Shtetësia për kosovarët? Meta: Rrezikojmë lëvizjen e lirë

Kreu i shtetit Ilir Meta në një intervistë për RTK në Prishtinë ka deklaruar se marrja e nënshtetësisë shqiptare nga shtetasit kosovar për të përfituar nga liberalizimi i vizave do të mund të sillte pezullim të vizave dhe për shqiptarët, njofton TCH.

“Marrja e nënshtetësisë shqiptare për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave s’e zgjidh problemin e zhbllokimit të proceseve integruese të Kosovës. Shqipëria është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë. Një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë”, është shprehur Meta për RTK-në.

Kushtëzimin e liberalizimit të vizave të Kosovës me demarkacionin kreu i shtetit shqiptar e quan një kushtëzim jo të drejtë, pasi Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi.

“S’është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Po të varej prej meje dhe për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë kjo gjë do të ishte bërë që dje e jo që sot. Kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë z. Meta.

Presidenti Meta tha më tej se duhen shtuar përpjekjet për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, si dhe duhet punuar me mirëkuptim dhe mirëbesim me Malin e Zi, por dhe me BE për çështjen e demarkacionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button