Lubonja ka humbur shpresat në Ambasadën e SHBA-së, ja pse!

Analisti Fatos Lubonja nuk është pjesë e asaj kategorie shqiptarësh që shohin me ardhurim Amerikën dhe presin shpëtim për çdo gjë nga Uashingtoni. Në një koment të publikuar në gazetën ‘Panorama’, Lubonja hedh dyshime të forta për deklaratat e njëpasnjëshme të ambasadorit Donald Lu, të cilat i konsideron si “një tërheqje veshi për gjeneralët se disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun”.

Për analistin është e paimagjinueshme që Ambasada të mos ketë informacione për lidhjet e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj me krimin, ndërsa kërkesën e Lu-së për arrestime thotë se është sa për sy e faqe.

Lubonja thekson se amerikanëve “u intereson që vendi ynë të drejtohet më mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafies për të bërë një foto me presidentin e Amerikës, sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon ligji”.

“I zoti e nxjerr gomarin nga balta”, e mbyll komentin e tij Lubonja, mesazh që u drejtohet të gjithë shqiptarëve për të mos mbajtur shpresa te të huajt për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri.

Marrë me shkurtime:

…Mirëpo më në fund ambasadori foli prapë e dha një përgjigje që na i davariti këto hamendje të shumta. Nëpërmjet një komunikimi virtual me gazetarin Skënder Minxhozi ai iu drejtua politikanëve që të mos grinden me njëri-tjetrin, por të punojnë për të futur në burg kriminelët. Nëse deklarata e parë mund të quhej bombë, kjo e dyta na bëri t’i vëmë bombës epitetin lotsjellëse.

Po si ka mundësi të mos të të vijë për të qarë kur sheh se ambasadori ende nuk e paska marrë vesh se këta nuk mund të presin degën ku janë ulur? Po si të mos qash kur mendon se gjithë ajo ambasadë, gjithë ai personel nuk ka fare memorie institucionale, por punuakan si institucionet tona që kur ikën një shef merr me vete krejt personelin, me gjithë kompjuterët, dhe tjetri vjen e fillon nga zeroja.

A nuk kanë këta fare ndonjë dokument që flet për lidhjet e hershme dhe të reja të Kryeministrit (dhe jo vetëm) me trafikantët, për televizionet e ngritur me paratë e drogës, për kryebashkiakët trafikantë, për deputetët vrasës etj? Le që s’ka nevojë të kesh memorie fare, se lidhjet me krimin këtu duken sheshit. A nuk e sheh ambasadori se pasi Erjon Veliaj na tha se kemi me mijëra apartamente bosh tani kryeministri ka lançuar një plan ndërtimi kullash dhe qendrash tregtare që s’ka shqiptar që s’e di se nuk mund të ndërtohen përveçse nga paratë e krimit dhe kanabizimit?

Me një fjalë: a mund të mendohet se ambasadori nuk e di këtë gjendje që në anglisht e quajnë “state captured” (shtet i kapur). Personalisht nuk e besoj këtë. Kam një mendim tjetër që më bën të mendoj se deklarata e ambasadorit ishte një tërheqje veshi për gjeneralët se disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun, prandaj duhet të futin brenda ndonjë syresh, qoftë edhe sa për sy e faqe! Dhe këtë arsyetim unë e lidh me rëndësinë që kam parë t’u japin amerikanët demokracisë dhe shtetit të së drejtës në raport me rëndësinë që u japin lidhjeve direkte me politikanët autokratë që drejtojnë vende si ky i yni.

Kur kujtoj presionin që ushtroi dyshja Arvizu – Rama për të sjellë mbetjet siriane të armëve kimike në Shqipëri, me gjithë protestat popullore, kur kujtoj se në SHBA u bë nami vetëm për dy ujgurë që deshën t’i fusnin në territorin amerikan, kurse Berisha ua pranoi të gjithë, kur kujtoj se muhaxhedinët u refuzuan nga vende shumë më të fuqishme europiane sesa i yni, kurse Rama ua hapi portat kanat, them me vete: këtyre u intereson që vendi ynë të drejtohet më mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafies për të bërë një foto me presidentin e Amerikës, sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon ligji.

Prandaj ngulmoj se në vend të shpresës te bombat e ambasadorëve, që shpesh na dalin lotsjellëse, është më mirë t’i ndërtojmë shpresat mbështetur në atë thënien tonë të urtë: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button