Lëvizja Nëna dhe Fëmija: Qeveria të mos e ri-hapë helmuesin “Jugohrom”, do të protestojmë!

Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” është kundër ri-hapjes së fabrikës “Jugohrom” në rrethinën e Tetovës. Ri-hapja u paralajmërua nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes me pronarët e saj të enjten, pritet të ndodhë në mars apo prill të 2018-tës, njofton Portalb.mk. Kjo lëvizje e cila ka qenë pjesë e protestave kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, gjë që u vërtetua se në masë të madhe ishte nga puna pa filtra e kësaj fabrike, thotë që duhet dy vite për instalim të filtrave dhe jo disa muaj andaj çdo nënshkrim i marrëveshjes mes Qeverisë dhe pronarë të fabrikës “Jugohrom” do të hasë në kundërshtim të ashpër.

Portalb ju sjell letrën e plotë të lëvizjes “Nëna dhe Fëmija”

Lëvizja Nëna dhe Fëmija reagon ashpër ndaj informacioneve, se në ambientet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do të nënshkruhet marrëveshje me pronarët dhe sindikatën e fabrikës Jugohrom, për rifillim me punë të fabrikës, gjatë muajit mars ose prill të vitit të ardhshëm. Fillimisht, rikujtojmë Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë, z. Zoran Zaev, se vlerësimi i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, që afati për instalimin e sistemit për menaxhim me ambientin jetësorë të përcaktuar në lejen e punës të mëparshme të fabrikës Jugohrom është 18 muaj ndërsa afati për instalimin e filtrave ekologjik është dy vjet.

Andaj kërkojmë përgjigje urgjente nga Kryeministri që të informojë opinionin publik për përmbajtjen e marrëveshjes të cilën planifikojnë ta nënshkruajnë nesër me pronarët dhe sindikatën e Jugohromit. Lëvizja Nëna dhe Fëmija, proteston kundër nënshkrimit të një marrëveshje me fabrikën Jugohrom, pa instalimin e filtrave ekologjik. Lëvizja Nëna dhe Fëmija, dhe qytetarët e Tetovës nuk do të lejojnë hapje të fabrikës pa instalimin e filtrave ekologjik që me vite u premtuan dhe asnjëherë nuk u realizuan. Për këtë do të protestojmë siç kemi protestuar deri më tani, me kërkesë që sa më shpejtë kjo fabrikë të fillojë me procesin e instalimit të filtrave pa tregtuar me shëndetin e fëmijëve tanë dhe banorëve të komunës së Tetovës dhe më gjërë të rajonit të Pollogut të cilët kishin impakt direkt nga ajri i ndotur viteve të kaluara, në asnjë formë dhe mënyrë.

Çdo marrëveshje mes fabrikës Jugohrom, si dhe Qeverisë së Maqedonisë pa instalim të filtrave kuptohet si minim direkt i premtimeve të Kryeministrit Zoran Zaev, dhe partive të koalicionit, Ministrave të kësaj qeverie, ndaj qytetarëve se qeveria e re do të angazhohet rreth ambientit jetësorë dhe për një Maqedoni më të pastër, duke siguruar ambient dhe ajër të pastër për gjithë qytetarët e Maqedonisë. Përkujtojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë që prej ditës së mbylljes së Fabrikës Jugohrom, Tetovës, iu kthye çiltërsia e qiellit, ajri i freskët i Malit Sharr, u largua mjegulla e zezë vdekjeprurëse që mbulonte qytetin tonë gjatë këtyre viteve kur Fabrika Jugohrom punonte dhe helmonte qytetarët e Tetovës. Të dhënat statistikore që i mbledh dhe publikon Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, për cilësinë e ajrit dëshmojnë qartë se ajri gjatë periudhës kur Jugohrom nuk punonte, qoftë gjatë stinës së verës apo dimrit, ishte për mbi 60% më i pastër.

Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet dhe Jugohromit i mundësohet fillimi me punë në muajt mars ose prill të vitit të ardhshëm, ndërsa ne besojmë që instalimi i filtrave nuk është i mundur për këtë afat kohorë, vlerësojmë se nuk ka asnjë lloj dallimi ndërmjet kësaj dhe qeverisë së kaluar, prandaj do të aktivizojmë çdo metodë protestimi duke përfshirë edhe protestat para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

LEXO: Eco Guerilla: Deklarata për Jugohromin, propagandë parazgjedhore

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP