Dimitrov: Maqedonia dhe Greqia që tani të sillen si partnerë në BE dhe NATO

Në qoftë se Maqedonia dhe Greqia dëshirojnë që në të ardhmen të jenë partnerë në Bashkimin Evropian dhe NATO duhet që prej tani të sillen ashtu, thekson ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në intervistë për edicionin e sotëm të gazetës greke “Katimerini”.

Dimitrov sot merr pjesë në takimin katërpalësh të Maqedonisë, Shqipërisë, Greqisë dhe Bullgarisë, i cili mbahet në Selanik me iniciativë të shefit të diplomacisë greke, Nikos Koxias.

Ai dhe Koxias mbajtën disa takime nga qershori e deri më tani, ndërsa në pyetjen se nëse kjo do të thotë se janë afër ndonjë zgjidhjeje për kontestin rreth emrit, Dimitrov thotë se ai dhe kolegu i tij grek janë duke ndërtuar atmosferë miqësore dhe komunikim të hapur dhe të sinqertë, të ndërthurur me mirëkuptim të ndërsjellë të pozicioneve të ndërsjella.

Të dyja palët, sipas Dimitrovit, duhet të kenë qasje më të përgjegjshme, e cila do të ofrojë progres të vërtetë dhe ardhmëri më të mirë për qytetarët e të dy vendeve.

Lidhur me pohimet e tij të paradokohshme se Maqedonia nuk duhet të jetë vendi i vetëm i cili do të ketë të drejtë të identitetit maqedonas dhe se nëse kjo është tregues për mundësi që të arrihet kompromis për emrin, Dimitrov theksoi se idetë për ekskluzivitet janë lojëra pa fitim, të cilat në të kaluarën kanë qenë vetëm burim i ndarjeve dhe trazirave në rajon dhe më gjerë.

Ai theksoi se të dy vendet duhet të kenë mirëkuptim për pozicionet e ndryshme për çështje të caktuara.

“Kur një fqinj nga Maqedonia greke thotë se ajo ose ai është maqedonas, në mënyrë rajonale, historike ose kulturologjike, vallë kjo paraqet kanosje për mua? Gjithsesi se jo. Kur unë do të them se jam maqedonas, vallë kjo duhet të paraqesë kanosje për fqinjin tim? Në Evropë në shekullin 21? Konsideroj se nuk duhet”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë.

Në pyetjen për shqetësim për opinionin grek për ekzistimin e elementeve të irredentizmit në Maqedoni, siç janë harta, mësime historike të cilat shfaqin aspirata drejt pjesës veriore të Greqisë, por edhe emra të objekteve, si aeroporti në Shkup, Dimitrov u përgjigj se vendi nga irredentizmi formalisht është liruar që para shumë kohësh, me Kushtetutën.

Lidhur me atë se nëse palë të treta përpiqen të ndikojnë në politikën e brendshme të vendeve të Ballkanit, Dimitrov theksoi se sfidat e sotme janë të natyrës së ndryshme dhe nuk mund të shikohen nga aspekti i një vendi ose organizate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button