“Mbështetja e Izraelit na shkakton vetëm dëme”

Ish politikani i cili ka qenë dëshmitar i kontakteve të para mes Izraelit dhe kurdëve në Irak, Mahmud Osman thotë se Izraeli edhe në të kaluarën ka dashur që t’i përdorë kurdët në drejtim të interesave të veta. Sipas tij, mbështetja e Izraelit shkakton më shumë dëm, se sa dobi.

Osmani, i cili njihet si ‘kutia e zezë’ e presidentit të Administratës Rajonale Kurde në Veri të Irakut (ARK) Mesut Barzani, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) foli mbi marrëdhëniet izraelito-kurde, për të cilat ka qenë vetë dëshmitar, si dhe për deklaratat mbështetëse të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu lidhur me Barzanin.

Duke rikujtuar se kontaktet mes Izraelit dhe kurdëve të Irakut kanë filluar që në vitet 1970, Osman thotë se këto marrëdhënie asnjëherë nuk kanë qenë në dobi të kurdëve.

“Ne kishim marrëdhënie me Izraelin edhe para vitit 1975 por kjo nuk solli asnjë dobi për ne. Ashtu siç ishte në të kaluarën edhe tani këto marrëdhënie nuk janë asgjë tjetër, përpos dëmit. Nëse Izraeli na mbështet atëherë shtetet arabe dhe shtetet tjera islame qëndrojnë kundër nesh. Atëherë çfarë përfituam? Çfarë do të bëjë Izraeli për ne? Izraeli nuk ka kufi me ne. Për këtë arsye unë asnjëherë nuk e kam dashur këtë marrëdhënie dhe këtë e shoh si një faktor negativ. Unë theksova se autoritetet kurde nuk duhet t’i hapin dyert për Izraelin sepse kjo shkakton vetëm dëme”, thotë Osman.

Ai tha se Izraeli nuk e mbështet një shtet kurd në mënyrë zyrtare dhe se premtimet janë vetëm fjalë.

“Izraeli nuk po e mbështet themelimin e shtetit kurd në mënyrë zyrtare. Ne kemi vetëm deklaratat e kryeministrit të Izraelit Netanyahu lidhur me këtë. Edhe ai mbeti i heshtur pas paralajmërimit të Amerikës. Gjithçka mbeti në fjalë sepse Izraeli nuk mund të dalë jashtë strategjisë së SHBA-ve”, thekson Osman.

Lidhur me ngritjen e flamujve izraelitë në fushatat mbështetëse të referendumit ilegal të mbajtur më 25 shtator, Osman thotë se “Ngritja e flamujve izraelitë është një veprim jo i mirë. Njerëzit mund ta kenë bërë këtë personalisht por prap se prapë kjo nuk ishte e drejtë sepse ata që janë kundër nesh po përfitojnë nga këto dhe pretendojnë se do të jemi Izraeli i dytë. Mbështetja e Izraelit neve na shkakton vetëm dëme”.

“Izraeli bën gjithçka për politikat e veta”

Osman i cili është në politikë që nga vitet 1960, lidhur me marrëdhëniet e Izraelit me kurdët e Irakut në vitet 1970 dhe 1980 tha se “Gjatë asaj kohe kur ishim në përleshje me Bagdadin, të gjitha shtetet arabe e mbështesnin Saddamin. Vetëm Irani nuk e mbështeste. Por, edhe ne nuk i besonim atyre. Nëpërmjet Iranit SHBA-ja u përfshi në çështjet tona. Kurse qëllimi i liderëve kurdë ishte që të formojnë ndërlidhje me SHBA-në nëpërmjet Izraelit, sepse atëherë ne nuk kishim marrëdhënie me SHBA-në”.

Sipas tij, lobimi hebre gjatë atyre viteve ishte shumë i fuqishëm në SHBA. Osman shtoi se “Nëpërmjet këtij lobimi ne donim që të formojmë marrëdhënie me SHBA-në, por SHBA-ja nuk ua dha këtë mundësi atyre (Izraelit). SHBA-ja vetëm na dha pak ndihmë financiare dhe ushtarake”.

“Këto ndihma nuk na sollën aq dobi. Ata (Izraeli) kanë politikat e veta. Dhe, mund të bëjnë gjithçka për këtë. Ata nuk patën asnjë kontribut të rëndësishëm për ne dhe nuk mund të dalin nga strategjia e SHBA-ve. Pra, Izraeli në të kaluarën deshi që t’i përdorë kurdët në drejtim të interesave të veta. Lufta e kurdëve me Irakun ishte rezultat i politikës së mbretit iranian. Më pas kërkuan që Iraku të luftojë me Sirinë”, tha ai.

“Sigurisht që gjithë këto ishin për interesat e veta. Në kohët e tashme, Izraeli nuk ka asnjë kontribut për kurdët në aspektin politik. Në procesin e referendumit dhanë disa deklarata por më pas u mbuluan në qetësi. Edhe pas kësaj nuk besoj se do të bëjnë diçka serioze”, tha Osman.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button