dënimi, ka ditur të shpërblejë kur është pritur shpërblimi. Votuesi shqiptar nuk u hamend as kësaj rradhe nga përpjekjet e propagandës së Buzhalës dhe shokëve të tij për t’i hedhur hi syve, për të larë e shpërlarë Gruevskin dhe kriminalitetin e tij e për ta paraqitur si engjëll të pafajshëm dhe shumë përparimtar. Nuk mjaftuan as ndryshimet kozmetike në listat e përziera të VMRO-së për këshilltarë komunal për ta hutuar atë me emra dhe mbierma që tingëllojnë shqip.

Votuesi shqiptar mbi të gjitha ka një instikt të brendshëm për të dalluar lindjen nga perëndimi, sepse është kalitur me thënien legjendare të Naim Frashërit i cili para më shumë se një shekulli ka konstatuar të vërtetën e përhershme se për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon. Votuesi shqiptar e di rëndësinë e rrugës për në Unionin Evropian sepse kjo rrugë e lidh atë me fëmijët e vetë që është dashur të largohen nga ky vend pikërisht për shkak të regjimeve që kanë mbisunduar e që janë përsëritur shpesh në këto troje. Votuesi shqiptar është lodhur nga regjimet dhe nuk e ka mendjen të krijojë një të ri.

Ajo që duhet të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve, pasi ujërat e këtij deti blu të jenë qetësuar, është të bartet përgjegjësia për kriminalitetin e bërë deri tani, nga të gjithë ata që kanë qenë autorë të të njëjtit. Tani më nuk ka arsyetime. Qytetarët kanë treguar zëshëm që janë për vazhdim të reformave. Këto reforma nënkuptojnë edhe drejtësinë dhe gjyqësorin. Këto reforma nënkuptojnë mbi të gjitha vendosjen e përgjegjësisë për krimet e bëra. Dhe aty duhet të bartin fajin e tyre të gjithë të gjeturit në faj, pa përjashtime.

Shpresa tani është më e fuqishme se kurrë. Shpresa se rastet e montuar do të gjenë drejtësi. Shpresa se kriminaliteti të cilin e dëgjuam me veshët tanë do të dënohet. Shpresa se më në fund do të jetojmë në një vend ku drejtësia funksionon dhe ku vlen të jetohet. Shpresa se ndoshta do të ketë të ardhme për fëmijët tanë dhe ndoshta të njejtit nuk do të largohen për të gjetur një të ardhme më të mirë dhe me më shumë perspektivë.

Në mënyrë që kjo shpresë të realizohet duhet të vijë drejtësia e vërtetë. Jo një drejtësi gjysmake e fitimtarëve ndaj humbësve të zgjedhjeve, por një drejtësi e vërtetë tek e cila secili që ka gabuar para ligjit, qoftë fitimtar ose humbës, do të përgjigjet para një gjykate të pavarur dhe do ta vuajë dënimin e merituar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button