Legjenda mbi toponiminë e Kallkandelenit

Valë të vogla, rreth më rreth, të degëzuara në shumë pjesë dhe të shkumuara si me sapun, me ritëm të njëjtë përplasen në bregun shkëmbor të Liqenit. Uji i kulluar, si lot syri, reflekton mbi maje kodrash rreth e përqark, si një pasqyrë e kaltër, thyer nga rrezet e diellit. Vetëm zëri i përplasjes së valëve prish qetësinë në këtë pjesë të natyrës virgjër. Një varg kodrash, me vegjetacion të gjallë, mbërthejnë këtë ujë liqeni, që të mbetet aty ku është. Aty-këtu kërcen nga thellësia mbi ujë ndonjë peshk ngjyrë ari, për të marrë ndonjë flluskë ajri bjeshke.

Në pjesën perëndimore të kodrës, buzë liqenit, nxjerr krye një pllajë që spikas një dhiare. Hapëron nëpër këtë dhiare, shkelur nga këmba e njeriut, një luftëtar përplot muskuj, me një përkrenare bri-cjapi, me një shtizë të gjatë hekuri në dorë e me një veshje metalike në disa pjesë të trupit, tek një figurë vigani, ngjashëm me një luftëtar pellazgo-ilir, i gatshëm për të sulmuar.

Luftëtari ndalet në një cak, pret një kohë i stepur, përderisa hija e tij zgjatet dhe prek ujin e liqenit. Atëherë, ai shqetësohet nga një e papritur. Një ulërimë që avitet nga thellësia e këtij uji prej  liqeni shurdhon veshët e tij, valët po shpeshtohen dhe tërbohen, ndërsa luftëtari pellazgo-ilir mbetet në gjendje gatishmërie. Nja 20-30 hapa përpara tij, uji grafullon sikur buka me maje, hidhen valët anembanë, për të nxjerr krye një përbindësh gojëzjarr, me një sy në ballë, me disa flatra djathtas e majtas dhe, sa çelë e mbyllë sytë, sulmon luftëtarin trim, i cili rrufeshëm reagon, ngre mburojën e tij që goditet rëndë, për të parë një çik më vonë krejt të shpuar atë në dorën e tij të fortë…

Kuçedra e goditur rëndë në kokë nga mburoja e luftëtarit trim, lemerisej nëpër ujë herë andej e herë këndej, nga dhembjet e mëdha në pishë të syrit, për ta gjetur shpejt veten në pjesën lindore të liqenit, ku dha një uturimë force të fundit, shpoi kodrën dhe u përplas në anën tjetër, krejt pa jetë. Nga shpimi i kodrës, rrodhi uji i liqenit dhe mbeti një luginë e madhe sa s’ta kap syri, prej toke ngjyrë kafe.

Luftëtari pellazgo-ilir, një kohë më pas, kur u ter mirë e mirë trualli përreth, solli aty disa njerëz të fisit të vet dhe, rrëzë një mali, ngriti kasollet. Kasollet u shtuan vit pas viti, për t’u bërë një vendbanim i vogël, me njerëz që dinin të punonin tokën me parmendë. Këtë vendbanim e quajtën pastaj OENEUM, në lokalitetin HISAR.

Ky sajim simbolik, motivuar nga rrëfimet e dëgjuara djaloshare, mbetet si një përpjekje për të zbërthyer imazhin e legjendës së kamotshme, të shndërruar në mit pas ardhjes së osmanëve në Gadishullin Ilirik, të cilin, për shkak të maleve të larta dhe të ngjitura varg e vistër, e quajtën Ballkan, një fjalë turke për Malin. Mburojën e quanin “Kallkan”, ndërsa kjo mburojë e luftëtarit trim pellazgo-ilir, që ishte shpuar nga kuçedra e frikshme në atë liqen me ujë të kulluar, në turqishte i vinte “delen” dhe, kësisoj, këtij vendi i ngjitën emrin Kallkandelen (Mburoja e shpuar).

Natyrisht që osmanët nuk kishin dëgjuar për Oeneumin, ndaj dhe e quajtën këtë vendbanim, Kallkandelen, përgjatë shekujve. Kishin ardhur hordhi të tjera pas osmanëve, për të thënë se ky vendbanim, prej parajse i bukur, s’do të quhet as Oeneum e as Kallkandelen, por Htetovo, një variant emri sllavo-ortodoks, që u vulos edhe në rradaken e të parëve tanë, si Tetova qytet, që brezat e tanishme mbajnë me shëndet.

Gojëdhëna të këtilla e të ngjashme, të modifikuara dhe të thurura, të harruara e të rikujtuara, kanë shëtitur odave tona si relikte të kohërave të stërlashta, për të përqafuar atë si një trashëgimi të hershme, unike, e identitetit tonë dhe kodit gjenetik në këto troje pa tapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

rolex replica paypal patek philippe
VERZIONI DESKTOP