Rritje e kredive për popullatën, zvogëlim për firmat

Banka Popullore regjistroi kamata “të betonuara” për kreditë, ndërsa një pjesë e bankierëve paralajmëron se “epoka” e parave të lira është duke përfunduar. Vendimtare për punën bankare do të jetë viti i ardhshëm 2018, kur pritet rritje e kamatave në nivel botëror – trend ky ndaj të cilit nuk do të mbetet imune as Maqedonia. Në muajin e tetë të këtij viti, Banka Popullore regjistroi rritje të ekspozimit të përgjithshëm kreditor dhe të bazës së depozitave të bankave, dhe në krahasim me muajin gusht ka ngadalësim në kreditimin e firmave, ndërsa rritje ka te kreditimi i popullatës, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Rritje e kredive për popullatën, zvogëlim për firmat…
Ka zvogëlim shumë të vogël të kamatave për kreditë e sapo miratuara për firmat, ndërsa për kreditë që tashmë janë miratuar për sektorin korporativ, lartësia e kamatës mbetet e njëjtë. Këtë trend në punën bankiere e ka regjistruar Banka Popullore, nga e cila thonë se në muajin e tetë të këtij viti, kamatat, edhe për kreditë edhe për depozitat, kryesisht janë “betonuar”.

“Përqindjet e kamatave, edhe të kredive edhe të depozitave, në gusht të këtij viti nuk kanë shënuar ndonjë ndryshim në krahasim me muajin e kaluar. Ato mbetën në nivelin prej 5,9 për qind te kreditë dhe 1,5 për qind te depozitat, njoftoi Banka Popullore e RM-së. Te kreditë e sapo miratuara përqindja mesatare e kamatës në gusht ka qenë 5,2 për qind, me ç’rast është regjistruar rënie mujore prej 0,2 për qind. Përqindja e kamatës te kreditë e përgjithshme të sektorit korporativ në gusht nuk ka pësuar ndryshime dhe ka qenë 5,4 për qind, mirëpo në nivel vjetor te kjo kamatë është regjistruar rënie prej 0,7 për qind” – thonë nga BPM-ja.
Edhe një pjesë e bankierëve konfirmojnë se tani për tani nuk ka ndryshime në politikën e kamatave.

“Gjatë periudhës së kaluar nuk kishte hapësirë për korrigjimin e përqindjeve të kamatës në drejtim të zvogëlimit të tyre. U përballëm me një trend të ngadalësimit në kërkimin e kredive, veçanërisht në sektorin korporativ, ndërsa përmbajtje mund të vërehej edhe te popullsia. Si arsye gjithsesi është paqartësia e krizës politike, e cila e karakterizoi gjysmëvjetorin e parë të këtij viti. Duke i marrë parasysh këto lëvizje, kushte për korrigjim të konsiderueshëm të kamatave nuk kishte” – komentojnë për “Portalb”-in nga njëri nga grupacionet kryesore bankare në vend.

Për një pjesë të bankierëve, ngadalë mirëpo në mënyrë të sigurt përfundon “epoka” e kredive të lira. Gjatë vitit të ardhshëm 2018 mund të pritet rritje e kamatave, si trend në suaza botërore, ndaj të cilit nuk do të mbetet imune as Maqedonia.

“Tregjet ndërkombëtare financiare kanë likuiditet të madh. Momentalisht përqindjet e kamatave në tregjet ndërkombëtare financiare janë në nivelin më të ulët historik, mirëpo njëkohësisht Banka Qendrore e SHBA-ve, e poashtu edhe Banka Qendrore Evropiane paralajmëruan se do të fillojnë me procesin e zvogëlimit të likuiditetit dhe të rritjes së përqindjeve të kamatave, mirëpo e gjithë kjo pritet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe graduale, pa tronditje të mëdha në sektorin privat. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë nesër dhe se do të ketë ndryshime të shpejta, mirëpo parashikimet janë se kjo do të ndodhë nga fundi i vitit 2018 në nivel botëror, gjë që me siguri do të përcillet edhe në Maqedoni”, thotë Gligor Bishev, drejtor i bankës Shparkase.

Deri në fund të muajit gusht të këtij viti, ekspozimi i përgjithshëm kreditor është 4 miliardë e 681 milionë euro. Në krahasim me gjendjen në janar, ekspozimi kreditor është rritur për rreth 161 milionë euro. Në gusht, në krahasim me muajin korrik, rritje ka edhe te kreditë në denarë edhe te ato në deviza. Popullata i ka borxh bankave 2 miliardë e 247 milionë euro, që në krahasim me muajin e parë të vitit 2017 paraqitet rritje prej 138.000.000 еuro, ndërsa në krahasim me muajin janar të vitit 2016 rritja është 277.500.000 еuro.

Sektori privat dhe ai publik në fund të gushtit, bankave u kanë pasur borxh 2 miliardë e 414 milionë euro. Në krahasim me muajin gusht, Banka Popullore ka regjistruar rritje të kreditimit të amvisërive, ndërsa te sektori privat ka zvogëlim. Një pjesë e bankierëve vlerësuan se rritja e ngadalësuar kreditor në sektorin korporativ është pasojë e pritur nga kriza politike.

Nga njëra anë bankat kanë kujdes të shtuar gjatë ekspozimit kreditor ndaj firmave, mirëpo edhe firmat demonstruan përmbajtje nga marrja e kredive, veçanërisht për veprime investuese, në pritje të zgjidhjes së krizës politike.Bazë fantastike depozitore prej 5,2 miliardë eurosh
Sipas matjeve të Bankës Popullore, kamata për depozitat e sapo pranuara, në gusht ka qenë 1,3 për qind, me ç’rast është vërejtur rritje mujore prej 0,1 për qind.

“Në muajin gusht është vërejtur zvogëlim minimal prej 0,1 për qind i përqindjes së kamatave të depozitave të përgjithshme të pranuara nga sektori korporativ. Përqindja e kamatës është 1,8 për qind, ndërsa në nivel vjetor ajo ka shënuar zvogëlim prej 0,2 për qind. Depozitat e sapo pranuara të sektorit korporativ, në gusht kanë qenë me përqindje të pandryshuar të kamatës në krahasim me muajin paraprak, në nivel prej 1 për qind, mirëpo në krahasim me muajin gusht të vitit 2016, ka rritje prej 0,1 për qind” – njoftuan nga BPM-ja.
Sipas të dhënave që janë në dispozicion, në gusht, baza e përgjithshme e depozitave ka qenë 5 miliardë e 243 milionë euro dhe në krahasim me gjendjen në janar, ajo është rritur për 44,4 milionë euro. Të dhënat tregojnë se 58,7% e depozitave janë në denarë, ndërsa 41,3% janë depozita devizore. Kështu, nga baza e përgjithshme, 3 miliardë euro praktikisht janë denarë, ndërsa 2,2 miliardët e tjera janë euro. Në gusht, depozitat e përgjithshme të sektorit privat dhetë atij publik jofinanciar kanë qenë 1,3 miliardë euro dhe në krahasim me korrikun, BPM-ja ka regjistruar rritje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button