A do të “çmontohet” drejtësia?

“Drejtësi e montuar, drejtësi e harruar” do të duhet të tingëllojë tani e tutje thënia që deri tani njihej si “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”.

Përkundër të gjitha pritshmërive, në Gjykatën Supreme ndodhi peripetia. Ushtruesja e detyrës Prokuror Publik i RM, që po e zevendëson Zvërlevskin e shkarkuar, kërkoi nga Këshilli penal i Gjykatës Supreme që të anulohet vendimi i shkallës së parë dhe ai i apelit për rastin “Liqeni i Smillkovës” që më së shumti njihet nën pseudonimin që Ministria e punëve të brendshme në vitin 2012 ia dha duke e quajtur të njejtin “Monstra”.

Ajo që ndodhi më 1 Maj të vitit 2012 ishte vëretet monstruoze. Vrasja e pesfishtë tronditi tërë shtetin dhe mbeti një hije e pandriçuar në drejtësinë e këtij vendi tash më shumë se pesë vite. Në ndërkohë, për këto pesë vite personat që u akuzuan për terrorizëm vuajtën një pjesë të dënimit. Pesë vite nuk janë pak, ndërsa në burgjet e Maqedonisë këto pesë vite janë sa pesëdhjetë vite të kaluara në liri.

Ajo që ra në sy që në fillim të operacionit të quajtur “Monstra” ishte shkelja eklatante e prezumimit të pafajësisë. Ministrja e atëhershme e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, në konferencën e parë për shtyp menjëherë pas fillimit të operacionit dhe arrestimit të personave të dyshuar tha me shumë bindje: “I kapëm vrasësit” dhe e bëri copë-copë Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Kushtetuën e RM dhe Ligjin për Procedurë Penale. Dhe gjithçka nuk mbaroi me kaq. Prokurorja Geshkovska që udhëhoqi këtë rast në gjykimin e shkallës së parë dhe në apel, në fjalën e saj përfundimtare tha që qëllimi i “vrasësve” ka qenë mbjellja e frikës dhe terrorit tek maqedonasit etnikë me faktin që janë vrarë djelmosha të rinj në festën e Pashkëve dhe ky ka qenë mesazh i një rrjeti ekstremist dhe radikal islamist i cili sipas saj ka bërë terror atë ditë. Me këtë ajo i ndau qartazi punët në këtë shtet: komuniteti shqiptar këtu është radikal-terrorist që funksionon në bazë të fundamentalizmit ekstrem islamist, ndërsa komuniteti maqedonas është viktimë e këtij terrori.

Ajo që mua personalisht më bëri përshtypje gjatë gjithë kohës së gjykimit në shkallë të parë dhe të apelit ishte se familjarët e viktimave të kësaj vrasje makabre nuk ishin të bindur në “drejtësinë” që po u servohej. Ata kërkonin të zbardhet identiteti i disa numrave telefonikë që lidheshin me rastin e të cilat prokuroria dhe gjykata i mbanin fshehur si sekret shtetëror.

Në fund, në bazë të dëshmive indirekte dhe të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur, personat e akuzuar u dënuan me burgim të përjetshëm.

Dhe ja tani pas gjithë kësaj kohe, dhe pas përpjekjeve të shumta të familjarëve të personave të dënuar, ky rast që shumë njerëz në këtë shtet e konsiderojnë si rast tipik të montuar, po shikon një ndryshim. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që kryeprokurori i këtij shteti të kërkojë nga Gjykata Supreme të anulojë të dy vendimet paraprake lidhur me një rast dhe ta kthejë atë rishtazi në gjykim në shkallën e parë, duke marrë parasysh dëshmitë dhe pohimet e pales së mbrojtjes si dhe dëshmitë që mund të gjinden në bisedat e përgjuara.

Për më tepër, gjyqtari hetues i cili e ka udhëhequr rastin në vitin 2012, u paraqit me një deklaratë që rasti i është dhënë atij në shqyrtim 20 ditë pas vrasjes dhe që të gjitha dëshmitë lidhur me hetimin i ka përgatitur policia (që në atë kohë funksiononte ashtu siç pohoi edhe vetë Jankullovska: MVRO-VMRO). Pyetje legjitime do të ishte pse gjyqtari hetues këtë nuk e ka thënë më parë? Për më tepër, dita ditës shohim dëshmi të reja që tregojnë edhe për shumë raste tjera të montuara dhe për shumë gjykime problematike.

Po sikur të vërtetohet se personat që i dënuar janë të pafajshëm, atëherë çfarë bëjmë me deklaratën e Jankullovskës që i paskan kapur vrasësit? Po me urrejtjen që u mundua të mbillte Geshkovska për vrasjet terroriste në ditën e Pashkëve çfarë do të bëjmë? Kush do të mbajë përgjegjësi për stigmatizimin jo vetëm të një familjeje po të një komuniteti të tërë si terrorist dhe frikëmbjellës?

Pa u vendosur drejtësia për rastet e montuara ajo fare nuk do të ekzistojë. Pa u bartur përgjegjësi e plotë për këto manipulime monstruoze që nuk hezituan të luajnë me fate njerëzish nuk do të ketë qetësi e as prehje për asnjërën palë e më së paku për viktimat e një ligësie të tillë mizore e që nuk duket të ketë pasur fund.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button