Mbi librin dhe mungesën e lumturisë

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Thënien e zakonshme se “libri është shoku më i mirë”, kam bindjen, se e thonë ata që nuk kanë krijuar lidhje fatale me librin – me mjetin më mrekullibërës që është shpikur për ta shkelmuar harresën dhe për ta mbartur kujtesën, dijen, përvojën dhe imagjinatën njerëzore nga njëri brez në tjetrin.

Fjalinë e mësipërme e them si njëri prej atyre që i humbi lojërat fëmijërore, duke besuar se bota e librave ishte më e mira e mundshme. Erdhi dita që ta kuptoja se fëmijët të cilët trashëgojnë bibliotekë të pasur prej prindërve nuk janë të lumtur. Prandaj e kam të afërt vargun e Verlenit: “Natyrë, asgjë e jotja nuk më mallëngjen më”. Apo vargun tronditës të Malarmesë: “E trishtë është bota dhe të gjithë librat i kam lexuar”.

Ata që hyjnë në botën e leximit përgatiten për diçka tjetër. Jo për ta gjetur aty lumturinë. “Të lumtur janë vetëm ata që kënaqen me spektaklet e kësaj bote”, thotë Saramago. Këtë spektakël sot e ofrojnë mediat e reja, që, mjerisht, janë bërë zgjatime të diktaturës së kiçit dhe të banalitetit, të mendimeve dhe ndjenjave të gatshme, të marrëzisë dhe kotësisë, që shumëfishohen marramendshëm.

Ata që janë të lidhur fatalisht me librin përballen edhe me ankthin.  Ata klithin si te piktura e Munkut. Ndjehen të zhgënjyer aty ku bota feston. Nuk flasin me botën para se të flasin me vetveten. Nuk e ndërtojnë botën e tyre duke kërkuar besimin e të tjerëve. Ata e krijojnë vetëbesimin para se të kumtojnë diçka të re. Atyre nuk u duhen bashkëpunëtorë dhe as sheshe ku mezi presin t’i dëgjojnë. Atyre u mjafton kulla e tyre prej fildishi. Ata nuk nguten, por kanë nevojë për kohën e ngeshme. Nuk u ndihmon luksi, por jeta prej asketi. Nuk u ndihmon ekspozimi dhe protagonizmi. Ata janë formuar nga presioni i dhimbjes, zhgënjimit, dilemës së përhershme. Ata tmerrohen prej lavdeve që i prodhon shpirtrobi. Ata duan histori kulture dhe jo histori lufte. Ata janë Don Kishotë dhe jo Sanço Panço. Janë Erazmo dhe jo Luter. Ata ikin nga bota e pagjuhësisë, e refreneve, ku gjuha përdoret vetëm për nevoja të rëndomta ekzistenciale. Nuk magjepsen pas flamujve të melankolisë së trishtueshme.

Ndonjëherë, të lodhur, kërkojnë të jenë barinj në katundin e lindjes, siç klithte apologjeti i gjendjes së pashpresë Emil Çorani.

Rendin drejt Jasna Polanës së tyre, sikurse shkrimtari me pamje të zymtë, Leon Tolstoji, që braktisi botën plot shkëlqim të rrejshëm dhe u strehua në botën e largët të fëmijërisë së tij. Ky hijerëndë la një mendim monumental për ata që besojnë se prej librave nuk vjen asnjë e keqe.  “Unë shkruaj libra, prandaj i di edhe të këqijat që rrjedhin prej tyre”, tha ai.

Kemi lexuar libra që botës i kanë sjellë edhe ligësi. S’kemi përse të ngurrojmë ta themi hapur këtë të vërtetë të trishtë edhe pse mund t’i zhgënjejmë ata që rrojnë me iluzionin për librin si “shoku më i mirë”.

