Ku mbeti etika gazetareske? Ç’është ky primitivizëm moral!

Me zhvillimin e teknologjisë gazetaria dhe mediumet kanë fituar terrenin e merituar duke iu dhënë hapësira të lundrojnë pa limit në galaktikën elektronike sociale. Një përparim galopant i saj ja ka mundësuar  çdokujt të hap një portal informativ dhe të shpërndaj lajme dhe informacione pa kaluar nëpër filtrat redaktorial.

Në rastet më të mira kjo është një arrirë e pakontestueshme. Tashmë lajmet nga çdo vend  lexuesit e shikuesit mund t’i marrin në kohë reale. Bota siç thuhet është një fshat global të cilin mund t’a mbajmë në pëllëmbë nëpërmjet një aparati elektronik që mund të jetë telefoni celular, laptopi etj.

Por, ana tjetër e medaljes është se ndryshimet e vazhdueshme të mediave në koherencë  me zhvillimin teknologjik, në veçanti, kanë zbehur statusin e gazetarit, rregullat e një gazetarie të mirëfilltë, etikën e medias dhe standardet gazetareske. Tanimë sektori i informacionit ka qasje të ndryshme  të gjetjes së burimit, të bërjes së lajmit, përcjelljes së të njëjtit tek audienca dhe nga kjo lindin një duzinë pyetjesh dhe dilemash sa i përket etikës së gazetarisë dhe të drejtës së medias.

Mungon dukshëm një vetë-rregullim i mediave por edhe mbikëqyrja e tyre nga organe kompetente (gjithmonë në nivelin që te mos dilet jashtë sistemit të demokracisë) dhe aq më tepër në vendin tonë mungon hapësira e debatit publik në lidhje me këto problematika.

Këto probleme në fakt nuk janë të lindura me vrullin teknologjik, janë të trashëguara nga mediat tradicionale, por ky vrull ka shtuar  dilemat e sipërpërmendura.

Transformimi i teknologjisë ka rritur në mënyrë sasiore numrin e mediave konkretisht portaleve të cilët në Republikën e Maqedonisë janë të shumtë dhe te të cilët vërehet shkelja më e madhe e etikës së medias. Ndoshta konkurrenca jo e mirëfilltë apo nevoja për klikime shtynë persona që vetëzotohen se janë gazetarë të stërmbushur hapësirat e tyre mediatike me kronika të zeza, vrasje, burgosje  apo fatkeqësi familjare të cilat dukshëm janë marrë të gatshme nga një tjetër medium, lajme të ndryshme të parëndësishme që prekin privatësinë e personave publik  dhe jo vetëm, kuriozitete të vjetra që publiku i ka konsumuar disa herë por që mundohen me tituj marramendës të tërheqin vëmendjen e lexuesve. Siç duket ia arrijnë qëllimit mirëpo në të njëjtën kohë bëjnë shkelje të shumëfishta duke shkelur të drejtën e mirë informimit, shkelin etikën gazetareske, shkelin të drejtën e privatësisë  pa llogaritur statusin politik, social, gjinor por edhe në rastet më të rënda ndodh shkelje e të drejtës së privatësisë së minorenëve.

Shfaqja e identitetit të viktimave të natyrave të ndryshme të abuzimit cenon rëndë integritetin e personave dhe ndikon në vetëizolimin e tyre duke u ruajtur nga gjykimi, paragjykimi apo stereotipet e publikut aq me tepër kur bëhet fjalë për një shoqëri qe akoma i qëndron besnik fenomenit primitiv më mirë një gënjeshtër e bukur sesa një e vërtetë e hidhur.

Në nenin 12  të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (10 dhjetor 1948) thuhet shprehimisht: ’’Askush nuk mund të jetë objekt ndërhyrjesh arbitrare në jetën private, në familje, në banesën ose letërkëmbimin e tij, as objekt cenimesh të nderit dhe të reputacionit të tij..’’

Përjashtim mund të bëhet vetëm në rastet kur publikimi i dokumenteve që kanë të bëjnë me jetën private te dikujt është në interes të publikut.

Një pasqyrim jo i drejtë, jo i saktë, jo profesional  i ngjarjeve ditore krijon të  ashtuquajturën zhurmë mediatike dhe një amulli në mendjet e lexuesve.

Liria e medias është një e drejtë e pakontestueshme e garantuar  nga Kodi i Etikës se Gazetarisë por duhet theksuar se ky Kod përfaqëson nivelet më të larta të kulturës dhe edukatës në shoqëritë demokratike.

Në mungesë të një përfaqësimi të drejtë apo ndërgjegjësimit  në drejtim të vlerave të lartpërmendura   publiku  është ai që humb, lodhet, stresohet dhe stërngarkohet me informacione të pafiltruara nga këto pseudogazetarë jo kurajoz, jo zhbirues, jo të  drejtë, jo të saktë.

Vazhdon..

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button