Analizë: “Bombat” ringjallën shpresat për “Monstrën” (1)

Pas 5 vjetëve burg, rikthehen shpresat për 6 të dënuarit me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, e cila në opinion njihet me emrin “Monstra”.
Me 3 tetor të këtij viti, prokurorja publike Liljana Spasovska, propozoi pezullimin e aktvendimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthim të lëndës “Monstra” në vendosje të serishme. Propozimi i prokurorit publik është për shkak të gjendjes së pavërtetuar faktike, por edhe për shkak të ekzistimit eventual të bisedave të përgjuara, të cilat do të mund ta ndërrojnë vijimin e procedurës, njofton Portalb.mk.

Për propozimin e Prokurorisë, duhet të vendos Këshilli Penal i Gjykatës Supreme i përbërë prej 5 anëtarëve. Në lidhje me miratimin e vendimit për lëndën “Monstra”, në pajtueshmëri me dispozitat e ligjit për procedurë penale do të jetë gati dhe e njëjta do të dorëzohet te palët në procedurë”, thonë nga Gjykata Supreme për Portalb.mk, duke mos treguar se sa do të zgjat e njëjta.

Sipas ligjit, afati që Këshilli Penal duhet të vendos ndaj një lënde është 30 ditë, ndërkaq për raste më të komplikuara 60 ditë, megjithatë Gjykata Supreme thotë se bëhet fjalë për rast të madh, andaj nuk munden të jenë të sigurt nëse do të vendoset brenda këtyre kornizave kohore, njofton Portalb.mk.

Dëshmi të reja në rigjykim

Nëse kthehet lënda në rigjykim, atëherë do të ketë hetim të ri, gjegjësisht është e mundur që të propozohen biseda të përgjuara telefonike, për të cilat gjatë kohë përflitet në opinion se ekzistojnë të njëjtat.

pergjimePërfaqësuesi i familjeve të të akuzuarve të rastit “Monstra” ditë më parë zbuloi detaje nga një bisedë e përgjuar telefonike për këtë aferë kontroverse. Megjithatë, nuk dihet nëse e njëjta është pjesë nga “bombat” e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili gjatë kohë ka thënë se ekziston diçka e tillë.

“Unë dëgjova një bisedë mes dy protagonistëve, burrë dhe grua. Njëri thotë “aty asgjë nuk është gjetur nuk është lënë asnjë gjurmë, por unë kam plan”. Tjetri pyet se “cili është plani”, ndërkaq ai përgjigjet se “nuk mundem nëpërmjet telefonit të tregoj”, deklaroi Bedri Ajdari vëllai dhe babai i të akuzuarve në rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Edhe avokati Raufi, konfirmoi se ekziston një bisedë e tillë, por nuk e dinë se kush me kë bisedojnë. Biseda e përgjuar është ilegale, avokatët nuk e posedojnë, por kanë thënë se do ta pranojnë pasi që bëhet fjalë për interes publik.

“Bombat” për “Monstrën” u përmendën shumë herë në fjalorin e kryeminsitrit Zoran Zaev, i cili ka thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga materialet e siguruara e vërteta është ndryshe nga ajo që është paraqitur në opinion, duke aluduar se vrasësit e vërtetë të maqedonasve janë persona krejt të tjerë.

“Ekzistojnë biseda në të cilat tregohet se për personat që janë në burg nuk ka kurrfarë dëshmi për atë. Në biseda nuk ekzistojnë dëshmi se kush e ka atë (vrasjen, shkrim i redaksisë), por ekziston dyshim se pushteti është i përzier”, tha Zaev në maj të këtij viti.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale, nuk ka informata se si do të procedohet rasti, pasi që atyre nuk u ka kërkuar askush përgjime, ndërkaq nuk informojnë nëse kanë bisedë të përgjuar për rastin në fjalë, njofton Portalb.mk.

“Ne i kemi materialet e përgjimeve dhe po i dëgjojmë me vëmendje. Në bazë të atyre dëshmive do të veprojmë. Nga ne nuk janë kërkuar incizime, por vetëm u tha se duhet që ne t’i dorëzojmë incizimet në gjykatë. Pa marrë parasysh se si do të vendoset, derisa nuk është i sigurt ekipi i Prokurorisë Speciale bashkë me mua se si do të procedohet rasti, deri atëherë “Monstra” do të mbetet në rrethana të procedurës para-hetimore”, tha prokurorja Katica Janeva Janeva.

Rasti Monstra gjykimi

Ndryshe, 5 vjet më parë, më 12 prill pesë persona nga Shkupi, duke peshkuar u vranë në mënyrë misterioze.

Të vrarë kanë qenë katër djelmosha të rinj prej 18 deri më 21 vjet nga lagja e Shkupit Radishan, Filip Sllavkovski, Aleksandar Neqevski, Cvetanço Ackovski dhe Kire Tërpkovski, por edhe 45 vjeçari Borce Stevkovski nga fshati Creshevë. Autopsia ka treguar se ndaj tyre është gjuajtur me tre lloje të armëve, për atë u gjetën gëzhoja nga tre lloje të municioneve, gjë që tregon se ka pasur më shumë se një kryerës, njofton Portalb.mk.

  • Më 1 maj të vitit 2012 në një aksion policor arrestohen më shumë se 20 të dyshuar nën emrin koduar “Monstra.
  • Më 7 maj, Haki Haziri bëhet një dëshmitar i mbrojtur dhe më pas me kërkesën e tij, jep dorëheqjen nga ky status, pasi edhe ai u akuzua për vrasjet.
  • Në shtator të 2012,  prokurorët propozojnë një dëshmitar të ri të mbrojtur me emrin e koduar ‘E1’.
  • Në dhjetor të 2012-tës, fillon procesi gjyqësor.
  • 30 qershor 2014, Alil Demir, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta dënohen me burgim të përjetshëm për terrorizëm. Për mungesë provash, një i pandehur tjetër lirohet. Demiri dhe Ismailoviq janë në arrati në Kosovë. Autoritetet e Kosovës nuk i kanë ekstraduar ata në Maqedoni.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Nga protestat njëzet shqiptarë u arrestuan, njofton Portalb.mk.

Protesta-Anti-Monstra-04.07.2014-4

Me formimin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), me që kishte paralajmërime se ka përgjim për këtë rast, “Monstra” duhej të arrijë në duart e Prokurorisë Speciale, megjithatë ajo assesi ta merr këtë rast për arsye të pengesave që i bëhen nga VMRO-DPMNE-ja me msovotimin e ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, njofton Portalb.mk.

2 thoughts on “Analizë: “Bombat” ringjallën shpresat për “Monstrën” (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL