Fjalimi i kryetarit Xhaferi para studentëve të Universitetit FON

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot mbajti fjalim para studentëve të Universitatit privat në Shkup FON.

Xhaferi duke i përshëndetur të pranishmit, mes të cilëve rektorin e FON-it, profesorët dhe përfaqësues të tjerë të sferës akademike, theksoi se para 26 viteve, përbërja e parë parlamentare, pikërisht nëpërmjet Kuvendit e realizoi vendimin e qytetarëve të cilët në referendum u prononcuan për shtet autonom dhe të pavarur.

“Një nga prioritetet e para që ishte definuar dhe miratuar në parlament atëherë ishte integrimi i tërësishëm i Republikës së Maqedonisë në strukturat euroatlantike, respektivisht, anëtarësia e plotfuqishme në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Për këtë përcaktim strategjik, ekzistonte konsensus i plotë politik ndërmjet të gjitha subjekteve politike relevante dhe ai qëndrim nuk është ndryshuar në këto njëzetegjashtë vite pavarësi. Megjithatë, për ne më e rëndësishme është përkrahja e madhe e qytetarëve, respektivisht e opinionit të përgjithshëm në raport me integrimet euroatlantike. Ajo përkrahje, neve që jemi në politikë na obligon dhe na bën përgjegjës që ta realizojmë. Përveç nesh, kontributin e vet në realizimin e këtyre përcaktimeve strategjike, përmes veprimtarisë së vet shkencore-hulumtuese por edhe arsimore, duhet ta japë edhe shkenca, dhe këtu para së gjithash mendoj për ju si universitete”, theksoi Xhaferi.

Në rast se parashtrohet pyetja, se deri ku jemi në realizimin e këtij përcaktimi tonë strategjik, kryetari i Kuvendit  theksoi se situata është e ditur dhe realiteti është si vijon, ekziston kontest dhe ai është real, ndërsa për çdo kontest duhet të kërkohet zgjidhje, në qoftë se jemi me të vërtetë të interesuar që këto përcaktime tona strategjike të shndërrohen në realitet.

Integrimi në Bashkimin Evropian, sipas Xhaferit është proces në të cilin Parlamenti e ka rolin kryesor dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Republikën e Maqedonisë dhe anëtarësimin tonë në BE, por këtë rrugëtim e kanë kaluar të gjitha anëtaret e BE-së. Respektivisht, harmonizimi i legjislacionit nacional me legjislacionin evropian, reformat e përgjithshme në shoqëri, duke i përfshirë reformat në të tre pushtetet, në pushtetin ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor, mund të bëhen vetëm  nëpërmjet parlamentit.

“Në vitin 2005, Republika e Maqedonisë fitoi statusin e shtetit kandidat dhe mund të thuhet se prej atëherë edhe formalisht filloi ai proces. Paraprakisht, në prill të vitit 2001, e nënshkruam Marrëveshjen për stabilizim dhe asociim me BE-në. Gjithsesi se edhe vetë Kuvendi doemos duhej të riorganizohej brenda që të mund të përgjigjet në kërkesat, gjegjësisht sfidat të cilat i sjell me vete procesi i integrimit në BE. Prandaj, në nëntor të vitit 2007, me vendim të Kuvendit u formua Këshilli Nacional për Eurointegrime”, shtoi kryetari i Kuvendit.

Këshilli është trup kuvendar me përbërje më të gjerë ku përskaj deputetëve ka edhe nënkryetar i Qeverisë i ngarkuar për eurointegrimet, përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit, përfaqësues nga kabineti i Presidentit të shtetit, përfaqësues nga ASHAM-i, nga BNJVL, nga Shoqata e Gazetarëve, përfaqësues të bashkësive fetare, sindikata, oda ekonomike dhe sektori joqeveritar. Me Këshillin Nacional për Eurointegrime rregullisht kryeson deputet nga opozita. Këshilli, gjatë tërë periudhës së punës, theks të veçantë u vë debateve të ashtuquajtura publike të cilat janë të dedikuara për tema të fushave më të ndryshme, a përsëri të ndërlidhura me proceset eurointegruese, si për shembull debati publik i dedikuar për energjetikën ose po debati i fundit në periudhën e fundit të mandatit e dedikuar për temën “Ndarja nga e kaluara sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian”.

