“Sesionet e modës’’ te komentuesit shqiptar nëpër rrjetet sociale

Rudina Zeqiri

Rudina Zeqiri

Interneti po bëhet pjesë gjithnjë më e rëndësishme e përditshmërisë dhe kulturës së sotme, qasja e çdo individi në rrjetë tani është më e lehtë se kurrë. Të vrojtosh në arenën e pakufishme të internetit është më lehtë  se ta kalosh në këmbë një arenë sporti prej së vërteti.

Qasja pa-limit në një sërë mediash vendase, rajonale dhe më gjërë, përhapja gjithnjë e më e madhe e mediave online dhe rëndësia që kanë ato në kohë të fundit, duke qenë se nëpërmjet tyre informacionet merren më shpejtë më lehtë dhe nga kudo, e bën përdorimin e internetit një rutinë gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë lexuesi nëpërmjet kyçjes së tij në internet konkretisht nëpërmjet mediave online, portaleve, blogjeve etj,  bëhet pjesë e lajmeve dhe, burim informacioni, komentues, bashkëbisedues me prijësit politikan apo dhe personazhet publik që admiron etj.

Kjo gjë i mundëson çdokujt të jap mendimin e vet, të rrëfeje përvojën e vet, të plotësoj artikuj me anë të aftësive dhe njohurive të veta  për tema të caktuara, të kyçet direkt në lajm dhe të ndihmoj në ngritjen e vetëdijes së opinionit publik.

Gjithë ky luks mediatik që përdoruesit e internetit e zotërojnë medoemos që sjellë dhe keqpërdorime!

Ajo ku dua të dal ka të bëjë me fjalët banale, ofendimet dhe gjuhën e degraduar që përdoret në rrejtet sociale apo mediat online nga lexues ndonjëherë të arsimuar ndonjëherë jo dhe kjo po ta mendosh mirë s’ka të bëj aq me arsimin sa ka të bëj me nivelin e kulturës  së diskutimit sepse s’është se s’kemi patur raste të shëmtuara ku një personazh publik, prijës apo funksionar i një partie politike në raste të shpeshta një artist dhe jo vetëm, të denigroj kulturën e debatit publik nëpërmjet diskutimeve publike nëpër media apo komentimeve nëpër rrjetet sociale.

Në këto raste bëhet keqpërdorim flagrant i fjalës së lirë, është një dhunë e patolerueshme që u bëhet debateve publike.

Kur flasim për persona publik të cilët degradojnë dhe keqpërdorin funksionin e tyre si zëri i popullit, apo katalizator të të drejtave dhe mundësive të qytetarëve çfarë mund të pritet nga persona të ndryshëm që gjënë më të vështirë e kanë kyçjen në rrjetë, pastaj gjithçka tjetër  është shumë e lehtë për të nxjerrë vrer të pa-argumentuar pa i menduar pasojat që mund të prekin një shoqëri të tërë.

Kufiri në mes lirisë së fjalës apo demokracisë dhe keqpërdorimit apo përdhosjes të së njëjtës është pothuajse i padukshëm dhe në këtë kohë është tepër i vështirë një regjim i mirëqenë i ruajtjes së etikës  debatit.

Se çfarë mund të jetë shkaku i këtij fenomeni të gjuhës së urrejtjes, përbuzjes, abuzimit të fjalës së lirë, banalitetit gjatë  diskutimeve, komentimeve apo etiketimeve të pavërtetuara  aq më rëndë në raste më të rralla edhe kërcënimeve, lë hapësirë të madhe për kërkim dhe hulumtim. Ajo çfarë mund të thuhet në shikim të parë besoj se ka të bëjë ndjeshëm me mungesën e informacionin adekuat të argumentimit apo shqyrtimit të çështjeve në një mënyrë më me finese më me seriozitet si nga ana e personave publik ashtu edhe nga lexues të thjeshtë.

Portale apo blogje të ndryshme mundohen të përdorin një metodë të filtrimit të komenteve të natyrës së lartpërmendur dhe në të shumtën e rasteve kritikohen për këtë trajtim në veçanti nga të prekurit duke pretenduar se bëhet shkelje e lirisë së shprehurit apo shkelje e fjalës së lirë, por  harrojnë që liria e të shprehurit apo fjala e lirë është padiskutim e drejta themelore që duhet mbrojtur dhe kultivuar por ajo ngjitur në vete  mbartë përgjegjësi dhe të drejta të cilat duhet te respektohen!

Në mes këtyre komentuesve në të shumtën e rasteve anonim kemi dhe lexues dhe komentues serioz të cilët mundohen të marrin esencën e lajmeve apo opinioneve të ndryshme dhe në të njëjtën kohë mundohen të kontribuojnë në plotësimin e të njëjtave me dije dhe njohuri dhe me një kulturë të të shprehurit, por sa këto lexues dhe komentues  serioz mund ta mbajnë baraspeshën kundrejtë atyre që shkelin çdo kornizë etike e morale nëpërmjet gjuhës së ofendimeve është e vështirë për t’u përcaktuar.

Ky fenomen si duket është një nga ‘’sesionet e modës’’  së kohës që nuk i dihet kur do t’i del afati! Megjithatë nuk duhet pritur assesi deri sa të skadojë kjo ‘’modë ‘’ , duhet luftuar në mënyrën më demokratike të ndërgjegjësimit të lexuesve, të shkollarëve, të familjeve dhe të shoqërisë dhe kjo arrihet  vetëm nëse këtë ndërgjegjësim e edukim e fillojmë pikësëpari nga vetvetja.

Vazhdon..

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP