Kosova heq dorë nga aplikimi për anëtarësim në UNESKO dhe Interpol

Autoritetet e Kosovës mbrëmë kumtuan se kanë hequr dorë nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në UNESKO dhe Interpol.

Sipas MPJ-së, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, mosdorëzimi është bërë pas koordinimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.

“Ministria e Punëve të Jashtme informon opinionin e gjerë publik se procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Organizata rajonale, kontinentale dhe globale, gjegjësisht në OKB dhe agjencitë e ndërlidhura me të është dhe mbetet synim prioritar i Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

“Republika e Kosovës deri më tash është anëtarësuar në mbi gjashtëdhjetë Organizata rajonale, kontinentale dhe globale dhe secili veprim i aplikimit, procedurave apo procesit të anëtarësimit bëhet në koordinim të plotë dhe të ngushtë me aleatët strategjik dhe historikë të Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova është aleate e perëndimit dhe kjo aleancë është e përjetshme dhe e pakthyeshme”, thekson MPJ.

Sipas MPJ-së, “shtyrja pragmatike e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Interpol dhe UNESCO është e mbështetur në koordinimin e plotë dhe të ngushtë me SHBA-të dhe vendet e tjera të Kuintit”.

“Ministria e Punëve të Jashtme ri-thekson se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme vepron në mënyrë koordinuar, të matur, të përgjegjshme dhe në mbrojtje të interesit nacional të Republikës së Kosovës. Çdo pretendim tjetër për krijimin e narracionit negativ tek publiku është i paarsyeshëm dhe joprofesional”, thuhet në deklaratë.

Ministria e Jashtme ka thënë se vlerëson se këto veprime i kontribuojnë forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve me shtetet partnere dhe aleate, garantimit të sigurisë si dhe promovimit të paqes në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

rolex replica paypal patek philippe
VERZIONI DESKTOP