SHKUESIA E GRUAS PËR BURRIN

Cyme Ndreu, një grua aty te të dyzetat, e hollë dhe e gjatë, me strajcë varur në krah, të cilën dukej qartë se e mbante ne vështirësi po ngjitej rrugicës, kodrës përpjetë, drejt fshatit Paras, atje në Malësi për ta çuar një amanet i cili do t’i hapte një hall të madh të shkretës grua. Cyma po shkonte shkuese – ta lypte të bijën e Bardh Cekës, Selvinë, jo për tjetër njeri, po pikërisht për të shoqin e vet Çet Lecin, tregtarin e fshatit që kishte dy dyqane.

Cyma do të kishte dashur t’i ndalej fryma aty, menjëherë, por ja që ka njëqind arsye të vazhdohet jeta, në radhë të parënjë arsye e madhe janë pesë fëmijët e saj, dy djem e tri vajza, që ishin nga tetëmbëdhjetë vjet e teposhtë. Prandaj ajo e kalonte këtë kalvar. Jo për tjetër, por për fëmijët. Kur ndalej pak sa për ta qetësuar frymëmarrjen e shpeshtuar, i fshinte djersët e ballit i lutej perëndisë: “O zot, ruajmi fëmijët”. Më në fund ia doli. E përballoi përpjetëzën dhe u gjet para derës së Bardh Cekës, atij fatkeqi të cilit i kishin mbetur eshtrat në luftën e Çanak Kalasë para dhjetë vjetësh, pikërisht në prill të vitit 1915, duke lënë pas vetes gruan dhe vajzën dhjetë vjeçare, këtë Selvinë e sotme, që tash ishte bërë bukuroshe e paparë njëzet vjeçe dhe e cila ishte shkaku që Cyma po vinte ne Paras.

Derën ku shkonte e gjeti të hapur. Në oborr e pa të shoqen e Bardhit, Xhijen, që po shkurtonte do krande. Të rrahurat e zemrës iu shpeshtuan. Si do do ta çonte në vend amanetin? Iu kujtuan fjalët e të shoqit kur i tha se kjo martesë i duhej që ta fitonte bastin “me para të mira” që kishte vënë me shokët e tij Lilë Hasimen dhe Rexhë Mollën te kroi i xhamisë, kur i tha, pastaj, se nuk bënte kurrfarë mëkati po ta merrte Selvijen e bukur, sepse libri i shenjtë i jep të drejtë burrit të ketë disa gra, kur i tha se ti Cymë do të mbetesh zonjë e shtëpisë… Këtu para derës Cyma u ndje si para dyerve të Hadit.

“E moj Cyme ç’e mira të solli këtu”… i tha Xhija me të cilën ishin të një moshe e që njiheshin dhe shtoi, “urdhëro hyn” dhe vrap i doli përpara.

Pas përshëndetjeve të zakonshme, “mirë se erdhe, mirë se të gjeta”, Cyma u ul në shkamin që ia ofroi Xhija dhe me një zë që dridhej tha ashtu si i kishte thënë i shoqi:

“Me dëshirën e të madhit zot, me urdhrin dhe me lejen e tim shoqi, erdha ta lyp bijën tënde, Selvinë”. Dhe, kur e përfundoi fjalinë, në atë intermexo sa pritet përgjigjja Cyma këtu prsite t’i ndalej zemra që i bubullonte.

“E hairit qoftë, moj Cyme”! Po s’ma tregove dhëndrrin!

Cyma e shpërqendruar dhe e trazuar shpirtërisht, e humbur, murmuriti me buzët e saja të plasaritura:

“Për burrin tim, Çetin”!… Në ballin e Cymës lëvareshin disa pika të mëdha djerse, ndërsa një pikë loti iu rrokullis faqes teposhtë.

Ra një qetësi, një shtemësi e thellë. Të dy gratë i kishin ngulur sytë në tokë. Xhija e kishte marrë një krande dhe vizatonte diçka në dhe e po përsiaste, kurse Cyma, herë djathtas e herë majtas, i bënte do lëvizje të imta të kokës të cilat e shprehnin gjendjen e saj të pashteg dhe shpresën e fshehur që nga Xhija të marrë përgjigje negative. Madje deshi t’ia tregonte një fshehtësi që ishte thelbësore për ta bërë Xhijen të refuzonte, deshi t’i thotë se i shoqi Çeti kishte vënë bast me Lilë Hasimen dhe Rexhë Mollën për para të mira se do ta marrë Selvinë, pasi e kishin parë duke kaluar te kroi i fshatit, për çka Lila e Rexha e kishin tallur dhe i kishin thënë se Selvijen s’e merr dot një burrë që po u afrohet të pesëdhjetave.

Mirëpo fjala i mbet në fyt Cymës së gjorë. S’e tha dot. Ndërkohë Xhija, pa fjalë hypi shpejt lartë, në dhomën e saj, dhe, edhe më shpejt, zbriti me një çevre, të cilën ia dha Cymës si shenjë se fejesa u bë duke i thënë edhe një herë “për hair”. Ky ishte kulmi i fatkeqësisë së Cymës. E mori çevren dhe me një të përshëndetur të ftohtë u nda prej Xhijes duke e harruar strajcën me peshqeshe pa e dhënë dhe doli me hapa të shpejtë.

Mysafirja e paftuar e Xhijes, që tash e mori çevrenë e fejesës së Selvijes për t’ia dërguar Çetit si dëshmi se tashmë ai krahas  Cymës do ta kishte edhe një grua të re, një bukuroshe njëzet vjeçe, u nis tatëpjetëzës. Tash hapat i kishte edhe më të rëndë. Në të dy anët e rrugës i bëhej se drurët, shkëmbinjtë, përroi, çdo gjë, çdo gjë po e përqeshte me një zë të lartë. Cyma i mbylli veshët, njërin me çevren, kurse tjetrin me dorë. Po i dukej se çevreja  ishte ajo që ishte solistja e kësaj talljeje korale. E hodhi një herë, por iu kujtua i shoqi që do t’i hamerrej keq, prandaj përsëri e mori. U mundua ta shikojë rrugën përpara, sepse dëshironte që ajo të zgjasë sa më shumë, deri në amshim, por me gjithë hapat e rëndë të Cymës, rruga shkurtohej e shkurtohej. E mendoi edhe  vetëvrasjen, por sërish i dolën fëmijët, iu renditën para sysh me vaj, duke i thënë se pa ty nënë, ç’do të bëjmë ne meSelvinë dhe fëmijët e saj. Cyma gjithçka do të duronte, po t’i gjejë fëmijët diçka e keqe – jo. Këtë s’e duronte dot.

Në derën gjysmë të hapur të oborrit u fut në oborr, pastaj iu afrua çardakut e atje i dëgjoi hapat e të shoqit. Ajo nuk diti sa kohë zgjati të hypurit e saj shkallëve. Kur u gjet përballë burrit, ia dha çevren, mezi i tha “u krye puna” dhe u alivanos. Çeti i fërkonte duart i gëzuar. “Edhe Selvinë e mora, edhe njëzet lira të kuqe prej Lilës dhe Rexhës. Kur e do, e do!…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button