I kapur në flagrancë

Ish-kryetari i Gjykatës penale Shkupi 1 është tani më edhe oficialisht i dyshuar për kryerjen e veprave penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe publikim i sekretit zyrtar. Prokuroria Speciale bastisi banesën e tij dhe konfiskoi kompjuterin prej të cilit mendohet se ai ka udhëhequr me sistemin paralel të AKMIS-it, sistem ky që mundëson shpërndarjen e rastësishme të rasteve gjyqësore tek gjyqtarët, me qëllim që të ruhet parimi i objektivitetit gjatë gjykimit të tyre. Ishte në fakt shumë e çuditshme si ndodhte që të gjitha rastet ku duhej të vendoset rreth kërkesave të PSP “rastësisht” binin kryesisht tek gjyqtarë të cilët në bisedat e përgjuara u zbuluan si të afërt me pushtetin e mëparshëm. Ka kohë që ekzistojnë dyshime serioze rreth keqpërdorimit të sistemit AKMIS dhe anshmërisë lidhur me ndarjen e lëndëve.

Por ajo që është më interesante dhe më e frikshme njëkohësisht, ishte si arriti Ivanov t’i kuptojë emrat e të gjithë personave të involvuar në rastet e PSP kur përgatiti 56 faljet e tij të cilat sa nuk ngritën në erë gjithë shtetin në Prillin e vitit 2016. Në qoftë se vërtetohet që Pançevski ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, dhe informatat sekrete të gjykatës ia ka transmetuar shefit të shtetit, me këtë ai ka bërë publikim të sekretit zyrtar dhe përfundimisht mund të kuptohet burimi i informatës për Ivanovin. Të mos harrojmë që kur i dha këto falje, Ivanov i pyetur nga gazetarët se nga i kuptoi emrat e njerëzve që duheshin falur dhe ku i mori këto informata, i njejti u përgjigj: “E çfarë presidenti jam unë në qoftë se nuk kam burimet e mia të informacionit?” Vërtetë burime relevante paska pasur, kjo po që është e sigurtë.

Tani pyetja legjitime që parashtrohet në këtë moment është kjo: Nëse vërtetohet fajësia e Pançevskit çfarë do të ndodhë me Ivanovin? Gjasat janë që ai të vazhdojë lehtazi me ushtrimin e funksionit të presidentit, dhe ashtu si që bëri me rastin e 11 tetorit, të mbajë fjalime për njerëzinë, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin mes komuniteteve. Ironia nuk ka fund në këtë shtet, me këtë realitet dhe me këto numra.

Prandaj, është më tepër se e rendësishme çfarë do të ndodhë në zgjedhjet lokale që tani më janë afër, dhe vetëm disa ditë na ndajnë nga dita vendimtare. Këtë të diel do të kuptohet më së miri se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt të këtij vendi. Do të kuprohet a do të kemi legjitimim përfundimtar të qeverisë së re reformatore, apo do të kemi kthim në të kaluarën. Shpesh herë në histori ndodh që pasi të ketë ndryshim revolucionar të kemi riinstalim të pushtetit reaksionar. Në Francë, për shembull, disa herë është riinstaluar monarkia edhe pas rënies spektakolare të regjimit të vjetër me rastin e Revolucionit Borgjez.

Riinstalimi i një pushteti hegjemonik nuk është aspak i dobishëm për qytetarët e këtij vendi e veçanërisht jo në këtë moment kthimi, kur pozita jonë në sferën ndërkombëtare ka ndryshuar drastikisht dhe në drejtim pozitiv.  Riinstalimi i totalitarizmit në rritje që e përjetuam në vitet e kaluara do të thotë që Pançevski nuk do të përgjigjet kurrë për AKMIS-in paralel që thuhet se e ka krijuar. Ai riinstalim do të thotë se Ivanov as për së afërmi nuk do të ketë gjasa të përgjigjet për veprimin e tij tradhtar të Prillit 2017. Ai riinstalim do të thotë që personat që hapër dyert dhe mundësuan që terroristët e 27 Prillit të hyjnë në Kuvend në vend se të përballen me dënim me burg dhe të shkojnë aty ku e kanë vendin, do të faktorizohen dhe forcohen edhe më shumë dhe do të ndihen edhe më të paprekshëm. Njëri prej tyre bile mund të përfundojë edhe si kryetar komune. Ai riinstalim do të thotë vazhdim i gruevizimit dhe mosbartje e përgjegjësisë për asnjë dëm të shkaktuar në dekadën e fundit.

Prandaj, këto zgjedhje lokale nuk janë të zakonshme. Ato më së miri do të tregojnë sa largpamës ose shkurtpamës jemi, sa harrestarë jemi dhe sa shpejt mund ta falim krimin, si dhe cila rrymë do të përkrahet dhe do ta udhëheqë më tej këtë shtet, ajo pro-perëndimore apo ajo pro-lindore, e lidhur ngushtë me disa vende totalitare që duan të na bëjnë pjesë të klubit të tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button