Skaduan afatet për parashtrimin e ankesave në KSHZ për zgjedhjet lokale

Skadoi afati për parashtrimin e ankesave në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, për procedurën e votimit, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të cilat u mbajtën më 15 tetor.

Mbrëmë deri në orën 19:00 janë parashtruar 25 ankesa, dy nga partia TMRO, një nga Aleanca për Shqiptarët dhe 22 nga VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mirë”.

Në KSHZ janë parashtruar edhe 59 ankesa prej qytetarëve për mbrojtjen e të drejtës votuese. Ankesat për procedurën për votim kanë mundur të parashtrohen më së voni deri mbrëmë në orën 19.

KSHZ obligohet që t’i zgjidh ankesat e kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të votimit, në afat prej 48 orësh nga pranimi i tyre.

Kundër vendimit të KSHZ-së, mund të shtrohet padi në Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orësh nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër, pas ankesës obligohet të sjellë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button