Masa të forta për Shqipëri-Itali, antiterrori në kufi, mbikëqyren rrjetet sociale

Në pritje të zhvillimit të ndeshjes së fundit kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018”, mes Shqipërisë dhe Italisë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave për mbarëvajtjen sa më normale të kësaj sfide, që do të luhet të hënën në orën 20:45, shkruan Top Channel.

Policia e Shtetit, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe interesimin e shumtë të tifozerisë vendase, asaj nga Kosova dhe asaj italiane për të qenë të pranishëm në stadium, ka hartuar një plan masash që synojnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike, para, gjatë dhe pas 90 minutëshit.

Fokusi i uniformave blu do të jetë evidentimi i individëve apo grupeve ekstremiste të dhunshme dhe me tendenca kriminale e terroriste, që mund të cënojnë rendin dhe sigurinë publike. Për këtë arsye, Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me SHISH, AISM dhe Gardën e Republikës, por edhe me policitë e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Policia e Shtetit synon edhe monitorimin e faqeve në rrjetet sociale dhe burimet e hapura, për identifikimin e individëve dhe grupeve që bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit.

Mes objektivave janë edhe goditja e veprimtarisë kriminale, kapja e autorëve të dyshuar të veprave penale në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kontrolli fizik i të gjithë personave të pajisur me bileta për ndeshjen, si dhe për moslejimin e futjes në stadium të sendeve dhe materialeve të ndryshme të paligjshme.

Sipas asaj që njofton Policia e Shtetit, do të bëhet mbikëqyrja e trafikut rrugor në akset e qytetit të Shkodrës, aksi nga Tirana drejt qytetit veriperëndimor, si dhe shoqërimi i personaliteteve të larta shtetërore, ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe Italisë, si dhe stafeve dhe tifozerive përkatëse. Masa do të ketë edhe për sigurimin dhe mbikëqyrjen e objekteve të përfaqësive diplomatike.

Në vëmendjen e Policisë së Shtetit është dhe kontrolli kufitar. Në pikat e kalimit kufitar në Morinë, Muriqan, Hani i Hotit, Qafë Thanë dhe Durrës, një specialist i Drejtorisë Antiterror do të vendoset për të verifikuar, intervistuar dhe vlerësuar lejimin ose jo të kalimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë periudhës 6-9 tetor 2017, të individëve me prirje radikalizmi ose ekstremizmi të vendosur në listën e kontrollit “Njoftim në kufi”.

Ndërsa për kufizimet në lëvizjen apo bllokimin e qarkullimit në disa akse të brendshme të qytetit të Shkodrës, pritet një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për oraret dhe rrugën e bllokuara. Kontrolle në akset rrugore do të ketë edhe me radarë për matjen e shpejtësisë, apo kontrolle për të identifikuar drejtuesit e automjeteve që konsumojnë alkool.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button