KEMI NEVOJË PËR ËNDRRËN TUAJ

Pjesëtari i brezit që sakrifikoi shumë për një emancipimin kulturor e politik të shqiptarëve, miku im, Xhemil Daci, i dënuari që të mbetet përherë i ri në ndjeshmëri dhe në ide, ka të drejtë të jetë i zhgënjyer me gjithçka ndodh ndër ne, por assesi nuk mund t’ia miratoj kur e thotë me dhembje se koha e brezit të tij ka kaluar.

Koha Juaj nuk ka kaluar. Ajo kohë duhet të vijë nëse duam që të jetojmë si qenie të dinjitetshme. Pa këtë ndjeshmëri jemi kufoma lëvizëse që ecim drejt askundit dhe shkojmë duke vdekëruar drejt hiçgjësë.

Mjerisht koha që duhej të vinte dhe për të cilën brezi Juaj bëri flijime sublime po vonon jo për shkak të idealistëve si Ju, por për shkakun e atyre që duan të na bindin se mund të ecet drejt të ardhmes pa idealin për një jetë eprore.

Kombet e qytetëruar nuk përmendin ideale. Flasin për strategji kombëtare, që është e njëjta gjë. Strategjitë e këtilla përcaktojnë një qëllim. Më ka pëlqyer mendimi nga Ayn Rand: “Nuk ka më të çorientuar se sa njerëzit pa qëllim”. Dhe kjo vlen edhe për kombet.

Brezi Juaj kishte një qëllim të fisëm, të domosdoshëm, për të cilin sakrifikoi. Ky qëllim na kujton diçka esenciale: kemi ardhur në këtë botë jo vetëm që të marrim frymë, por edhe të veprojmë për synime më të larta.

Le t’u quajnë ëndërrimtarë e romantikë, por ëndrra Juaj është e domosdoshme. Le ta kujtojmë Walt Whitman-in: “Mos pusho kurrë së ëndërruari, sepse tek ëndrra është liria e njeriut”.

Mbase sot ndjeheni të braktisur dhe të vetmuar. Mbase vuani sepse ëndrra Juaj përçmohet. Mbase keni drojën se ëndrra Juaj është shuar përgjithmonë. Por ju keni qenë përherë të braktisur dhe të vetmuar kur e keni ndjekur ëndrrën Tuaj. Ju nuk jeni merakosur kur ëndrra Juaj është përçmuar dhe dënuar. Ju keni besuar se ëndrra Juaj do të bëhej zhgjëndërr. Besoj se do të vijë koha e kthjellimit kur njerëzit sërish do të kenë nevojë për ëndrrën e brezit Tuaj.

Ajo është ëndrra e një brezi nositësh. Ajo është ëndrra e një brezi që historia i ngarkoi në shpinë një barrë të rëndë. Ajo është ëndrra e një brezi që duhej të mendonte më shumë për të tjerët se sa për vetveten. Ajo është ëndrra e një brezi me kërkesa sublime, që sot, mjerisht, janë reduktuar në kërkesa ordinere.

Ka shumë emra të respektuar nga ky brez që gjithsesi do t’i përmend herëve tjera. Duke i respektuar dëshmojmë se historia nuk fillon me ne. Dëshmojmë se ata që e humbin kujtesën dhe respektin për të kaluarën nuk meritojnë as të ardhme. Të kundërtën e thonë rimohuesit e djeshëm dhe të sotëm që u pengon edhe identiteti i tyre.

Brezi Juaj përjetoi tmerret e burgut dhe letimin përtej grillave. Brezi Juaj e mbajti të pashuar zjarrin e kryeneçit Promethe dhe vuri shenjë në kohën e tij. Brezi Juaj dashuroi shumë dhe e deshi të mirën për të gjithë. Pjesëtarët e brezit Tuaj mund të harrohen nga një kohë e trazuar, por koha Juaj patjetër që do të vijë. Njerëzit do të kujtohen se disa u dogjën vetëm që zjarri hyjnor të mbetej i pashuar. Pa këtë zjarr vetëm bëjmë kinse jetojmë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button