5 problemet urgjente me të cilat do të ballafaqohen kandidatët për kryetar të Sarajit

Kandidatët e partive politike të cilët garojnë për të parin e Sarajit do të ballafaqohen me probleme të ndryshme pas fitimit të mandatit katërvjeçar të këtij posti, shkruan Portalb.mk.

Ata do të duhet të shqyrtojnë kërkesën dhe nevojën për ndërtimin e shkollave të reja në fshatrat e kësaj komune, pasi që kohë më parë është premtuar shkollë fillore në fshatin Çajlane-Semenishtë, gjë që nuk është realizuar ende.

Gjithashtu kjo komunë ka nevojë edhe për ndërtimin e poliklinikës, ngase banorët e kësaj komune më së afërmi e kanë atë të Gjorçe Petrovit, e cila është mjaft larg nga disa fshatra të kësaj komunë.

Mungesa e kopshteve për fëmijë gjithashtu është problem i kamotshëm në këtë komunë. Fshati Kondovë është ai në të cilin u premtua një kopsht për fëmijë po i njëjti nuk u realizua, gjithashtu mungesë të kopshteve kanë edhe fshatrat tjerë të kësaj komune, që shpresojnë që kryetari i ardhshëm i kësaj komune do të dëgjojë kërkesat e tyre dhe do të investojë në arsimin parashkollor.

Rrugët e Sarajit po ashtu kanë nevojë për investime dhe për rregullime. Premtimi për ndërtimin e rrugës alternative për fshatin Radushë mbeti i parealizuar, gjithashtu ka ngecur edhe rikonstruimi i dy rrugëve lokale Saraj-Bojane dhe Kondovë – Radushë. Po ashtu nuk u zgjerua edhe rruga kryesore e Sarajit, barrë këto që ngelen mbi supe të kryetarit të ardhshëm të kësaj komune.

Kryetari i ardhshëm i kësaj komune po ashtu do të duhet të kujdeset për pastërtinë e komunës, pasi që banorët tërë kohën ankohen për mbeturinat e lëna në rrugë, neglizhencën e kompetentëve që të zgjidhin këtë problem, vonesën e punëtorëve të higjienës komunale si dhe mungesën e shportave të mbeturinave në vendet rekreative të kësaj komune, të cilat po ashtu janë lënë pas dore duke pritur investime, të cilat deri më tani nuk u bënë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button