Haradinaj: Të largohen nga puna ata që nuk punojnë për zbatimin e MSA-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë sot se ka vonesa në zbatimit e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) dhe se duhet të largohen nga puna ata që nuk punojnë për agjendën e reformave evropiane.

Ai këto komente i bëri në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane, organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, që kishte për fokus zbatimin e agjendës së reformave evropiane, përcjell Koha.net.

Haradinaj ka kërkuar nga ministrat e qeverisë së tij që të vendosin një metodologji të punës për reforma evropiane.

“Ministri në takimin e parë të mëngjesit me këshilltarë dhe më zëvendës ministra, me drejtorë të departamenteve ose me njerëz të ngarkuar me ua kërkuar direkt temat. Ata që ju ndihmojnë në këto tema shpërbleni, ata që s’ju ndihmojnë mënjanoni, ndërroni, bini tjerë kënd që mos të dështojë agjenda. Mendoj se kjo është më se e drejtë me bërë dhe të veprojmë të gjithë kështu pa dallim në këtë aspekt”, deklaroi Haradinaj.

Ai potencoi ka vonesa të mëdha në zbatimin e MSA-së, po vije fundi i vitit dhe ende nuk po dihet se a ka zotësi me i kryer këto detyra për këtë vit.

“Sikurse e dini kemi vonesa të mëdha në zbatim të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim(MSA), pra qe një kohë të gjatë s’ka ndodhur asgjë ose shumë pak. Është bërë një punë në favor të Kosovës ku janë identifikuar detyrat konkrete për këtë vit, ndërsa po afrohet fundi i vitit dhe ne duhet ta dimë a jemi të zotë me i kryer të gjitha ato që janë paraparë për këtë vit”, tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se ky takim ka për qëllim përshpejtimin e punës dhe zënien e hapit për detyrat, dhe obligimet që dalin qoftë nga procesi agjendës së reformave evropiane dhe nga marrëveshja e MSA-së. Ajo theksoi se nevojitet përkushtim për agjendën evropiane, duke promovuar qeverisjen e mirë.

“Duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, konkretisht duke promovuar qeverisjen e mirë, fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrencën, përmirësuar klimën e investimeve dhe duke avancuar politikat e punësimit dhe arsimit të lartë”, tha Hoxha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button