“Në Kuvend, prej vitit 2005 deri më tani janë nxjerrë me qindra ligje me flamur evropian, që është shenjë se bëhet fjalë për ligj i duhur për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë evropian. Përveç kësaj, vëmendje e veçantë i kushtohet edhe trajnimeve të specializuara për proceset e integrimit në BE, si trajnimeve të administratës ashtu edhe të deputetëve. Gjithsesi se si parlament, gjatë tërë periudhës, vëmendje të veçantë u kushtojmë raporteve të Komisionit Evropian për përparimin e Republikës së Maqedonisë. Në fakt, nga ana e Komisionit Evropian, prej vitit 2009, rregullisht fitojmë rekomandim për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, por sërish rekomandimi edhe më tutje mbetet vetëm rekomandim i kushtëzuar me standarde të caktuara që ne duhet ti përmbushim”, shtoi më tej ai.

Ajo në çka duhet të fokusohet Kuvendi në të ardhmen a që është në drejtim të integrimeve euroatlantike dhe në drejtim të funksionimit të demokracisë, siç thekson Xhaferi është përforcimi dhe fuqizimi i rolit mbikëqyrës mbi pushtetin ekzekutiv.

“Si pasojë e asaj dobësie, vonohemi me reformat në shumë fusha, për arsye se nuk ka implementim të vërtetë dhe efikas të ligjeve dhe të akteve tjera që janë miratuar dhe janë në kompetencë të Kuvendit. Unë bile edhe personalisht jam i bindur se kriza të cilën e përjetonim dy vitet e fundit, në masë të madhe ishte rezultat i rolit mbikëqyrës jo mjaftë të zhvilluar të parlamentit. Këtë e sugjerojnë edhe raportet që na vijnë nga institucionet evropiane”, shtoi më tej Xhaferi në fjalim.

“Krizën ngadalë po e lëmë prapa nesh. Na inkurajon fakti që kjo shumicë parlamentare ka vullnet politik, ka edhe kapacitet që sërish të kthehet në rrugën evropiane dhe thënë në mënyrë metaforike, me të dyja këmbët dhe me hapa më të gjata të niset kah realizimi i përcaktimit tonë strategjik, kah anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Më besoni, duke gjykuar sipas kontakteve dhe takimeve të mia formale dhe joformale që i kam me miqtë tanë ndërkombëtarë, fryn një erë e re në politikën tonë të brendshme dhe të jashtme. Kjo është e dukshme dhe ne edhe publikisht pranojmë mirënjohje se punët ndryshojnë në kahun pozitiv. Në anën tjetër, edhe gjatë takimit të para do kohe të kreut të BE-së në Talin, qartë u theksua se rajoni jonë nuk është harruar nga Brukseli, respektivisht, zotëri Cipras, kryeministri i Greqisë, kërkoi që Ballkani Perëndimor të jetë një nga prioritetet e Bashkimit Evropian”, theksoi Xhaferi.

Për këtë shkak, kryetari Xhaferi tha se do e shfrytëzoj këtë rast dhe publikisht do të apeloj te shumica parlamentare dhe te opozita, te pushteti ekzekutiv, te opinioni akademik, te sektori joqeveritar, te bashkësia e biznesit dhe te secili individ, hajde, siç do të kishte thënë populli, t’i përveshim krahët dhe secili, duke u nisur nga pozita e vet, dituria por edhe me përgjegjësi të plotë, të fillojmë me realizimin e përcaktimeve tona strategjike.

“Bashkimin Evropian dhe NATO-n, para së gjithash duhet t’i kuptojmë si vlera dhe standarde të cilat sigurojnë të tashme stabile dhe ardhmëri më të mirë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme”!, e përfundoi fjalimin në Universitetin FON, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button