Komuna e Tetovës nuk tregon sa harxhon për udhëtime, shifra marramendëse qarkullojnë në opinion

Nga mungesa e transparencës dhe mos-publikimit të llogarisë përfundimtare të detajuar të Komunës së Tetovës, banorët nuk e kanë të qartë se si dhe ku i harxhon paratë kjo komunë. Ditëve të fundit në opinion qarkullojnë informata nga më të ndryshmet për harxhime marramendëse për udhëtime zyrtare, ushqime, akomodime në hotel që janë bërë në mandatin e Teuta Arifit dhe atë vetëm për vitin 2016. Portalb.mk ka dërguar një sërë pyetje deri te komuna dhe është në pritje të zbardhjes së informatave.

Portalb.mk ka kërkuar sqarim edhe nga Ministria e Financave, por nga ata morëm përgjigje se “të gjitha harxhimet e ka për detyrë t’i publikojë komuna”, u shpreh zëdhënësja Jovana Avramovska.

Sipas Gazetës Lajm, e cila ka marrë përsipër publikimin e disa informatave duke thënë që janë nga Ministria e Financave, Arifi në udhëtimet zyrtare jashtë vendit ka shpenzuar 204.000 euro, para këto për transport, akomodim dhe ushqim.

Duke krahasuar Tetovën me qytetet tjera me madhësi të ngjashme, del se ato kanë shpenzime më të vogla se Tetova. Si shembull është marrë Komuna e Manastirit dhe Kumanovës që janë në madhësi të njëjtë me Tetovën por që kjo e fundit ka shpenzuar 10 herë më shumë. Ndërkaq, krahasuar me Ohrin, Arifi ka shpenzuar madje 15 herë më shumë. Qyteti i dytë që ka shpenzuar më së shumti është Prilepi, 100.000 euro, por që përsëri është 50% më pak se shpenzimet e kryetares së Komunës së Tetovës.

harxhime teuta arifi komuna e tetovesMë tej po e njëjta gazetë thotë që Komuna ua ka falur tatimet kompanive me prona të mëdha në Tetovë si: Teteksi, Monopoli, Vero, Interprometi duke mos arkëtuar asnjë denar nga tatimi në pronë për këto kompani. Kjo domethënë që Komuna ka marrë tatim vetëm nga banorët nga të cilët ka arkëtuar mbi 400.000 euro vetëm në vitin 2016 ndërsa asgjë nga kompanitë e mëdha. Për krahasim qytete me madhësi të ngjashme si Manastiri, Ohri, Kumanova e të tjera në total kanë arkëtuar mbi 1.5 milionë euro vetëm nga personat juridik. Kështu, kompanitë e mëdha kanë kursyer deri më 500.000 euro vetëm për vitin 2016. Nëse nisemi nga kjo logjikë, për katër vite kanë mundur të mblidhen mbi 2.000.000 euro nga tatimi i kompanive, para që mund të shfrytëzohen në të mirën e qytetarëve.

Portalb pret përgjigje nga Komuna për këto pyetje, kërkuar në bazë të nenit 4 dhe 12, të Ligjit për qasje të lirë ndaj informatave me karakter publik:
1. Sa udhëtime zyrtare ka pasur kryetarja dhe ekipi i saj gjatë vitit 2016?
2. Cili ka qenë qëllimi i vizitës?
3. Në cilat vende dhe sa ditë?
4. Cilët janë emrat e personave që e kane shoqëruar atë në çdo vizitë?
5. Në cilat hotele apo apartamente është qëndruar dhe sa ka kushtuar secili qëndrim?
6. Sa para është paguar për ushqim në secilën vizitë?
7. Sa para janë paguar për transport në secilën vizitë?
8. Sa para janë paguar për harxhime shtesë ne secilën vizitë, dhe për çfarë harxhimesh behet fjalë?
9. Sa para janë harxhuar nga komuna e Tetovës për katër vite mandat për pyetjet e lartpërmendura?
10. Nga marrja e mandatit deri me tani a kane paguar tatim ne prone kompanitë: Teteks, Monopol, Interpromet, Vero?
11.Nëse po, sa para në vit kanë dhënë?
12.Nëse po, na dërgoni dëshmi për ketë?

Llogaria përfundimtare duhet të jetë e detajuar dhe jo të ketë vetëm disa faqe si ajo e Tetovës. Sa për ilustrim si duket llogaria përfundimtare e Komunës së Prishtinës (kliko këtu) dhe si duket ajo e Tetovës (kliko këtu).

Përndryshe, ende mbetet e paqartë edhe sa është borxhi i Komunës sepse në publik janë dhënë dy numra: 8 dhe 12 milion euro.  Siç bëjnë të ditur të dhënat e Eco Guerillas me burim të Ministrisë së Financave borxhi më i lartë, në vlerë prej 38.4 përqind për denarë është arritur gjatë viti 2016.

“Ju prezantojmë tabelën se si janë harxhuar milionat e qytetarëve të Tetovës, edhe atë vetëm për kontrata në vepër nga viti 2008 deri më 2016. Edhe pse të dhënat janë publike nga Minsitria e Financave, ndalohet përdorimi i kësaj tabele nga partitë politike për qëllime elektorale. Në ditët në vijim do të kemi edhe publikime tjera krahasuese me numra lidhur me pikat tjera”, thuhet në njoftimin e Eco Guerilla-s.

Ja edhe tabela e borxhit të Komunës së Tetovës për kontratat në vepër:

No automatic alt text available.

EDHE për këto të dhëna Portalb.mk është në pritje të një qëndrimi nga Komuna e Tetovës.

Përndryshe, para katër viteve Komuna kishte 8 milion euro borxh të trashëguar dhe 4 milion euro borxh ndaj ndërmarrjeve që kanë transportuar nxënësit në shkolla. Kjo shifër është publikuar edhe nga “Birn” Maqedoni dhe e njëjta u konfilrmua edhe kryetarja e deritashme Komunës, Teuta Arifi në #Debatpernime me Jeta Xharrën.
Mirëpo, më 5 maj Arifi pohoi se borxhi i komunës ka kaluar mbi 12 milion euro mirëpo këto të dhëna asnjëherë nuk janë publikuar nga komuna.

LEXO: Eco Guerilla: Ja sa miliona ka harxhuar Komuna e Tetovës (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button