Kemi lexuar shkrimtarë e poetë që u kanë thurur himne vrasësve. Veçanërisht shkrimtarë të Evropës Juglindore. Kemi lexuar libra shkrimtarësh që janë dënuar për krime kundër njerëzimit. Kemi lexuar libra kundër gjuhës, kulturës dhe identitetit të tjetrit. Kemi lexuar libra historie shkruar prej fituesve, që gënjeshtrën e kanë shpallur si të vërtetë nëpërmjet përsëritjes së përhershme. Kemi lexuar libra që popujve ua kanë krijuar ndjenjën e viktimës, për t’ua humbur ndjenjën për realitetin dhe, si të tillë, të besonin qorrazi se kishin të drejtën morale të bënin çdo lloj prapësie kundër të tjerëve. Kemi lexuar libra që popuj i kanë futur në dimensione miti, që t’i manipulonin dhe t’i hasmëronin me popuj të tjerë. Është derdhur mund dhe djersë kundër gënjeshtrave të mashtruesve që janë thirrur kinse në histori edhe pse kanë shërbyer si pararojë ushtrish vdekjeprurëse. Librat e këtillë na kujtojnë edhe atë që tha Paul Valéry: “Historia është produkti më i rrezikshëm që kimia e intelektit ka përpunuar”.

Megjithatë kjo është kinse historia. Historia e vërtetë, megjithatë, është diçka tjetër…

Ata që me të vërtetë e duan librin e duan edhe njeriun. Ata kanë mendje kritike dhe jo glorifikuese. Ata janë dyshimtarë dhe jo miratues të verbër. Ata nuk i mahnit pasioni i turmës, që lë prapa vetës vetëm rrënoja dhe shkatërrim. Ata janë përbuzës së revolucioneve, që shpërfaqin mendje mediokre. Koha e mendimit, megjithatë, është koha e paqes, përsëriste Konradi.

Ata që hyjnë në botën e librave përballen me hije e me fantazma. Ata ndryshojnë duke zbuluar përmasa të tjera ekzistenciale. Ata zhyten në errësirë dhe prej andej shohin detaje që i shpëtojnë shikimit të shumicës. Ata harrojnë të ushqehen si gjithë të tjerët. Rrinë zgjuar kur bota fle. Flasin më shumë me vetveten se sa me të tjerët. Mbushin shpuzore me duqe cigaresh. Ndjehen të vetmuar në botën e zhurmshme. Janë shpërfillës ndaj kënaqësive minore, që bota u jep shumë rëndësi. Harrojnë të krehin flokët apo ta hekurosin këmishën. Të lodhur nga beteja me demonët e krijimit shpesh kërkojnë shpëtim duke ikur nga bota e librave. Ashtu siç veproi Leoni i lartpërmendur që braktisi penën dhe iu kthye parmendës. Një akt prej të krisuri që zhgënjeu Turgenievin, i cili tha: “O mjeshtër i madh kryeveprash, nuk është ajo vegla juaj… vegla juaj është pena”, duke ja kujtuar se shkrimtari kishte ardhur në këtë botë që të përhapte farëzat e shpirtit.
Me farëzat e shpirtit merremi ne. Merremi me artin e atyre që i ngjajnë guacës së pikëlluar për shkakun e perlës që ka brenda vetes, për të cilën shkruan Gjibrani. Merremi me artin e atyre që u ngjajnë fluturave të Attarit, të cilat duan ta rrëfejnë bukurinë e zjarrit, por nuk arrijnë dot, sepse digjen në të. Merremi me artin e të verbuarve, atyre që e kanë humbur botën e dukjeve, por, çuditërisht, shohin më qartë se sa miliona njerëz të tjerë. Shohin me sytë e Tamirit, këtij këngëtari të lavdishëm e fatkeq, që e verbuan muzat. Shohin me sytë e Homerit. Me sytë e dobësuar të Miltonit dhe Xhojsit. Me sytë e labirintit të qetë të quajtur Borhes, i cili thoshte se e vetmja ngjyrë që nuk e shohin të verbrit është e zeza.

Këta janë qenie me virtyt dhurimi. U shkon thënia monumentale e Ismet Totos: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”. 

