BE, me Prokurori të përbashkët për krimet ekonomike ndërkufitare

Parlamenti i BE-së miratoi me shumicë votash projektin e shumëdiskutuar të një Prokurorie Europiane, mbi të cilin, ministrat e Drejtësisë së pjesës më të madhe të vendeve anëtare ranë dakord pas bisedimesh të zgjatura në vite, transmeton Top Channel. 

Eurodeputetët u shprehën në masë të madhe pro ngritjes së një organi të ndjekjes penale të financuar nga BE-ja, i cili do t’u kundërvihet shkeljeve e mashtrimeve.

Një prokurori e përbashkët do të duhet të hetojë shpërdorimin ndërkufitar të parave të bllokut, e të ngrejë padi duke vepruar jo vetëm kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe abuzimeve me fondet e Bashkimit Europian, por edhe kundër mashtrimeve si ato me Taksën mbi Vlerën e Shtuar në nivel ndërkufitar.

Të dhënat e Komisionit të BE-së tregojnë se, vetëm nga abuzimet me TVSH-në, Brukseli humbet të paktën 50 miliardë euro të ardhura nga tatimet në vit. Autoriteti i ri do ta ketë selinë në Luksemburg dhe do të nisë nga puna nga viti 2020.

Përveç kësaj, secili nga vendet pjesëmarrëse do të emërojë të paktën një prokuror të deleguar, i cili do të jetë aktiv në vendin e tij, por do të bashkëpunojë ndërkohë edhe me Prokurorinë Europiane. Tetë vende të bllokut nuk e përkrahën nismën, mes tyre edhe Polonia e Hungaria, që marrin shumë parà nga BE-ja, ndërsa mbështetësja më e fortë e saj ishte Gjermania.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button