Xhaferi në takim me Baron dhe Arojo kërkoi të hiqen vizat për Meksikën

Në margjinat e Asamblesë së 137-të të Unionit Interparlamentar (UIP), që mbahet prej më 14 deri 18 tetor 2017 në Sankt Peterburg, në Federatën Ruse, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,  Talat Xhaferi, realizoi takim bilateral me Ernesto Kordero Arojo, kryetar i Senatit të Meksikës dhe me senatoren,  Gabriella Kuevas Baron, kandidate për kryetar të Unionit Interparlamentar.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësi nga realizimi i këtij takimi të parë zyrtar ndërmjet kryetarëve të dy parlamenteve dhe nga mundësia për këmbimin e mendimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Kryetari Xhaferi konstatoi se, edhe përskaj distancës së madhe gjeografike, ekziston mundësi për përforcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në nivel multilateral në kuadër të Unionit Interparlamentar, si edhe në nivel bilateral. Ai informoi se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, tani më është formuar grupi i deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Njëkohësisht, kryetari theksoi se Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, do e mbështesë kandidimin e senatores Kuevas Baron për kryetare të UIP, duke e marrë parasysh biografinë e saj mahnitëse dhe përvojën e saj të pasur ndërkombëtare, si në suazat e Unionit interparlamentar, ashtu edhe në asambletë tjera interparlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nënvizoi se abrogimi i regjimit të vizave për hyrjen e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Meksikë do të ishte me rëndësi të veçantë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e marrë parasysh se Maqedonia tani më i ka abroguar vizat për qytetarët e Meksikës. Emërimi i konsullit të nderit të Meksikës në Republikën e Maqedonisë, do e lehtësonte komunikimin ndërmjet dy vendeve në mënyrë plotësuese.

Kryetari i Senatit të Meksikës,  Ernesto Kordero Arojo, theksoi se për Meksikën është me rëndësi të madhe që  Gabriella Kueves Baron të zgjidhet kryetare e Unionit Interparlamentar dhe theksoi se senatorja e ka përkrahjen e të dy shtëpive, të Kongresit dhe të Qeverisë së Meksikës. Ai u pajtua se marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Meksikës, shënon zhvillim pozitiv por edhe se ka hapësirë të mjaftueshme për thellimin e tyre të mëtutjeshëm. Arojo e ftoi kryetarin e Kuvendit të Republikës të vijë në vizitë zyrtare në Meksikë.

Senatorja Gabriella Kuevas Baron theksoi se si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin meksikan, do të angazhohet për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe për abrogimin e vizave për hyrje në Meksikë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ajo u falënderua për përkrahjen e shprehur për kandidimin e saj.

Në fund të takimit, kryetarët e parlamenteve u pajtuan se me promovimin e diplomacisë parlamentare, do të hapet mundësi për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Meksikës, si në plan parlamentar, ashtu edhe në të gjitha fushat tjera”, thuhet në kumtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button