“RITUAL PERVERS”

Këtë kolumnë në fillim e patëm pagëzuar “shoqëria tejkriticiste” ose “baltnajë politike”, tituj përmes të cilëve donim të shenjojmë një gjendje apo status politik të shqiptarëve të Maqedonisë të banalizimit, trivializimit, vulgarizimit të politikës, të luftës fjalësore të pakompromis, të kritikave nën bel, të shkeljes mbi të gjitha kriteret dhe vlerat e politikbëries si art i të mundshmes dhe i kompromisit, i garës për të marrë përgjegjësi komunitare, për të zgjeruar familjen nga ajo bërthamë disaantarëshe drejt asaj dhjetramijëshe. Këtë të fundit me sa duket pak prej kandidatve e kanë parasysh. Imagjinonin me çfarë kokëdhembjesh ballafaqohemi për t’iu dalë ndanë përgjegjësive të familjes së ngushtë, dhe çfarë guximi duhet të udhëheqësh një bashkësi të madhe. Duke lexuar Esetë e zgjedhura të Sllavoj Zhizhekut (Prishtinë, 2009), te titulli “Kur partia bën vetëvrasje” (f. 57), para na doli sintagma rituali pervers, një shprehje shumë më deskriptive, ndoshta provokative e denigruese dhe e tepruar por realiste, që përshkruan qartësisht realitetin tonë të fushatës politike me të cilën ngrihem i biem gjatë këtyre ditëve. Pasqyra e fushatës zgjedhore për lokalet e vitit 2017 flet për një kulturë politike të baltnajës, të mizerjes komunikuese, të dhëniemarrjeve plot makinacione propagandistike që mund të cilësohen edhe si trans politik që çon drejt ambisit. Do shënuar se perversiteti i përdorur në titull nuk ka të bëjë me frojdianen dhe seksualitetin, por me çoroditjen, mbrapshtësinë, tersllëkun, ligësinë, nopranësinë, pashtruarësinë, kaballëkun, sjelljen e paarsyeshme dhe të papranueshme.

Në këtë periudhë dëgjojmë të flitet për një “qytet që duam”, se ecim “vetëm drejt”, se synojmë “një jetë të re”, se hapërojmë “me dije dhe guxim”… por mënyra se si debatojmë dhe polemizojmë është nga më bizaret. Është evidente se profili i kandidatëve shënon një ngritje eksponenciale, deputetë aktualë, profesorë, analistë, mjekë, pra një prerje elitare e shoqërisë sonë, por edhe segment statuskuoist, figura të njohura e të konsumuara tejmase, qe dy dekada, frymë e vjetër që nuk nxit ndonjë impulsivitet, që të bëjnë ta vësh gishtin në mendje e të të përshkohesh nga një ofkëllimë e madhe (Boooll më, ikniii!). Shohim edhe “më të ultën e mundshme nga ne”, analfabetizmin, që bëhet pjesë e përçmimeve, që disa mundohen ta mbrojnë me qasje profeministe, ndonëse vetëdevalvimi është evident. Çdo njeri duhet të ketë një kandar personal dhe social për vetëveten. Humorizimi i politikës është një dimension tjetër i këtyre zgjedhjeve. Kandidatët shpesh dalin me pohime që auditorin e shpëtojnë nga gjendja e krizës, e çojnë në aktin e të qeshurave të pandërprera (shkollat më të mira në Europë, qentë), e shpien në një botë të utopisë (dhjetëra e qindra miliona eurot që do investohen, lumenj me shtretër të bukur, me ujë si loti, kuarte me ndërtesa identike, infrastrukturë e gjelbërim, sheshe á la Osaka, shkolla, çerdhe, fabrika të reja, punësime të mijëra vetave). Sikur të mos i kishim të freskëta premtimet e zgjedhjeve parlamentare: mes tjerash u premtua rruga që lidh Shkupin me Kosovën përmes një mini konference për shtyp, dhe sot, njerëzit e njëjtë ecin e gjallnojnë pa kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes. “E, gënjeshtra në politikë është gjë nga më ordineret”, do kishte thënë shumëkush. Në fakt vesi është ves kudo që të jetë ai. E çmoralizon çdo lëmë të jetës, e degradon gënjeshtarin dhe e masovizon atë, dhe në një shoqëri me rrena të kolektivizuara s’ka prosperitet as jetë.

Gjithë diskursi ynë politik i këtyre ditëve sillet në vijën e dialektikës mes vlerave subjektive dhe fakteve objektive. Kritika nuk është kritikë konstruktive, por deprimuese: montazhe vizuale në rrjetet sociale, fyerje, sulme personale, ekzagjerime… Me sa duket politika shqiptare, folur me fjalë zhizhekiane po shndërrohet në një shtrëngim të ankthshëm, kurse fushatat në një ritual pervers. Fushatat parazgjedhore të këtyre ditëve janë shndërruar në fushata të përçmimit dhe të denigrimit (smear campaign), andaj edhe nuk janë të rastësishme faktet empirike se duelet televizive kanë shikueshmëri shumë të ulët (65% më pak se ato të zgjedhjeve parlamentare 2016). Apatia po rritet.
Risia e këtyre zgjedhjeve, debatet në hapësira të hapura, nëpër agora apo sheshe, si pjesë e platformave mediale novotariste, me gazetarë ekstradepërtues dhe pa doreza, qesin në sheh pakulturën tonë politike, rrugaçërinë e vërtetë të disa individëve nga mesi jonë, nivelin afër zeros, defekte të shprehjes me takt e etikë, popullatë e pagdhendur që kandidatët gjoja i bombardon me pyetje indiskrete. Në këtë drejtim kontribuojnë edhe gazetarët që përmes fjalorit të tyre parokial, joformal dhe cytës.

Për fund, një ndodhi nga e cila mund të mësojmë të gjithë, përfshirë politikanët dhe zgjedhësit apo votuesit: Një shitës horr që s’jepte pesë pare për blerësit, dhe një klient që me delikatesë e përshëndeste atë ditë për ditë, ndonëse kapadaiu shitës s’ia kthente shnetën. Blerësi me kulturë, në pyetjen e banorëve të zonës se si e gjen durimin për të treguar mirësjellje ndaj një të paedukati, ishte përgjigjur: “Kërkoni prej meje të mësoj prej tij mungesën e edukatës, sjelljen e pahijshme, apo unë duhet të vazhdoj me mirësi që t’ia mësoj atij edukatën?” Pra, përkundër oponentit agresiv, pala tjetër gjithherë duhet të frymojë pozitivitet, ta tërheqë tjetrin agresiv kah vetja e virtytshme, e jo të bëhet si vesshumti që nëse i përgjigjeni me të njëjtën masë bëhet aktor dhe atraksion shoqëror.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button