Ata që merren me libra janë prej sojit të atyre që digjen. Ata nuk janë gjuhëshkatërrues, por janë gjuhëpasurues. Dhe bota i ka pasur me pakicë të dashuruarit dhe të shituarit pas gjuhës. Gjuhës që e ka ndryshuar edhe kiminë e intelektit të njeriut.

Prandaj çdo shoqëri normale i respekton këto qenie me virtyt dhurimi, edhe pse një pjesë e tyre nuk merakoset për këtë respekt. Një shoqëri normale ata nuk i quan “njerëz normal”, sepse bëjnë edhe veprime aspak normale.  Nuk i quan “njerëz jonormal”, sepse na falin vepra gjeniale. I quan “më normal se sa normalët”.

Dhe këtë sërish e përmend një njeri që humbi lojërat e fëmijërisë duke u marrë me librat. Kështu fitoi një tjetër botë: botën e librave. Librat u bënë lodrat e tij përgjatë jetës. Kështu, ai fitoi një tjetër lodër – lodrën e gjuhës që ka të njëjtën origjinë sikurse bota…

Dhe dua të besoj se nuk ju kam bezdisur me këtë shkrim.

Një njeri i shkrimit ndjehet keq vetëm kur e kujton se dikë mund ta ketë bezdisur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

2 thoughts on “Mbi librin dhe mungesën e lumturisë

  1. BRAVO MAJSTORE.
    nese nuk konkurron ne Ministri te kultures deri me 15 nentor per te mbledhur si liber keto tekste, njeri me i mire se tjetri, ne kete periudhe shperthyese te krijimtarise tende edhe ashtu brilijante (asnje fjale e tepert nuk eshte) ATEHERE, e them publikisht se do te konkurroj ne emrin tend atje duke falsifikuar nenshkrimin tend.
    te perqafoj fort, fort sa s’ta merr mendja (se moti nuk jemi pare dhe malli me ka marre) per te gjitha kenaqesite dhe mesimet qe marr prej ciklit me te mire te kolumnave qe kam lexuar ndonjehere ne hapesiren mbareshqiptare.
    Tekstin rrenqethshem te bukur dhe iluminues e ke mbaruar me:
    “Dhe dua të besoj se nuk ju kam bezdisur me këtë shkrim.

    Një njeri i shkrimit ndjehet keq vetëm kur e kujton se dikë mund ta ketë bezdisur”.
    ncccc
    vertet çallem kane zakonisht ata qe nuk kane arsye qe ta kene.
    dhe mendja u rritet vetem atyre qe e kane mendjen e vogel.
    Salo, ta perfundoj me vargjet e kenges “Me plakun Santjago” nga permbledhja “Vdes pas gjerave te imta si ti” nga e cila di permendesh gati gjysmen e poezive dhe kjo nuk eshte lavderim per mua, por per ty!

    “…miku im i vjeter
    ti miku im i ri
    koken qe s’e çajme per nje dimension te vdekur
    pavdekesine…”.

    Salo, tash duke shkruar me erdhi ne mendje ajo qe ta kam thene edhe me heret…
    pra, jo vetem permbledhje kolumnash, sivjet duhet bere, patjeter bere, ribotimin e “Vdes pas gjerave te imta si ti” se me vjen turp per politiken tone kulturore qe nuk ka as kompas as kriter dhe me vjen keq per mikun poet qe per mua personalisht eshte me i arrire se cdo poet tjeter shqiptar qe libri i tij nuk geindet ne asnje librari per ta blere, shijuar, per te edukuar femijet tane me poezi, per ta permiresuar veten dhe boten permes poezise, ckado qe te nenkuptojme me fjalen e madhe-fjalen e vogel BOTE.

    Ika tash
    bir makijato bir cigara

  2. Faleminderit shumë për inkurajimin. Të jam shumë mirënjohës. Ta jap fjalën se do të konkurroj, por përzgjedhjen e shkrimeve e lë në dorën Tënde, sepse i besoj shijes që ke. Pastaj po doli keq t’i lë fajet (shaka).
    Pije edhe një kafe plus, por rralloj cigaret…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP