SHPATA E SKËNDERBEGJIT

Na ishte një plak që e kishte kaluar jetën në kurbet. Kishte punuar atje punë të rënda, të përçmuara, të rrezikshme dhe, në fund, kur e kishte humbur shëndetin, ishte kthyer të vdesë në kasabanë e tij të dashur.

E kam njohur këtë njeri fatkeq ndoshta në muajt e fundit të jetës, kur frekuentonte kafenetë e qytetit dhe fliste hapur për gurubitë, shpirtrobërit, hirën e kombit…, që e mbanin në këmbë pushtetin e çartur jugosllav të pas vitit 1981, sherrin e të cilit e pamë më shumë se kushdo tjetër.

Po flasim për njërën prej stinëve kur qe rëndomësuar e keqja, kur njerëzit e pranonin ndërdhëmbshëm se kanë muhabet sa ka ujë lumi, po nuk bëzanin shkaku i pasojave të rënda për ta dhe më të dashurit që kishin në familje dhe jo vetëm.

Ishte kjo koha kur edhe bisedën mes miqsh, dikush ta ndërpriste me një të rënë gjunji apo me një të shkelur këmbe, që kishin kuptimin: kujdes nga masha!

Por kjo nuk kishte të bëjë me mentalitetin perëndimor të plakut, pa çka se me të tallej e gjithë kasabaja, gjithë ata që e konsideronin të gzauët nga mendja… Ku ta dijë njeriu? Ndoshta ai ishte i vetëdijshëm se pikërisht shenjimi si i letuar ishte njëkohësisht dhe mbrojtja më e sigurt prej persekutimeve eventuale të vigjilentëve të monizmit, ndaj, sa herë e pyesnin: Çfarë do t’u bëje gurubive…, po të kishe mundësi?, përgjigjej zëshëm: Do va shkurtoja krejet me shpatën e Skënderbegjit, fap, fap, fap…

Kështu përgjigjej plaku, duke i shtyrë të qeshin njerëzit që mendonin se janë më të mençur se ai, ata që nëpërmjet “bëmave” të tij u hakmerreshin spiunëve, legenëve, poltronëve… të një pushteti, për të cilin thoshim me shkul shpirti: Mos u ktheftë kurrë!

Por, një ditë prej ditësh, kur rasti u shndërrua në dukuri, plaku e ndryshoi llojin e dënimit për njerëzit e këqinj dhe armiqtë e vetvetes, e modifikoi atë nga dënimi që lidhej me individët e dëmshëm për shoqërinë, në qërim hesapesh me turma të tëra keqbërësish dhe mercenarësh, që duhej shkulur nga trupi i shëndetshëm i etnisë, si zuzarët e Faik Konicës, si ajo koqja me qelb e tij.

Tani më ai nuk kërkonte herrjen e spiunëve me shpatën e Skënderbegjit, po korrjen e tyre me kombajnë: zhinge, zhinge, zhinge…, me arsyetimin se ishin shtuar aq sa më nuk i soste punë shpata.

Të merremi vesh: si produkt librash, nuk kam qenë, nuk jam dhe, me gjasë, nuk do të jem kurrë për dënime, riedukime dhe zgjidhje problemesh me shpata e kombajnë, qofshin në pyetje dhe gurubitë më monstra të sojit njerëzor, sepse jam rritur me ide urtarësh, që më mësuan se: lirinë e sjell drita e mendjes, jo druri… Por, tek po mendoja për temën e kolumnës së sotme, seç m’u kujtuan për dreq hekurat virtualë të plakut, të cilët, po të ishte gjallë, sigurisht që do t’i përdorte edhe sot për të sfiduar mizërinë e gjithmonshme të mjerimit dhe theqafjes sonë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button