Në Kaliforni, 40 viktima nga zjarret

Pas 6 ditëve më shkatërrimtare që ka përjetuar si pasojë e zjarreve, Kalifornia sheh nga dita në ditë t’i rëndohet bilanci i viktimave, i cili tashmë ka arritur në 40 të vdekur dhe qindra të tjerë ende të zhdukur. Zjarret “përbindësh” kanë shkatërruar pjesë të tëra të vendit, e mijëra shtëpi duke lënë shumë vetë në qiell të hapur.

Guvernatori i Kalifornisë tha se kjo është “një nga tragjeditë më të rënda”, me të cilën është përballur ndonjëherë shteti. Më shumë se 10 mijë zjarrfikës janë duke luftuar me flakët në 16 vatra zjarri. Erërat prej rreth 70 km në orë i kanë zhvendosur ato në qyteza të tjera, duke detyruar të tjerë banorë që të evakuohen.

Një nga zonat më të dëmtuara është qyteti Santa Rosa, në rajonin e njohur për prodhimin e verës Sonoma, ku vetëm gjatë së shtunës janë evakuuar 3.000 persona. “Shkatërrimi nuk po njeh kufij, është thjesht i pabesueshëm”, tha guvernatori Jerry Broën teksa vizitonte qytetin. “Kemi përpara një horror, që nuk mund ta kishte imagjinuar kurrsesi askush”.

Ky është rasti më vdekjeprurës i zjarrëve në historinë e këtij shteti. Më shumë se 100 mijë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ndërsa zona të tëra banimi janë kthyer tashmë shkrumb e hi.

Zjarrfikësit, gjithsesi, arritën disa përparime gjatë së premtes, duke pastruar bimësitë e thata dhe disa karburante përreth zonave të populluara, në pjesën jugore të vatrave të zjarrit. Por rikthimi i erërave, i kombinuar edhe me temperaturat e larta dhe ajrin pa lagështi, i ka përhapur edhe më tej zjarret.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button