PREFEKTI DHE PËLLUMBI

Lindita Kadriu

Lindita Kadriu

Mëngjesi më nisi me sms “Një pëllumb sot më hyri në dhomë. Rehat hyn rehat del, si në çerdhe të vet. Më ka ndodhur edhe tjetër herë si paralajmërim ogurbardhë”.

Tashmë e di se në gjuhën e simboleve nuk janë determinuese shenjat, por ne vetë nëse u bëjmë hyzmet atyre. Kur ta mendosh më hollë, gjithçka që vlen kërkon investim: puna, fëmija, familja, miqtë, partneri, dashuria platonike…ashtu edhe sensi për sinjale dhe intuita.

Pëllumbat janë ata që më zgjojnë në mëngjes, para agut. Vijnë tek simbi i dritares dhe presin thërrimet që për arsye praktike ua hedh në ballkon ku e filloj ditën përafërsisht kur jep zë ai supertalenti, myezini i xhamisë më duket i Dizhonit. Pavarësisht kur bie të flej zgjohem herët se po fjeta gjatë më dhemb shtati dhe çohem e lodhur, humbje pra e dyfishtë, a mos flasim që e huq edhe nafakën për faktin se kur flen gfjatë dita yte zgjat më shkurt. Proverba për nafakën dhe zgjimin herët del e saktë për vetë faktin se kur nuk flen gjatë dita të zgjatet. Përveç kësaj asgjë nuk ma zëvendëson ndjenjën e mirë në ballkon kur në qetësinë e plotë dëgjohen vetëm zogjtë dhe ndonjë bus i rrallë urban, kurse qielli merr për shkurt kohë shumë nuanca. Atëherë është koha për cigaren e parë pasi të kem ngrënë p.sh ndonjë gurabie. U mësova ti bëj këtë javë kur B, në një mesnatë, kërkonte diçka të ëmbël për të ngrënë. Në këto raste bindesh se Interneti është, si me thënë, car.

Digresion:

– Lind, sa e mirë kjo proja. Çfarë recepti, më pyet një ditë Kiki.

– Brza proja në coolinarka, i them dhe ajo qeshet me fillimin e fjalisë.

Edhe këto ishin gurabie ekspres, bëhen për më pak se 10 minuta që vlente edhe atë natën e parë si Absolute Beginner (ajo kënga me tekst aq të mirë e David Bowie) piqen për 15 minuta, dhe më e rëndësishmja: shijojnë si gurabiet e vaktit kur shkonim me Nurkën mysafire pasdite tek ndonjë far e fis: oborret atëherë ishin me pemë, shtëpitë me çardak apo qyshk si i thonin nëTetovë, njerëzit me më tepër kohë për qejfe dhe me raporte më të ngushta. Uzunun kisasi: koha qe më normale, pra edhe njerëzit, edhe qyteti poashtu.

U harrova unë. Kështu më ndodh qëkur më kapën ethet e shkrimit, nuk lexoj gati asgjë (“ka kohë kur lexon”), kryesisht bisedoj, shkruaj, dhe flej pa orar, ndonjëherë edhe hiç. B thotë se disa gjëra i përsëris nga dy herë. Por janë të mira këto periudha, kush shkruan e din.

…dhe në fillim qe pëllumbi. Shenja se kandidati që e kam favorit do të ngadhnjejë në komunën time.  Kur të kryhet, unë e veshur solemnisht si sot për votime ku u vizatova çuditërisht herët dhe e disponuar si në zgjedhjet 2002, do t’i shkoj në komunë. Me tortë të vogël Oreo nga K8 në Çarshi, ku tjetër?

Se atje ha, pi kafe, i bëj takimet e punës, i shetis  mysafirët, i bëj blerjet, përfshirë teshat si dhe dhuratat ekskluzive.

“Paraja shqiptare në xhep shqiptar”. Tjetër herë më gjerësisht për këtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP